Politika

Seanca e parë parlamentare për vitin 2016: Meta, Kryeprioritet reforma në drejtësi

aaaËshtë sesioni i parë për vitin 2016, por i gjashti për legjislaturën e tetë në vend. Që në fillim u tha kryeprioriteti i këtij sesioni nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

«Besoj se me bashkëpunimin tuaj konstruktiv dhe gjithëpërfshirës gjatë këtij sesioni do të përmbyllim me sukses në radhë të parë miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi përmes një procesi konstruktiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare dhe në veçanti të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.Besoj se kërkesa mbarëqytetare për një shkundje të thellë për të ndryshuar me themel gjendjen e sistemit të drejtësië dhe ngritjen e tij në parametrat e duhur të integritetit profesional dhe moral që kërkon shoqëria dhe integrimi europian i vendit do të na motivojë të gjithëve për të përmbushur me sukses këtë mision të rëndësishëm dhe për tu dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë që ata kërkojnë dhe meritojnë. Ndaj besoj se reforma në drejtësi do jetë kryeprioriteti i këtij sesioni. Njëkohësisht fillimin e  punës dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore në kodin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR »- tha Meta.

Për Partinë Demokratike ky vit nuk ndryshon nga ai që lamë pas, madje as këndvështrimi i demokratëve për kreyministrin rama dhe refomën në drejtësi që kërkon kapjen dhe përdorimin e drejtësisë për interesa të tij dhe kjo e ka një arsye sipas Palokës.
« Arsyeja pse ai kërkon të kapë drejtësinë është mbrojtja e kriminelëve dhe të korruptuarve nga ai i pari, nga ana tjetër përdorimi i drejtësisë si mjet kërcënimi dhe shantazhi jo vetëm ndaj opozitës dhe kundërshtarëve të tij politik dhe personal por edhe ndaj aleatëve të tij.Për këto arsye ai nuk kërkon dhe as pret konsensus, për këto arsye në mënyrën më absurde i kërkon Venecias të japë dhe njëherë mendim, mendim që ky komision tashmë e ka dhënë por Ramës nuk i ka pëlqyer. A thua se Komisioni i Vencias është Asambleja e PS që shtyn Kongresin sa herë t’ia kërkojë Rama. Garantoj qytetarët shqiptarë se opozita pavarësisht numrave në parlament do vazhdojë ti qëndrojë parimeve të saj »- u shpreh Paloka.
Edhe zgjidhja që ofrojnë është e njëjtë.
« Garantoj qytetarët shqiptarë se opozita pavarësisht numrave në parlament do vazhdojë t’i qëndrojë parimeve të saj. Ne do kërkojmë që jo vetëm dekriminalizimi i parlamentit dhe administratës shtetërore por dhe një reformë e qenësishme në drejtësi realizohet ashtu si e kërkon shumica e qytetarëve shqiptarë. E nëse këtë nuk e bën dot ky parlament që në fakt është në konflikt interesi nga kjo mazhorancë, atëherë parlamenti që do dalë nga zgjedhjet e parakohshme do ti realizojë plotësisht këto reforma dhe të tjera. Ky është sot një tjetër premtim që bën PD për shqiptarët. Çdo ditë e më shumë me këtë qeveri është një ditë edhe më e zezë për shqiptarët. Do vazhdojmë çdo përpjekje për ti dhënë fund këtij tmerri pa fund e për të shkuar një orë e më parë në zgjedhje me një qeveri teknike.
Ndryshe e përshkruan kryetari i grupit parlamentar socialist sesionin që lamë pas dhe për këtë i referohet shifrave.
« Janë bërë 129 orë e 45 minuta debat, kanë diskutuar mbi 509 diskutantë, prej 5 sezoneve hapësirat për fjalën e opozitës kanë qenë periodikisht më të mëdha sesa ato të mazhorancës, ku opozita ka folur 55 orë ndaj 53 që ka folur mazhoranca. Së dyti, parlamenti është vendi ku bëhen ligjet, hartohen, diskutohen, propozohen dhe miratohen. Gjithsesj janë miratuar 62 ligje, të rëndësishme sic është ai i buxhetit të shtetit, sigurimin shëndetësor e shoqëror, taksat vendore e kombëtare, akcizat, ligji i vetëqeverisjen vendore dhe trajtimit të pronës dhe përfundimit e procesit të kompensimit, apo garantimin e integriteteit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike. Ratifikimi i marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, me BE, SHBA, Bankën për Zhvillim, BERZH, Japoninë, Gjermaninë, vende fqinj e shumë të tjera :- theksoi Ruçi.
Që ky sesion i ri të mos jetë i njëjtë me të kaluarin, Ruçi ka dy kërkesa: « Të zbatohet rregullorja e Kuvendit që secili t’i nënshtrohet procedurave dhe të përdoren të gjithë instrumentet që të justifikojnë atë që ne jemi këtu dhe për atë që na kanë zgjedhur zgjedhësit tanë.”
Seanca hapëse njoftoi aktet normative të depozituara në kuvend, miratimin e programit të punës së parlamentit për periudhën 18 janar-28 shkurt dhe të kalendarit 3 javor të punimeve për periudhën 18 janar-5 shkurt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button