Kryeartikull

Ylli i përgjakur (dhe SMS-të e mia me ambasadorin amerikan për 21 janarin)

Nga Andrea Stefani

Sot është 21 janar, 5 vjet nga dita tragjike e një masakre ku u vranë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. “21 janari” është Tienanmeni, Tahriri apo Timishoara shqiptare. Por edhe më keq. Është edhe ribotimi i “2 prillit” shqiptar në demokraci. Drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vet. Sepse drejtësia nuk ekziston në Shqipëri. Premtimeve për një hetim gjithëpërfshirës ja zuri vendin një hetim selektiv që la jashtë fokusit përgjegjësit kryesorë politikë të këtij krimi ekuivalent me dështimin e shtetit. Sot, në pesëvjetorin e asaj masakre, një yll shkëlqen në qiellin e opozitës. Është ylli i Lulzim Bashës. Pikërisht atij që në postin e ministrit të brendshëm, drejtonte nga tarraca dhe dritaret e Kryeministrisë operacionin e Gardës që pati për produkt krimin më të rëndë që mund të bëjë një qeveri, vrasjen e qytetarëve të vet. Është rast unikal ky kur një politikan vazhdon të ngjitet lart edhe pse mbi shpatulla i rëndon përgjegjësia e një krimi. Sepse është lënë jashtë hetimit i mbrojtur nga forca të mistershme. Ashtu si edhe godfatheri i tij politik kryeministri i asaj kohe Sali Berisha që miratonte nga të njëjtat dritare, masakrën e ushtravë të Gardës mbi puçistët.

***

Që kur, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e shpalli Bashën “yll në ngjitje”, nuk ka reshtur një tendencë për ta konservuar këtë trajektore që synon ta bëjë me çdo kusht Lulin kryeministër. Ngjitet si një tullumbace që e fryjnë pa prerë që të mos humbasë lartësi.  Në vend që të gremisej, pas “21 janarit” Basha u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës me vota qartazi të vjedhura në fund të procesit të numërimit edhe pse Arvizu kish përveshur mëngët për të penguar çdo manipulim. Forca “perëndish të epërme olimpike” duket kishin vendosur që ai ta merrte atë post sepse është aksiomatike që, po u bëre kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, lartësia tjetër është pa shmangshëm Kryeministria. Më pas, e shohim Bashën në postin e kryetarit të PD. Përsëri me anë të një procesi mjaft të dyshimtë votimi, madje të kontestuar edhe brenda PD, përballë Olldashit.

***

Opinionistë që mbështesin opozitën berishiste kanë argumentuar me kohë, dhe jo pa të drejtë, se nëse nëse Basha do kryente me sukses misionin si kryetar i Bashkisë dhe nëse arrinte të shndërrohej kryetar real i PD-së, atëherë do të ishte i denjë edhe për postin e kryeministrit. Koha provoi se Basha dështoi në të dyja. Nuk la asnjë gjurmë të qenësishme si bashkiak dhe u bë farsa, përsëritja qesharake e tragjizmit të Berishës në krye të PD. Ah po, kishte vetëm një meritë që ja nënvizonin! E cilësonin paqësor, jo konfliktual. Ndryshe nga Rama dhe Berisha. Por shumë shpejt “njeriu që vetëm qeshte” e davariti këtë iluzion duke sokëllirë me fytyrë të egërsuar tribunave n’sa bënte thirrje për revolucion dhe përmbysje me dhunë të qeverisë. Gjë që edhe Berisha vetë, edhe pse e kish tentuar disa herë, nuk kish guxuar ta thotë kaq açik.

***

Edhe pse Basha nuk ka shfaqur as edhe një talent tipik, nuk ka as edhe një arritje të tijën, madje as edhe një krim që të jetë autentikisht i tij (ai nuk është i pavarur as edhe në krim), edhe pse nuk shfaq asnjë inteligjencë apo intuitë pa të cilat lidershipi është vështirë i mundur, vazhdon të qëndrojë lart si një yll polar i fiksuar të cilin duhet ta ndjekë fatalisht Shqipëria në rrugëtimin e saj plot gropa. Një trajektore pikënisja e të cilës është pikërisht deklarata e Arvizut për “yllin në ngjitje”.

