Te ndryshme

Turizëm: 10 gjërat që Meksika i bën më mirë se kushdo

meksikaQë nga ushqimi, muzika, festivalet dhe tekila, meksikanët dinë të bëjnë shumë gjëra më mirë se kushdo

CNN

Festimi i vdekjes

E kush tjetër në botë e kthen këtë ngjarje të hidhur siç është vdekja, në një festival të përvitshëm arti, ushqimi dhe komuniteti? Më 1 nëntor, në Ditën e të Vdekurve, meksikanët krijojnë një kënd të veçantë për personat e dashur që janë ndarë nga jeta. Në të vendosin foto, ushqim, pije, qirinj, ëmbëlsira në formë kafke dhe lule. Sipas besimit, shpirti i fëmijëve rikthehet për të vizituar familjen dhe miqtë më 1 nëntor dhe shpirtrat e të rriturve vijnë më 2 nëntor. Festivalet e Ditës së të Vdekurve mbahen në të gjithë Meksikën.

Bandat muzikore

Nga orkestrat simfonike te bandat e muzikës ‘soul’ dhe R&B me trombë, të gjithë i duan muzikantët. Tromba është zemra e traditës dhe muzikës meksikane. Bandat janë të përbëra nga 10 deri në 20 muzikantë që luajnë instrumente nga më të ndryshmet. Çdo turist në Meksikë mrekullohet nga mariaçit, por bandat janë akoma më të rëndësishme për vendasit.

Tekila

Pija kombëtare meksikane është një pije standarde në të gjitha baret e botës, që eksportohet në 96 shtete. Vendasit nuk mund të mbeten të habitur nga margarita apo shots-at. Ata janë mësuar ta shijojnë tekilën, ashtu siç bëhet me uiskin e mirë, të cilin tekila e kalon, sipas vendasve.

Kura për dehjen

Festat meksikane nuk përfundojnë mirë për stomakun. Kjo natyrisht sjell një shkatërrim të njohur në mëngjesin e ardhshëm. Për fat të mirë, kuzhinat meksikane kanë kurën më të mirë në planet për dehjen.

Kuptimi i dyfishtë

I quajtur “albur” në gjuhën spanjolle, kuptimi i dyfishtë nuk është thjesht gjuhësor për meksikanët, është një formë arti që kërkon mundim mendor dhe zgjuarsi. Albur është aq i rëndësishëm në Meksikë, saqë ekziston një konkurs kombëtar për të kurorëzuar albureron më të mirë. Kampionia në fuqi që prej vitit 1997 është Lourdes Ruiz, ajo madje jep kurse alburi.

Katolicizmi

Meksika radhitet e dyta në botë për numrin e katolikëve, ku Brazili vjen i pari dhe Filipinet në vendin e tretë. Rreth 84 për qind e meksikanëve janë katolikë. Virgjëresha Mari është një figurë fetare që gjendet pothuajse në çdo shtëpi. Kjo mund të jetë arsyeja përse prifti Miguel Hidalgo mbante një flamur simbolik të Guadalupes në fillimin e betejës së Luftës për Pavarësi të Meksikës në vitin 1810. Çdo 12 dhjetor, 5 milionë pelegrinë vizitojnë Bazilikën për të falënderuar Virgjëreshën për plotësimin e dëshirave apo për t’i kërkuar një mrekulli.

Vaktet e shpejta

Meksikanët e kanë zakonisht me ngut, ndaj ushqimet e shpejta mund të gjenden në çdo cep. Ata i quajnë takos, tortas, tamales dhe tostadas, një pafundësi mundësish për të shuar urinë dhe për të vazhduar ditën i qetë.

Telenovelat

Në vitin 1958, u prodhua telenovela e parë meksikane, “Senda Prohibida” (Rruga e Ndaluar). 56 vite dhe 740 telenovela më pas, asgjë nuk ka ndryshuar: Një çift i dashuruar nuk gjen lumturinë prej një shkaku tragjik. Pas shumë peripecive më në fund martohen. Shumica e telenovelave, eksportohen në vende të shumta të botës.

Kostumet e mundjes

Mundja profesionale është tipike e Meksikës. Meksikanët u kushtojë shumë vëmendje kostumeve të mundjes, sidomos maskave. Heqja e maskës së një kundërshtari është triumfi më i madh dhe çasti kulminant i mundjes.

Gënjeshtrat e mirësjelljes

Meksikanët janë të shqetësuar se mos duken të pasjellshëm, ndaj kanë zhvilluar gënjeshtrat e bardha. Ata nuk duan të thonë “jo”, ndaj kanë gjetur një mënyrë për të thënë “po” duke përmbushur çdo kërkesë. Edhe nëse nuk mund të bëjnë asgjë rreth saj. Gënjeshtra më e përhapur është “tani” ndonëse kërkesa mund të mos plotësohet kurrë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button