Kronika

Nëna e dhëndrit: Vajza përdorej nga autori i vrasjes si shërbëtore

Dëshmia

Merushja i shërbente dhe ai pretendonte se nuk ishte pyetur për miqësinë e re

Nena e dhendritNëna e Viktorit, Tefta, ka treguar për gazetën se si dy familjet nisën miqësinë mes tyre, që për njërën palë përfundoi në tragjedi. Ajo ka sqaruar se ka qenë burri i hallës së vajzës, Kadriu, ai i cili u kishte sugjeruar se mbesa e gruas së tij përshtatej mjaft mirë me Viktorin. “Këto biseda janë bërë një javë më parë. Të dielën vendosëm që të bënim njohjen dhe dy të rinjtë u pëlqyen mes tyre duke na gëzuar pa masë. Vajza ishte e mirë dhe më hyri edhe mua në zemër, dukej e thjeshtë dhe punëtore. Djali donte të shkonte sërish në Itali, prandaj e vendosëm që të martën (dje) të bënim një vizitë në shtëpinë e vajzës, pa shumë bujë, pa shumë harxhe, thjesht për ta zyrtarizuar lidhjen. Por babai i vajzës, Xhemali, këmbënguli që të qëndronim për më tepër se një vizitë duke na thënë se e kishte gëzimin e parë”, ka thënë ajo. Më pas, Tefta shpjegon se kishte dëgjuar edhe për konfliktet që kishin lindur mes Bajramit dhe Xhemalit për këtë fejesë. “Kishim mësuar diçka për këtë konflikt edhe ne. Kishim dëgjuar që vëllai i tyre, Bajrami, nuk e kishte pëlqyer këtë fejesë duke pretenduar se nuk e kishin pyetur, nuk i kishin marrë mendim. Madje kishte shkuar deri atje sa donte ta prishte këtë fejesë dhe e kishte deklaruar këtë gjë. Me aq sa di unë, dje (të hënën, pas pëlqimit të dy të rinjve, ka ardhur disa herë te shtëpia e Kadriut, lajmësit që është dhe kunati i tij, por nuk e ka gjetur aty, pasi ka qenë në punë. Ka shkuar që të bënte llafe me Kadriun e me të motrën, duke u thënë se e kishin lënë pas dore”, ka pohuar Tefta. Ajo shton se me çfarë kishte dëgjuar prej hallës së 17-vjeçares, Merushja kujdesej për Bajramin në çdo kohë, duke i bërë kafe, duke i gatuar, pasi bashkëshortja e tij jetonte më shumë në Greqi tek e bija se sa në Shqipëri. “Ndoshta, fakti që Merushja do të fejohej e nuk do të mund t’i shërbente më si më parë, e ka nxehur. Nuk di se çfarë të them, jam e shokuar. Me sa kam pyetur pas ngjarjes, kam mësuar se Bajrami nuk shkonte mirë me dy vëllezërit e tjerë që i vrau me dorën e tij, por arsyet i dinë vetëm ata. Nuk më intereson dhe nuk dua të përzihem në punët e tyre. Më vjen keq dhe jam e tronditur për atë që u ndodhi, por tani duhet të kujdesem për djalin tim, i cili u lëndua në një kohë kur priste lumturinë. Familjes së tyre u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta, është një tragjedi që nuk mund të përshkruhet”, përfundon Tefta Muhametaj. Familja Muhametaj banon në fshatin Drizë të Komunës Qendër në Rrethin e Fierit. Prej disa vitesh kryefamiljari, Gëzim Muhametaj, ka ndërruar jetë dhe peshën e familjes prej atëherë e mban bashkëshortja e tij, Tefta, nëna e dy djemve. Djali i madh i saj është martuar dhe jeton me bashkëshorten në Itali, ndërsa djali i vogël, Viktori, nëpërmjet mblesërisë, kishte vendosur të lidhte jetën e tij me Merushe Vrapin, një vajzë 17-vjeçare nga fshati Suk i Fierit që u masakrua ditën e fejesës nga xhaxhai i saj. Dy të rinjtë e kishin nxituar fejesën, pasi Viktori duhej të kthehej në Itali këto ditë. E. Hoxhaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button