Opinion

Qeveritë antipopullore të Shqipërisë

Nga Ilir Yzeiri

Qeveria e Sali Berishës dhe kjo e Edi Ramës janë qeveri antipopullore, sepse projekti i tyre qeverisës nuk ka marrë asnjëherë në vështrim popullin, Republikën dhe Atdheun. I përmenda me qëllim ato tri fjalë më sipër, pra fjalët “popull”, “Republikë”, “Atdhe”, sepse në ligjërimin e tranzicionit të stërzgjatur, ato kanë dalë jashtë qarkullimit.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, asnjë qeveri nuk denjoi t’i përmendë këto tri shenja. Ato u zëvendësuan me fjalët “liri”, “demokraci”, “të drejtat e njeriut”, në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq ose më së shumti, në ligjërimin politik të sotëm, qeveritë shqiptare të periudhës së tranzicionit të egër nën të cilin lëngon Shqipëria, përdorin shenjat e luftës për pushtet që shënjojnë ndeshjen e dy bandave që akuzohen dhe akuzojnë njëra-tjetrën për vrasje, për vjedhje dhe për lidhje me krimin.

Sot shqiptarët kanë arritur deri aty sa të ngushëllohen me të keqen më të vogël. Pjesa më e madhe sosh mendojnë se të paktën Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka vrarë njerëz, porse sa i takon mënyrës së qeverisjes edhe ajo është vazhdim i qeverisjes së korruptuar dhe antipopullore të Sali Berishës. Por në fillim është mirë të sqarojmë termat që të jemi kështu më të qartë. Midis qeverisjeve antipopullore dhe atyre jopopullore ka ndryshim. Edhe qeverisja e Edi Ramës ndërmori në fillim disa reforma që ishin jopopullore, sepse preknin një kategori të madhe njerëzish. Iluzioni që ai krijoi me luftën kundër informalitetit e bëri qeverisjen e tij të drejtë, por jopopullore. Nëse ju kujtohet edhe Sali Berisha sapo erdhi në pushtet në 2005-n ndërmori disa aksione spektakolare kundër korrupsionit dhe informalitetit. Më i bujshmi ishte arrestimi i një zv.ministri në një lokal në qendër të Tiranës. Pastaj të gjithë e dimë sesi degjeneroi ai dhe qeveria e tij, sidomos pas Gërdecit dhe vjedhjes spektakolare të “Rrugës së Kombit”.

Edhe Edi Rama e nisi me Lazaratin, pastaj me territorin dhe ndërtimet pa leje apo me kuponin tatimor dhe, ende pa marrë frymë mirë, shfaqi simptomat e babait të tij – Sali Berisha, dhe nga jopopullor u bë antipopullor. Pse?

T’i marrim gjërat me radhë. Gjatë këtyre njëzetë e ca vjetëve që merrem me gazetari, gjithmonë e kam pyetur veten, por kam pyetur edhe politikanë të të gjitha niveleve se përse nuk bëhet evidentimi real i popullsisë shqiptare. Nuk e kam fjalën për censusin që Genc Pollo dhe Berisha e përdorën për të kriminalizuar politikën shqiptare, e kam fjalën për një projekt serioz që të niset nga ideja që të njohë Shqipërinë dhe banorët e saj, të njohë sa familje banojnë në këtë vend.

Ky projekt serioz duhet të niste nga qëllimi sublim për të përcaktuar nivelin e varfërisë në këtë vend dhe për të vendosur se sa do të jetë kufiri i tij. Pra, çfarë e pengon këtë shtet që të numërojë se sa familje banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të bëjë një hartë të nivelit të tyre ekonomik, sipas çdo njësie banimi. Ne jemi më pak se 3 milionë banorë dhe ende nuk e dimë sesa familje apo sa njerëz të vetmuar banojnë në këtë vend dhe me çfarë të ardhurash jetojnë. Pasi të kishim një hartë të tillë, do të bënim më pas renditjen sipas nivelit ekonomik nga ata me asnjë të ardhur deri te miliarderët e këtij vendi. Pas kësaj do t’ua shpallnim shqiptarëve të vërtetën dhe do t’u thoshim se në këtë vend jetojnë kaq familje pa asnjë të ardhur, kaq të tjera me fare pak e kështu me radhë.

