Libri

“Xhamilja” ose puropoetika

Dashuria në letërsi, një megatemë komplekse apo aq e thjeshtë dhe e kapshme siç na e rrëfen shkrimtari kirgizian, Xhingis Aitmatov, me novelën e tij “Xhamilja”!

Nga Xhemal Ahmeti

“Betohem, është historia e dashurisë më e bukura në botë.” Kjo fjali e poetit francez Louis Aragon, qëndron në kopertinën e çdo botimi të novelës “Xhamilja” të shkrimtarit kirgizian Xhingis Torekuloviç Aitmatov. Është vërtet rrëfimi më i bukur i globit apo kemi të bëjmë, siç pandehte kritika e kohës, një aksion i mjerë i komunistit perëndimor (Aragon) për ta piedestalizuar me çdo kusht artin socrealist sovjetik (të cilës rrymë i përkiste edhe vetë) nëpërmjet yllit të saposhfaqur brenda institutit “Gorki” (Aitmatov).

Vërtet si duken Xhamilja dhe Danijari nga katundi stepor Aul përballë megarrëfimeve, romancave si ai i Karitonit nga Afrodizia për Kairean dhe Kalliroen (shekulli i parë para erës sonë); si ai i Akilit të Taitosit mbi Leukipen (shek. II); Longusit mbi Dafnën (shek. III); Maxhnunit mbi Lailan (shek. VII); si duket Xhamilja përballë Lotte-s së Goethes, Jane Eyre-s së Brontës, si duket Danijari përballë Adam Bede-s së Eliotit, Doktor Zhivagos së Pastërnakut e sidomos Werther-it dhe gjithë atyre figurave monumentale e të shumta të letërsisë universale? Pikërisht ky ekskursion imi, i cili u nxit automatikisht pas kërkesës së kryeredaktores së revistës “Saras”, Alda Bardhyli, për të shkruar mbi romancën më të pëlqyer, respektivisht dashurinë në letërsi, është edhe defekti, gabimi që ne bëjmë sa herë kur përballemi me dashurinë si megatemë të kështuqenies së humanitetit. Ne menjëherë i përvishemi rrugëtimit, historisë së letërsisë, mitologjisë, doktrinave, psikologjisë, teologjisë, filozofisë, arteve e biologjisë, duke kërkuar shembuj krahasues për ta shpjeguar një dashuri që ipso facto saora e humb autonominë, origjinalitetin dhe falsifikon perceptimin tonë ndaj saj, ngase e lexojmë me kode të huazuara historish, rrethanash e frymësh të tjera dashurie. Këtë gabim si duket nuk e ka bërë Aitmatov gjatë vendimit për ta shkruar “Xhamiljen” si temë diplome në institutin “Gorki”. Nëse e ka bërë me program, atëherë e ka njohur poezinë manifest “Ango Laïna” të gjermanit Rudolf Blümner (1921), nëse e ka shkruar drejt nga fryma, ndjenjat e në letër, dhe kështu duket pa kërkuar imitate e referenca, atëherë ka kuptuar çelësin, të cilin nuk e kanë kapur autorë edhe shumë “më të mëdhenj” se ai të letërsisë universale.

