Te ndryshme

E vërteta: kriza e moshës së mesme nuk ekziston

Në një pikë të jetës, zakonisht mes moshës 45 dhe 55 vjeç, vjen një moment që shumë e quajnë “kriza e moshës së mesme”, ajo që vë në dyshim siguritë e përhershme. Por a është kjo një etapë e pashmangshme apo thjesht një mit?

Sipas studiuesve të universitetit “Alberta” në Kanada, të cilët kanë kryer një studim prej 25 vitesh, bëhet fjalë për një shpikje: jo vetëm që nuk ekziston një krizë e moshës së mesme, por madje është provuar se personat e moshës së mesme janë edhe më të lumtur në krahasim me të rinjtë.

Studimi, i titulluar “Up, Not Down” (Çohu mos u ul), i publikuar së fundmi në revistën “Development Psychology”, vë në diskutim vizionin e zakonshëm të jetës, si një kthesë në formën e shkronjës “U”, në të cilin mund të preket pika më e ulët e gjysmës së ekzistencës vetjake.

Sipas studiuesve, në të kundërt, lumturia do të ishte pjesë e një rrugëtimi “drejt lartësisë”, e cila nis në 20 vjeç ose pas adoleshencës. Studiuesit kanë ndjekur dy grupe kanadezësh: njëri përfshinte persona të moshës nga 18 deri 43 vjeç dhe tjetri nga 23 deri 37. Sipas rezultateve, në të dyja grupet, lumturia rritej drejt të 30-tave, me një tendencë për t’u ngjitur gjatë viteve në avancë.

Ndër të tjera, adoleshentët kanë rezultuar të jenë më pak të lumtur sesa 40-vjeçarët.

“Të diturit se në cilën moshë njeriu mund të jetë i lumtur është e rëndësishme, sepse lumturia është e lidhur me pritshmëritë e jetës, me mirëqenien. Të lumturit i kushtojnë më pak sistemit të shëndetësisë dhe mbarë shoqërisë”, shpjegon profesoresha Nancy Galambos, njëra prej autoreve të studimit.

Kur fillon vërtet mosha e mesme?

Hulumtimet e fundit kanë treguar se mosha e mesme në të vërtetë fillon në moshën 53-vjeçare dhe jo 41-vjeçare, siç ishte menduar më parë. Në moshën e mesme njerëzit kënaqen me dremitje, zgjedhin rehatinë dhe psherëtijnë kur shtrihen, thonë 2.000 njerëz. Si shenja të tjera janë përmendur pushimet e gjata përfshirë udhëtimet e gjata me anije nëpër det, si dhe kalimin e mbrëmjeve në atmosferë të qetë dhe relaksuese. Studimi, në të cilin janë anketuar 2000 të rritur, tregoi se gjysma e atyre që kanë më shumë se 50 vjeç nuk i ndiejnë simptomat e moshës së mesme. Çdo tre nga 10 të anketuar deklaruan se termi “moshë e mesme” është më i vështirë për t’u shpjeguar sesa më parë, dhe se kjo është një gjendje e mendjes dhe jo ndonjë kthesë fizike. Më shumë se gjysma kanë thënë se besojnë te kjo moshë, si një fazë e jetës. Kur u pyetën që t’i përshkruajnë shenjat e moshës së mesme, shumica e tyre përmendën frustrimin lidhur me përdorimin e teknologjisë moderne, harresën e emrave të njerëzve dhe mendimin se mësuesit, mjekët dhe policët duken shumë të rinj. Blerja e ëmbëlsirave për rrugë dhe pirja e çajit në udhëtime ditore gjithashtu konsiderohen shenja të moshës së mesme. “Britanikët me fat e kanë shmangur idenë tradicionale të moshës së mesme, pasi linja midis rinisë dhe moshës së vjetër është mjegulluar. Njerëzit i kthehen një mënyre më të shëndetshme jetese, dhe tashmë nuk ka rëndësi sa vjeç jeni, por sa ndiheni të rinj. Pra shumë persona nuk ndihen më të vjetër në të 50-at e tyre. Termi mosha e mesme ka domethënie gjithnjë e më të vogël”, theksoi Paul Keenan, drejtor i Institucionit Shëndetësor Benenden në Angli, i cili kishte kryer kërkimet. Hulumtimi tregoi se njerëzit ndiejnë se ata kanë hyrë në një fazë të re të jetës kur mbushin 50 vjeç dhe jo 30 ose 40. Gjithashtu, 84 për qind kanë deklaruar se ata do të fillonin të plakeshin në momentin kur do të fillonin të ndiheshin të vjetër, dhe se lumturia është e lidhur drejtpërdrejt me shëndetin dhe pamjen. Sëmundjet dhe humbja e kujtesës theksohen si gjërat nga të cilat frikësohen më së shumti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button