Unë nuk e di se si mund të ndihmoheshin shqiptarët e varfër dhe çfarë përgjegjësish mund të marrim ne të tjerët për ta. Por unë di këtë tjetrën.

Qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk interesohet për të bërë këtë vlerësim, por as nuk do t’ia dijë fare se çfarë niveli të varfërisë duhet të ruajmë në këtë vend. Sapo erdhi në pushtet, Edi Rama u soll si çifligar i një cepi të humbur të Ballkanit dhe kreu reforma që nuk do të kishin kurajë t’i bënin as Norvegjia dhe as Zvicra. Ka tre vjet që harxhon miliarda lekë apo qindra miliona euro për të rikonstruktuar godinat e qeverisë. Ka vendosur të ndërrojë flotën e automjeteve qeveritare sikur të ishte Mugabe dhe kulmi pastaj është reforma e kontrollit falas që na kushton ne të gjithëve 10 milionë euro në vit dhe që do të vazhdojë dhjetë vjet. Vendi më i varfër në Europë, vendi me numrin më të madh të emigracionit për frymë popullsie qeveriset nga një kryeministër që i shpenzon paratë e këtij vendi të mjeruar për të rregulluar zyrat, godinat, për të blerë makina luksoze dhe për një shërbim që është kriminal nga mënyra se si është servirur.
Pse?

Shtresa 40-60 vjeç ku bëj pjesë edhe unë, nuk është ajo që meriton më shumë vëmendje se fashat e tjera të shoqërisë. Nga pikëpamja ekonomike, kjo shtresë i ka mundësitë që të bëjë një chek-up në vit dhe sa i takon gjendjes shëndetësore të popullsisë, nuk është kjo shtresë prioritare. Prioritare janë spitalet që janë në gjendje skandaloze, janë të varfrit e këtij vendi që nuk mjekohen dot dhe që kanë nevojë për shërbime falas, janë të porsalindurit dhe nxitja e lindjeve në një vend që po plaket me shpejtësi. Reforma të tilla për zgjatjen e jetës si kjo e chek-up-it falas është një reformë cinike që favorizon një kategori të caktuar në mënyrë abuzive dhe bëhet zakonisht në vende të pasura në të cilat problemi kryesor është zgjatja e jetës. Ndërsa ne jemi vendi më i varfër në Europë dhe kemi nevojë të sigurojmë jetën në fillim, pastaj ta zgjasim atë. Këtij qëndrimi kriminal dhe antipopullor të qeverisë së Edi Ramës i shtohet edhe një shpenzim tjetër. I kini parë ato koncertet apo manifestimet madhështore që bëhen me qendra audio e video të mëdha? Vetëm për një prej tyre, kjo qeveri, për vitet 2014-’15 ka harxhuar 1.4 miliardë lekë. Këtë mund ta verifikoni lehtësisht te Open Data-pagesat e thesarit për kompanitë “Prosound”, “Balkan Gesture” apo “Screen Ad”.

Tash në fund po qarkullon dhe një lajm tjetër që ministrja Gjermeni i ka dhënë një kompanie këtu në Shqipëri plot 450 mijë euro për të bërë 20 spote për turizmin. Pra, siç shihet, qeveria e sotme ashtu si ajo e djeshmja, kanë fytyrën arrogante të qeverive antipopullore, që i shpenzojnë paratë publike për t’i vjedhur me klientët e tyre, për zyra e makina dhe për të bërë propagandë me studio që paguhen më shumë se në një koncert të Madonës. Një nga këto studio, në një koncert vetëm për një natë, ka marrë plot 200 milionë lekë. Kjo është qeveri antipopullore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button