Te ndryshme

Dashuria toksike e qytetit indian për makinat

Qytetarët e Delhit nuk i pëlqejnë rregullat. Kudo në Indinë Veriore ka një shpërfillje të madhe për rregullat e trafikut.

Eksperimenti, që do të zgjaste vetëm 15 ditë, kishte si synim që vetëm makinat me targë teke të qarkullonin në ditët teke të muajit dhe ato me targë çift në ditët çift të muajit. Teorikisht, trafiku dhe çlirimet e gazeve do të përgjysmoheshin.

Por së pari, u përjashtuan femrat për shkak të rregullave të sigurisë. Sipas policisë, të paktën pesë gra përdhunohen në Delhi çdo ditë.

Pastaj doktorët, avokatët dhe gjykatësit lobuan për përjashtim, por atyre nuk iu dha e drejta.

Dhe si zakonisht, një listë e gjatë zyrtarësh, përfshirë kryeministrin e Indisë, presidentin, shefin e drejtësisë dhe liderët e opozitës u përjashtuan duke ia ulur shumë vlerën eksperimentit përpara se të fillonte.

E gjitha kjo, pavarësisht faktit se një gjykatës tha se jetesa në Delhi ishte si ajo brenda një dhome me gaz vdekjeprurës.

Pati edhe shqetësime për ligjshmërinë e eksperimentit.

Shumë njerëz theksuan se Delhi ka shumë pak transport publik. Ka më pak se 5000 autobusë për një popullatë prej mbi 16 milionësh. Londra, me gjysmën e popullatës, ka dyfishin e autobusëve.

Për të lehtësuar barrën, shkollat u urdhëruan të qëndronin të mbyllura për një javë shtesë.

Dhe shoferët e skuterëve dhe motoçikletave u përjashtuan, pavarësisht faktit se ata ndikojnë ndjeshëm në ndotjen e ajrit.

Në ditët që pasuan eksperimentin, gazetat raportuan se për më pak se 30 cent amerikane, klientët mund të blinin ngjitës për të mashtruar me numrin e targave.

Dukshëm, qytetarët nuk e shohin ajrin e ndotur si një problem të tyrin. Pavarësisht polemikave, liderët e qytetit i qëndruan të vetes duke këmbëngulur se më 1 janar, kushdo që kapej duke i dhënë makinës në ditën e gabuar do të përballej me gjobë të ashpër. Por mund të ketë sukses një skemë e tillë?

“Disa orë përpara se të fillonte, unë dhe bashkëshorti im dëshmuam një trafik që tregonte për planifikimin e keq dhe shkeljen e rregullave të Delhit”, – shkruan gazetarja e BBC, Anu Anand.

Trafiku ishte i rëndë edhe po ta krahasoje me situatën e zakonshme të Delhit. Për 90 minuta makinat nuk lëvizën dhe tymuan në ajër gazet e çliruara nga djegia e benzinës, vetëm disa minuta larg në këmbën nga një prej rrugëkalimeve kryesore të pjesës verilindore të qytetit.

Policia qëndroi pa bërë gjë ndërsa të pasurit me Lamborghini dhe BMW i nganë makinat e tyre në kundërvajtje, disa ngjitën trotuaret dhe të tjerë u përpoqën të ktheheshin në hapësirat më të vogla të mundshme.

Kështu shpërthyen boritë me decibel të lartë, xhirimet e gomave dhe më gangsterët ndër të rinjtë i lanë makinat për t’u grindur me shoferët e tjerë.

Rezultati ishte një trafik që shtrihej në çdo drejtim.

“Kjo mendësi në rrugë është një budallallëk”, – i tha gazetarja bashkëshortit.

Por pastaj, në ditën e parë të 2016-s, diçka krejt e paimagjinueshme ndodhi. Atë mbrëmje, rruga me gjashtë korsi në hyrje të qytetit ishte e mbushur me makina me targa teke. Përveç disa shkelësve të ligjit, shumica e targave ishin sipas rregullave.

Edhe të nesërmen dhe në ditët në vijim, trafiku u pakësua ndjeshëm. Njerëzit ndanë këshilla si të përdornin transport të përbashkët apo të shmangnin udhëtimin njëherësh.

Papritur, një udhëtim nëpër qytet bëhej për vetëm 20 minuta në vend të 80 minutave. Rrugët ishin më të lira, makinat në pozicione më të rregullta.

Për më tepër, boritë ishin pakësuar dhe për vendasit nuk ishte viti 2016, por vitet 1990 kur shumë pak makina qarkullonin në rrugë.

Sistemi metro i qytetit pati një rritje të ndjeshme të pasagjerëve. Autobusët gjithashtu ishin më të mbushur se zakonisht. E gjitha kjo duhej t’i kishte dhënë qytetit një frymë ajri të freskët, por për fat të keq, ndotja u ngjit në javën e parë në nivele përtej monitorimeve të mëparshme.

Kudo në Indinë Veriore ka dhjetëra mënyra të lidhura ngushtë me stilin e jetesës që i bëjnë njerëzit të ndotin ajrin dhe që nuk lidhen domosdoshmërisht me qarkullimin rrugor. Eksperimenti pati një rezultat pozitiv, pasi tregoi se qytetarët dinë ta respektojnë ligjin në Indi dhe pavarësisht natyrës së tyre antiautoritare ata mund të ndjekin rregulla të reja për të përmirësuar jetën e tyre, për të pasur një vend ku mund të jetojnë dhe marrin frymë.

Megjithatë rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekologjisë është më e gjatë dhe më e vështirë se kurrë.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button