IntervistaPolitika

21 Janari, Rama: Drejtësia vonon, por nuk harron

Kryeministri Edi Rama ka folur për ngjarjet e 21 Janarit 2011-të , në emisionin “Top Story”. Në intervistën me gazetarin Sokol Balla, Kryeministri i kushtoi vemendje  reformës në drejtësi, kur u shpreh se 21 Janari është një arsye më shumë për realizimin e saj dhe për dhënien fund të pandëshkueshmërisë.

Intervista e plotë

Sokol Balla – Pas 5 vjetësh, a është ridimensionuar ajo ngjarje në mendimet tuaja?

Kryeministri Rama – Ndoshta vetëm në kuptimin që është ende si 5 vjet më parë nga pikëpamja e vendosjes së drejtësisë, ndërsa nga emocionet dhe dëshpërimi për gjithçka ndodhi, është gjithmonë e freskët. Është njësoj si një vit më mbrapa.

Sokol Balla – Ndjeni përgjegjësi për atë që ndodhi? Po t’i riktheheshit ndoshta diçka duhej bërë ndryshe, që ato jetë mos humbeshin?

Kryeministri Rama: Ato jetë u shuan kur edhe protesta ishte shuar dhe nuk ishin as vrasje aksidentale, as vrasje në panikun e një përplasjeje të armatosur mes protestuesve dhe shtetit, por ishin pushkatime pa gjyq për të dhënë mesazhin barbar të qeverisë së atëhershme se kush guxon të imagjinojë një ballafaqim me qeverinë dhe për më tepër, kush guxon ta imagjinojë vendin pa atë qeveri, gjen vdekjen me plumb kokës.

Sokol Balla – Cili është përjetimi më i fortë që keni nga ajo ditë e gjatë?

Kryeministri Rama – Nëse nuk do të ishte 21 janari, mbase unë nuk do të isha kaq i ngurtë në qëndrimin për reformën në drejtësi, çka do të thotë, nëse reforma në drejtësi është një domosdoshmëri dhe ka qenë e tillë edhe pa 21 Janarin, pandëshkueshmëria e përgjithshme 21 Janarin ka simbolin e vet.

Sokol Balla – Pse nuk ka nga qeveria sot një akuzë konkrete penale ndaj ish-drejtuesve të Ministrisë, Qeverisë, Gardës? Flas për një padi të re.

Edi Rama – Ne kemi mbështetur rihapjen e çështjes nga ana e Prokurorisë me elementë të rinj që kemi dërguar. Nuk jemi ngutur në kuptimin që të ndërtojmë një akuzë që do të merrte një intonacion politik dhe do të dëmtonte një proces të drejtë dhe të pavarur, por kemi çuar prova të reja që i krijojnë mundësi Prokurorisë që të rihapë çështjen. Mos harrojmë që çështja është e pambyllur sepse është në gjykim dhe ne me durim dhe duke shtrënguar dhëmbët presim që si do të shkojë nga pikëpamja e gjykimit të kësaj drejtësie që është. Por, 21 Janari, e kam thënë edhe më parë, është një nga ato ngjarje që historia mëson se nuk mbyllen pa drejtësi dhe është rasti kur gjen kuptim të plotë fjala e popullit, që drejtësia vonon, por nuk harron. Drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë, por nuk do të harrojë.

Sokol Balla – Ju thoni që 21 Janari ju ka bërë të vendosur për reformën në drejtësi…

Edi Rama – Ndoshta pa përjetuar 21 Janarin nuk do të kisha këtë vendosje kaq të panegociueshme me kulturën e pandëshkueshmërisë.

Sokol Balla – Ajo që doja të thoja, pa dashur të provokoj në këtë ditë, është se ju flisni për reformë në drejtësi, por harroni që sërish përballë janë po të njëjtët aktorë dhe po të njëjtat vështirësi. Përballë keni Partinë Demokratike, keni ish-ministrin e Brendshëm dhe ish-Kryeministrin dhe mesa duket përballë keni edhe personin për të cilin ju organizuat 21 Janarin, kësaj radhe zotin Meta. Kështu perceptohet. Cili është ndryshimi sipas jush?

Edi Rama – E vërteta meriton të respektohet dhe kjo nuk është e vërtetë. Reforma në drejtësi është një proces që Shqipëria e ka të nevojshëm dhe të domosdoshëm edhe pa 21 Janarin. Unë jam shumë i vetëdijshëm që padurimi, zhgënjimi, kërkesa e llogarisë së njerëzve për këtë drejtësi të munguar shpesh faturohet tek unë apo tek Qeveria, por duhet që njerëzit ta dinë që do të ishte një fatkeqësi e dytë, një 21 Janar i ftohtë nëse ne do të kishim përdorur pushtetin politik për të bërë një hakmarrje politike dhe nëse unë do të kthehesha në prokuror dhe gjykatës. Së pari, kjo është e pamundur në sistemin ku jetojmë dhe së dyti kjo është një shkelje shumë e rëndë, po aq e rëndë sa 21 Janari dhe pse pa jetë njerëzish…nëse do të kuturiseshism që të bënim një proces politik. Dua t’ju siguroj që shumica jonë është e vendosur për të bërë reformën në drejtësi dhe askush nuk duhet të keqkuptojë dhe keqinterpretojë diferencat në retorikë mes meje dhe kreut të Kuvendit dhe askush nuk duhet të harrojë që ky është një proces që ne ja kemi lënë Kuvendit. Në rastin konkret, nëse e shikojmë dhe gjykojmë Ilir Metën vetëm si kreu i LSI-së mund të keqkuptohemi. Ai është edhe kreu i Kuvendit dhe në këtë proces duhet të jetë mbi të gjitha kryetar i Kuvendit dhe si i tillë duhet të kërkojë konsensus deri në mërzi dhe bezdi për njerëzit që presin me padurim reformën në drejtësi sepse ky është roli që ka.

Sokol Balla – T’i rikthehemi 21 Janarit. Duket sikur gjithçka është e padrejtë. Ju jeni këtu, Meta është aty ku është, të tjerët janë atje…të vetmit që nuk janë, janë ata që humbën jetën në këtë bulevard. A mendoni që pavarësisht gjithçkaje, ne si shoqëri u detyrohemi një ndjesë familjarëve të atyre viktimave, qoftë edhe për vonesën në vendosjen e drejtësisë?

Edi Rama – U detyrohemi ndoshta ndjesë për vonesën, por është një ndjesë morale në rastin tim dhe tonë sepse faktikisht nuk jemi ne që kemi krijuar këtë sistem të korruptuar dhe të inkriminuar drejtësie. Ne jemi ata që po përpiqemi ta përmbysim këtë sistem! Ne jemi ata që me këtë reformë po kërkojmë dhe jam i bindur që do t’ja arrijmë që të ndajmë gjykatësit, që e meritojnë besimin e njerëzve dhe përfaqësimin e kushtetues së vendit për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njerëzve, nga gjykatësit që meritojnë të jenë diku tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button