***

Jam shtangur kur e dëgjova atë deklaratë. Kishte pak a shumë një vit që kish ndodhur masakra e “21 janarit” dhe ai pagëzim qe, pa fjalë, një shpërfillje arrogante e atij krimi të përgjakshëm. Në fakt ishte një shpallje pafajësie për Bashën. Që heshturazi do të thoshte se fajësia ishte diku tjetër. Pra te opozita, te Edi Rama. Ose edhe te Berisha. Por edhe nëse krimi kish ndodhur nën trysninë autokratike të Berishës, a mund të përjashtohet nga përgjegjësia e një masakre ai që është ministër i brendshëm? A nuk do të thoshte një gjë e tillë atë që berishistët e ironizojnë pra, se edhe literalisht fajet i ka Saliu?! Pikërisht për këtë çështje kam patur, në atë kohë,  një këmbim pikëpamjesh të kundërta me ambasadorin Arvizu.

***

Në opinionin tim, SHBA mbeten bastioni më i qëndrueshëm i demokracisë liberale ku është mbjellë dhe rrënjosur fort shpresa, jo vetëm e amerikanëve, se projekti i këtij sistemi të mrekullueshëm (që kombinon forcën e qeverisë me lirinë e individit pa e vrarë këtë të fundit), do i rezistojë edhe krizave të kohëve fundit. Por, është pikërisht filozofia e demokracisë amerikane si frymë për t’i bërë zyrtarët publikë të përgjegjshëm për misionin, që më ka nxitur të jem jo rrallë kritik me ato që thonë dhe bëjnë diplomatët e Perëndimit, jo vetëm ata amerikanë në Tiranë. Konformizmi, si derivat i servilizmit, edhe në këtë rrafsh do qe i dëmshëm.

***

Ndryshe nga fillimet e tranzicionit, kur i perceptoja diplomatët perëndimorë si misionarë të demokracisë dhe lirisë, përvoja e gjithçkaje që ka ndodhur në këto 25 vjet në Shqipëri ka shtuar, në mos skepticizmin, qëndrimin kritik ndaj tyre. Sepse, jo rrallë, kam konstatuar se sugjerimet e tyre, më shumë se reagime parimore ndaj zhvillimeve reale, janë qëndrime të paraprogramuara, shablloneske ndaj të cilave ata manifestojnë një besnikëri jo elastike. Kam konstatuar shpesh diçka prej roboti, një këmbëngulje të paepshme (makinike do ta quaja), jo shpirtërore në qëndrimet e tyre që në krye të herës, e mendoja si një lloj arrogance të pranueshme prej mësuesi për NE, nxënësit që nuk merrnim erë nga demokracia. Por më vonë kuptova se ajo qe, më së shumti, mungesë lirie për të vepruar ndryshe nga programi, nga strategjia apo udhëzimet e marra. Diplomati nuk është vetvetja por një bulon në makinën e diplomacisë. Prandaj, ka vite që ato që diplomatët thonë apo rekomandojnë, nuk janë më për mua një ushqim i rrallë që duhet përtypur me mirënjohje, por pikëpamje dhe sugjerime që duhet të kalojnë nëpër filtrin e mendimit kritik.