RRËFIMI

“He Danijar, thuaja këngës edhe ti njëherë! Je xhigit apo çka” e nguc Xhamilja e martuar me Sadikun, veteranin tashmë sakat e në front, pa e ditur se zëri i tij, kënga e Danijarit, do ta tjetërsojë atë deri në qelizat më subkutane të frymës dhe shpirtit; pa e ditur se “vaji” i tij për dashurinë dhe atdheun do t’ia “çrregullojë” jetën, do ta detyrojë të shtegtojë drejt zonave përtej stepave aq të dashura të saja. Viti 1941, në fshatin Aul të Kirgisistanit. Shumica e meshkujve janë në luftë. Ashtu si burri i saj, Sadiku, i cili Xhamiljen e ka rrëmbyer në shenjë hakmarrjeje, pasi e fundit e turpëron (e fiton) në një garë vrapi me kuaj. Kështu e ka dashur tradita. Osmoni, brigadieri sovjetik kërkon që Xhamilja, po si xhigitët (meshkuj të rinj, të aftësuar për të mbajtur familjet, zëvendëspatriarkësh të “vërtetë”) të udhëheqë një grup që me karroca bartin drithë për në stacionin më të afërt hekurudhor – furnizim për ushtarët në front. Në grupin e saj, sipas kërkesës së familjes, është edhe Saidi 15-vjeçar, i cili caktohet si truproja e nuses pa burrë. “Ti je përgjegjës për të” i thotë nëna, matriarkja e familjes së madhe, të riut. Është po ky Saidi, nëpërmjet të cilit Aitmatov rrëfen historinë e fshatit stepor, ku jetojnë familje postnomade në kufi me Kazakistanin.

Dashuria ndërmjet Xhamiljes bëhet manifeste sapo Danijari ia kris këngës në të kthyer nga stacioni ku kanë shkarkuar drithin. Saidi që e ndien këtë më shumë, shpreson që t’i shohë të bashkuar sesa larg njëri-tjetrit. Pse kështu? A nuk është kjo kundër përgjegjësisë së tij? Atij, Saidit, i është fiksuar në shpirt e tru piktura. Ai do me çdo kusht që t’i vizatojë të dy bashkë, trupëlëshuar, njërin mbi tjetrin, ashtu siç derdhen dy dashnorë në çastet e tyre më romantike. Dhe kjo ndodh. Edhe më shumë: Saidi, Xhamilja dhe Danijari flenë bashkë në një kasolle me kashtë, kështu që një natë, kur jashtë natyra bën kërdinë me shtrëngata e rrëmujë, ky dëgjon dialogun, nëpërmjet të cilit beson ta ketë kuptuar njëherë e përgjithmonë esencën e të dashuruarit. Të nesërmen ai mezi gjen letrën dhe bën vizatimin e tij të parë, të cilin e fsheh menjëherë. Në njërin nga mëngjeset e bukura të Aulit nënstepor, Saidi sheh se si Xhamilja dhe Danijari me nga një trastë plaçkapakë largohen nga Auli. Ai u vrapon pas. Deri në lumin e afërt ku shtrihet përtokë duke qarë. Ato çaste kupton Saidi i mitur se edhe vetë është dashuruar në Xhamiljen aq jokonvencionale, kokëfortë, të bukur dhe plot energji jete. Nuk i ndjek më tej. Kthehet në shtëpi. Sadiku tashmë i kthyer nga lufta mban vizatimin e tij në duar dhe i bërtet: “Kush është ky”? Danijari – ia kthen Saidi indiferent. “E ke ditur ti tërë kohën”?, e pyet nëna. “Po”, thotë Saidi dhe mbështetet te koftori. Akuzave të nënës dhe Sadikut u jep fund me kërcënimin e vendosur: “Do t’i vizatojë përsëri”!

