Maqedonia

LSDM: Braktisim qeverinë nëse s’shtyhet data e zgjedhjeve

Ministrat dhe zëvendës ministrat e LSDM-së do të heqin dorë nga postet e tyre në qeverinë teknike nëse deri në ditën e shpërndarjes së Kuvendit, më 24 shkurt, nuk shtyhet data e zgjedhjeve.

Kështu ka vendosur këshilli qendror i Lidhjes Social Demokrate në një mbledhje urgjente, ku përfundimisht është vendosur që partia e drejtuar nga Zoran Zaev të bojkotojë zgjedhjet e parakohshme nëse ato mbahen më 24 prill.

“Muajin e ardhshëm, respektivisht deri në shpërndarjen e Kuvendit mbetemi në institucione, siç e parashikon marrëveshja e 2 qershorit. D.m.th, mbetemi në qeveri, në Parlament për të mos i dhënë asnjë arsye kundërshtarit tonë politik që të na akuzojë se ne e kemi shkelur marrëveshjen. Nëse gjatë kësaj periudhe nuk merret vendim për shtyrjen e zgjedhjeve, këshilli qendror do të shpalosë vendimet e reja që besoj se do të jenë të mirëpritura nga qytetarët”, deklaroi Zaev.

Social demokratët maqedonas thonë se vendi nuk ka nevojë edhe për një proces zgjedhor të manipuluar nga pushteti. Ata insistojnë që të shtyhet data e votimeve pasi vlerësojnë se nuk ka kohë të mjaftueshme për pastrimin e listës zgjedhore dhe për reformimin e mediave.

“Organizimi i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike duhet të jenë prioritet dhe jo data e mbajtjes së tyre. Maqedonisë nuk i nevojiten zgjedhje të parregullta. Prandaj, ndryshimi i datës së zgjedhjeve nuk është dëshirë e opozitës por nevojë për realizimin e plotë të marrëveshjes së 2 qershorit”, tha Zaev.

Nëse nuk shtyhet data e zgjedhjeve, LSDM nuk përjashton mundësinë e organizimit të protestave masive, por kjo gjë do të shqyrtohet nga organet e partisë maqedonase pas shpërndarjes së Kuvendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button