***

Kështu ndodhi edhe me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Kishim pak kohë që këmbenim mesazhe kur një mbrëmje, marr prej tij ftesën që ta ndiqja në TV në një interviste për gazetaren Sonila Meço. Kuptova se donte edhe një opinion për intervistën. Dhe ja dhashë. Isha mjaft kritik dhe u pa qartë, edhe nga qëndrimi i mëvonshëm (që nuk mora më mesazhe prej ambasadorit) se nuk e pëlqeu fare reagimin tim. Por edhe mua nuk më pëlqeu fare një qëndrim aq refraktar madje jo miqësor ndaj kritikës, edhe pse diskrete, të një gazetari. Në fund të fundit, si gazetar, duhej të jepja opinionin tim që nuk do të thotë pëlqimin për çdo gjë që mund të thotë apo bëjë një ambasador, qoftë edhe ky i SHBA. Një privilegj që nuk e ka gëzuar në SHBA, në marrëdhënien me gazetarët, as Obama dhe asnjë President. Madje, ky është një nga shkaqet se përse SHBA mbeten, megjithë mangësitë, demokracia më e fuqishme në botë.  Me ç’duket, ambasadori mirëpriste vetëm pëlqimin. Por do kisha qenë i pasinqertë me të, me veten dhe vendin tim po t’ja jepja. Por mbi të gjitha, me ata që u vranë mizorisht në 21 janar. Me Ziverin, Aleksin, Farukun, Hekuranin.

***

Mbaj mend se në intervistën në fjalë, Arvizu i mëshoi më me theks përgjegjësisë së opozitës për organizmin e demonstratës madje, duke thënë se opozita duhet të kërkonte falje për një gjë të tillë. Prandaj, në mesazhin për të, nënvizova se të kërkosh që opozita të kërkojë falje, është të vendosësh një balancë aspak realiste mes krimit të vrasjes së 4 protestuesve dhe një demonstrate të dhunshme. I bëja edhe pyetjen habitore: Basha një “star”?! Edhe një tjetër pyetje: Vërtet besoni se Berisha është një politikan me ideale demokratike?

***

Në përgjigje të mesazhit tim, Arvizu mohon të ketë vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë dhe opozitës, dhe shton se gjërat mund të ndryshojnë për mirë vetëm nëse janë më të shumtë njerëzit që marrin përgjegjësi. “Unë publikisht kam thënë se qeveria, për shkak se është në pushtet, mban përgjegjësinë kryesore dhe duhet të japë shembullin për këtë. Po vërtet beson se PS nuk ka fare përgjegjësi për atë që ndodhi në 21 janar? Qe një konfrontim dhe kishte dy palë. Mendoj që Ben Blushi mori një pozicion më të përgjegjshëm të cilin unë do të doja ta vlerësoja. Në çdo rast, mesazhi themelor që doja të përçoja është se mbetet e papranueshme për krahët politikë të kërcënojnë ose të pengojnë në çdo mënyrë punën e kryeprokurorit dhe të vepruarit kështu, do të ketë pasoja në termat e marrëdhënieve me SHBA! Dhe e mbyllte: Shpresoj kjo ndihmon!

***

Në fakt nuk më ndihmoi aspak. Nuk pata marrë asnjë përgjigje lidhur me pyejtjet për Bashën si “yll” dhe Berishën si “demokrat’. Ndërkohë nuk arrija të kuptoja sesi mund t’i bënim politikanët shqiptarë të merrnin përgjegjësi mbi vete ndërsa po shpallnim “star” një ministër të brendshëm që nuk mori as përgjegjësinë politike për vrasjen e 4 protestuesve nga ushtarët nën urdhrat e tij? Ja shkrova këto ambasador Arvizut në një mesazh pasues, duke e ilustruar edhe me shembullin e, Jorge Coelho, ministrit portugez të punëve publike që dha dorëheqjen pas shembjes së një ure ku u vranë disa qytetarë. Por nuk mora përgjigje. As më mesazhe.