RECEPCIONI

Menjëherë pas botimit të novelës në gazetën “Nowy Mir” (1958) të Moskës, Aitmatov pranohet në elitën e shkrimtarëve sovjetikë. Në Gjermaninë socialiste botohet libri, u urdhërohet shkollave si lekturë e obligueshme. Kështu ndodh edhe në shtete të tjera socialiste. Në vitin 1969, “Xhamilja” bëhet film në BS. Edhe përtej zonës së çekanit e draprit të kuq, novela përkthehet në dhjetëra gjuhë. Po si Werther-it dikur që imitohej nga gjermanët ashtu edhe Xhamilja shndërrohet në ikonë të femrës drejt emancipimit. Ideologjikisht sovjetikët e përdornin Xhamiljen edhe për të ndikuar në etnitë e ndryshme, për “t’i çliruar” ata nga religjionet, traditat dhe normat e tyre që i konsideronin refraktare, primitive dhe jokompatible me “Njeriun e ri” të realizmit socialist. Edhe pse me të drejtë kritika si ajo perëndimore ashtu edhe ajo lindore e vulosën si veprën më joideologjike të mundshme: po të mos shfaqej dy tri herë Osmoni në novelë, lexuesi as që e merr vesh se Kirgistani gjendet në zonën sovjetike. Aitmatov ka përjashtuar çdo gjë të mundshme ideologjike e referenciale për të mbrojtur pastërtinë, unikatësinë e rrëfimit të tij mbi dashurinë e dy dashnorëve të fshatit Aul dhe me këtë rikthehemi te çështja se çka të bëjë Aitmatov me aksionin poetologjik të shkrimtarit gjerman Rudolf Blümner, respektivisht manifestin e tij “Ango Laïna”.

PUROPOETIKA

“I éja / Alo /Myu… Schjatt / Ui ai laéla – oía ssísialu /… Iná/ Leíola/ Kbaó/ Sagór/ Kadó…“, kështu duken vargjet e poezisë “Ango Laïna” të Blümner-it. Ç’gjuhë qenka kjo? Nuk është gjuhë. Janë kombinime të rastësishme konsonantesh e vokalesh me synimin e qëllimshëm për të krijuar një atak antisemantik, për të çliruar aktin artistik nga referencat, asociacionet, për ta alarmuar recipientin që ta lexojë atë nga një gjendje karteziane (i çliruar nga çdo dije e përvojë dhe i përqendruar ekskluzivisht vetëm në atë që dëgjon, lexon në çastin konkret). Blümner do art, ku fryma e autorit nuk del si sumarium dromcash historike, të huaja, të lexuara; ai proteston kundër kolazheve dhe kompilimeve që kanë shndërruar artin vetvetiu në një zeje të kombinatorikës vetëriprodhuese. Për dallim nga shkencat, arti, sipas kësaj teorie, duhet të mbetet zonë e paprekshme frymësh origjinale dhe të pafalsifikueshme.

Këtij parimi blümnerian i përmbahet Aitmatov në novelën “Xhamilja”. Ai rrëfen Xhamiljen në mënyrë të pakrahasueshme me Lotten e Gjermanisë apo me Kairean apo Dafnen e Antikës. Ai përshkruan Kirgizinë pa i ndërtuar ndonjë agorë apo arenë fiktive që të na lidhë si lexues nëpërmjet asaj që kemi të arkivuar në kujtesën tonë si kod identifikimi për të shpjeguar botën. Xhamilja është njëra nga rrëfimet (nuk e teprojmë si Aragoni) më të bukura të dashurisë, ngase autorit të saj i ka interesuar të shpalojë vetëm ndjenjat e tij origjinale, të përshkruajë ashtu siç sheh e përjeton ai botën, vendin e tij, njerëzit e jo ashtu siç kanë parë e ndier idhujt e tij. Art pur pra!

Jeta

Aitmatov ka lindur në veri të Kirgisistanit, në fshatin Sheker. I ati i të cilit ishte një kohë sekretari i dytë i Partisë Komuniste të Kirgizisë, por që Stalini më vonë e pushkatoi, për shkak të “nacionalizmit të tij borgjez”. Deri para pranimit në klubin kryesor të autorëve sovjetikë, Aitmatov punonte në institutin e medicinës veterinare të kësaj republike. Thuhet se ka pasur ndikim të madh, si deputet i sovjetit të lartë, në nxitjen e perestrojkës. Vdes në vitin 2008 në Nuremberg të Gjermanisë. Vepra të njohura të tij janë edhe: “I riu dhe deti”, “Drama e Kasandrës”, “Leopardi i borës” dhe të tjerë.

Shënim: Për këtë ese është rilexuar “Xhamilja” në gjuhën gjermane, botimi i 1988-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button