Ekonomia

Kushtet e reja, 1 vit afat karburanteve, ja cilat prishen

Lejohet vetëm nëse kthehen në komplekse shërbimi. Distanca minimale mes tyre 15 km

Ambientet – Zona e shërbimit duhet të ofrojë: stacion furnizimi me karburant dhe lubrifikantë, asistencë mekanike, parkim mjetesh, tualet.

Sinjalistika – Duhet të pajisen me sinjalistikë për kufizim shpejtësie, për drejtimin e lëvizjes, për parkimin, për shërbimet.

Bateritë – Duhet të kenë vendin e ngarkimit të baterive për mjetet elektrike. 2 vjet afat për përmbushjen e detyrimit

Nga Zamir Alushi

karburantet 1

Karburantet fshihen nga rrugët dhe lindin komplekset e shërbimit. Me ndryshimet që bëri dje qeveria në vendimin “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të RSh”, nuk fiksohen rregulla strikte, të cilat shumë pak pika karburanti mund t’i plotësojnë. Pra, rreth 1300 pika furnizimi me karburant që ka vendi, do t’i nënshtrohen testit për kriteret e reja teknike. Afati për të marrë titullin “zonë shërbimi” është 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Kush firmos? Ngarkohen Ministria e Transportit, organet e pushtetit vendor dhe entet pronare të rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Zonat e shërbimit

Ndryshimi i parë dhe thelbësor në vendim, në zbatim të nenit 24 të Kodit Rrugor, ka të bëjë me përfshirjen e karburanteve në zonat e shërbimit. “Impiantet e shpërndarjes së karburantit llogariten si pjesë e zonës së shërbimit. Ato, përfshirë dhe vendet e ndalimit, nuk duhet të zënë në asnjë rast karrexhatën”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Ndërkaq shfuqizohet pika 14 e vendimit ekzistues me titull “Furnizimi me karburant”. Gjithashtu, tabela e karakteristikave konstruktive, teknike dhe funksionale, të rrugëve sipas klasifikimit të manualit të sinjalizimit rrugor, bashkëlidhur rregullores, sipas vendimit shfuqizohet. Kombinimet kryesore të zonave të shërbimit  mund të jenë: stacion furnizimi + bar kafe; stacion furnizimi + servis; stacion furnizimi + bar kafe+servis; stacion furnizimi + restorant; stacion furnizimi + restorant + servis; stacion furnizimi +restorant+hotel+servis.

Zonat e shërbimit nuk duhet të pengojnë qarkullimin dhe të kufizojnë fushëpamjen. Sipas vendimit të qeverisë, ato duhet të jenë të vendosura në vende të përshtatshme, duke përfshirë hapësirën për mjetet në lëvizje dhe ato të ndalura, të pajisura me korsi për rritje dhe ulje shpejtësie në hyrje dhe dalje. Këto zona në rrugët e reja duhet të jenë pjesë përbërëse e projektit rrugor dhe duhet t’u përgjigjen kërkesave të sigurisë dhe rrjedhshmërisë së trafikut. Ato nuk mund të vendosen në afërsi të kryqëzimeve, të vendqëndrimeve të mjeteve të shërbimit publik apo në ato pjesë të rrugës me kthesë dhe me dukshmëri të dobët. Pranë daljeve janë të ndaluara të mbjellat apo tabelat, që pengojnë pamjen e drejtuesve të mjeteve që duan të rifuten në rrugë. Ndërsa, për rrugët urbane, lokale, si dhe ato komunale, impiantet e shpërndarjes së karburanteve duhet t’u përgjigjen të gjitha nevojave që kanë mjetet për rrugëkalim në trotuar. Për këto kushte, zonat e shërbimit të reja dhe ato ekzistuese duhet t’u nënshtrohen procedurave të auditimit dhe inspektimit të sigurisë rrugore, theksohet në vendim.

Përzgjedhja dhe distancat

Subjektet që shfrytëzojnë zonat e shërbimit duhet të pajisen me lejet dhe autorizimet sipas legjislacionit në fuqi. Ndërkaq, ato vendosen në rrjetin rrugor duke respektuar distancat. Për autostradat, minimumi 15 km dhe maksimumi 60 km nga aksi i simetrisë së pompës së furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës së mëpasshme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes, përcakton vendimi. Për rrugët interurbane kryesore, vendimi cakton minimumi 10 km distancë mes pompave të karburantit. Ndërsa për rrugët interurbane dytësore, distanca mes pompave do të jetë minimumi 6 km. Rrugët urbane kryesore kanë tolerancë më të madhe. Vendimi cakton jo më pak se 500 m midis pompave, por kjo largësi kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal. Për rrugët urbane dytësore dhe lokale, distanca mes karburanteve lejohet jo më pak se 250 m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme. Në autostrada dhe rrugët interurbane, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 10 metra nga kufiri rrugor. Për rrugët urbane dhe komunale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 6 metra nga kufiri i rrugës. Në rrugët lokale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 7 metra nga rruga. Vendimi përcakton se, zonat e shërbimit duhet të respektojnë një distancë prej 30 m nga pompa e shpërndarjes së karburantit deri në çdo pikë të perimetrit të godinave publike, spitale, qendra mjekësore, objekte fetare, shkolla, kopshte, çerdhe, azile, institucione publike, stadiume, godina me vlera historike dhe godina të tjera ku mund të strehohen apo të qëndrojnë mbi 50 persona. Këto zonat duhet të kenë distancë nga kryqëzimet rrugore minimumi 1 km, për rrugët interurbane kryesore, 300 m për rrugët interurbane të tjera, dhe 30 m, për rrugët urbane. Për zonat ekzistuese të shërbimit në rrugët urbane bëhet një përjashtim nga kushti i distancës minimale nga kryqëzimet. Ato shqyrtohen rast pas rasti. Sipas vendimit, nuk lejohet vendosja e zonave të shërbimit në qendrat e banuara me qarkullim të kufizuar të mjeteve apo në rrugët me trafik këmbësorësh e biçikletash dhe rrugë me korsi të ngushta në të cilat pengohet trafiku prej hyrjes dhe daljes.

Sipërfaqja

Karburantet duhet të ofrojnë parkim deri në 2 orë

Sipërfaqja minimale e zonave të shërbimit jashtë qendrave të banuara duhet të jetë 1500 m2 për autostradat, 1000 m2 për rrugët interurbane kryesore dhe 800 m2 për rrugët interurbane dytësore. Në sipërfaqen e përgjithshme të zonës së parkimit duhet që 70% të jetë për parkimin e autoveturave dhe 30% për kamionë dhe autobusë. Zonat e shërbimit duhet të sigurojnë të paktën dy orë të lira parkim për të gjitha mjetet, përdorim pa kufi të tualeteve pa detyrime për shërbime të tjera, akses në të gjitha ambientet për personat me aftësi të kufizuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button