***

Sot, në 5 vjetorin e masakrës, është koha për një bilanc. Berisha kërcënoi, përdhunoi publikisht kryeprokuroren Ina Rama, obstruktoi hetimet, asgjësoi provat por ndryshe nga ajo që më shkruante Arvizu, nuk konstatoj ndonjë ndryshim në termat e marrëdhënieve të këtij autokrati të korruptuar me SHBA. Përkundrazi, Berisha vazhdon të shihet dhe të trajtohet si një ndër faktorët konstruktivë të politikës shqiptare. Atij i merret mendimi për reformën në drejtësi madje, po i kërkohet edhe konsensusi! Ambasadori Arvizu ka folur edhe për nevojën e një hetimi gjithëpërfshirës për 21 janarin. Në këtë pikë kemi qenë në të njëjtën gjatësi vale. Edhe pas largimit të tij, në media është kërkuar në mënyrë konstante që kjo të ndodhë. Madje kemi kritikuar qeverinë Rama për plogështi në bërjen e pjesës së saj të detyrave përsa i përket 21 janarit. Kemi shkruar se është vrasje e drejtësisë që masakra të mbetet pa fajtorë. Dikush është fajtori. Dhe flasim për nivelin më të lartë politik. Nuk flasim për drejtuesit, aq më pak për ushtarët e Gardës që urdhërohen të qëllojnë apo të mos qëllojnë. Kemi kritikuar edhe Berishën për gënjeshtrat që lëshoi për puç apo grusht shteti të armatosur me thika me helm e çadra pistoletë. Por kemi shtuar se nëse nuk janë gënjeshtra e mashtrime, pse Berisha nuk dërgon këto prova të puçit në prokurori? Pse nuk e bën këtë punë kur dihet që vetëm realiteti i një puçi do ta nxirrte atë të pafajshëm për vrasjet?! A mund të besohet që ky politikan, që e bën edhe “priftin me barrë” kur ja do puna, të tolerojë Ramën, “këtë të keqe të madhe që duhet larguar një orë e më parë me revolucion”, duke patur në dorë fakte për inkriminimin e tij në një puç? Përse shërben revolucioni kur ke provat e inkriminimit në puç? Por vetë fakti që Berisha shpiku puçin, është prova logjike se demonstrata e opozitës në vetvete, sado e dhunshme, nuk qe një shkak i mjaftë, për të justifikuar vrasjet. Edhe pse i parapriu vrasjeve, dhuna e protestuesve nuk qe shkaku i tyre. Protesta të dhunshme pati edhe vjet në 8 dhjetor por jo të vrarë. Sikundër deklaroi qartë lidhur me 21 janarin Sarkozi, në demokraci është i pa tolerueshëm përdorimi i fishekëve luftarakë kundër protestuesve! Prandaj kërkesa e ambasadorit Arvizu që opozita të kërkonte falje ishte, në mendimin tim, e njëanshme, e pabalancuar.

***

Ambiguiteti në qëndrimin e ndaj 21 janarit shfaq pasoja edhe në ditët e sotme. Tashmë po shohim një revansh të berishizmit që, pas një heshtjeje 5 vjeçare, po i rikthehet akuzave të puçit. Para pak ditësh, Arben Imami deklaroi se 21 janari qe një grusht shteti madje, bandash dhe celulash antiamerikane. Por antiamerikan është çdo akt antidemokratik. Dhe a mund të quhet akt demokratik vrasja e qytetarëve të pafajshëm? Nëse jo, atëherë celula antiamerikane ka qenë në kokën e qeverisë, te politikanë si Imami dhe Berisha që ishin të parët që, për të justifikuar vrasjet formuluan akuzën e rreme, një taktikë hitleriane kjo, të puçit. E megjithatë nëse nuk është kështu, pyetja për ta këmbëngul: Përse bëni krim ndaj drejtësisë duke mos dërguar provat e puçit në prokurori? Por sigurisht nuk do të këtë përgjigje. Sepse nuk ka prova të tilla. Ndërkaq mungesa e drejtësisë për 21 janarin, është premisë për karrierën e Lul Bashës. Por gjithkush që përpiqet ta fryjë këtë tullumbace ka bërë një zgjedhje të gabuar. Është në anën e gabuar të momentit historik që kërkon në skenë drejtësinë. Vetëm sabotimi i këtij momenti e shpëton Bashën. Sepse Basha mund të jetë një yll, por është i dënuar të jetë një yll me damkë. Vërtet jo një yll i kuq por pa dyshim, një yll i përgjakur!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button