Home / Arte / Libri / Vajza që e ktheu Harry Styles në hero romantik dhe seksi

Vajza që e ktheu Harry Styles në hero romantik dhe seksi

“Unë gjithnjë ëndërroja të shkruaja. Sa herë përfundoja së lexuari një libër mendoja se këtë mund ta kisha shkruar dhe unë.” Anna Todd, një nga emrat më të njohur të momentit në SHBA, shprehet kështu teksa kujton lidhjen e saj me shkrimin. Ishte vetëm 23 vjeçe kur nisi të shkruante historitë e para në Wattpad. Shumë shpejt shkrimet e saj kishin kaluar kufirin e shikueshmërisë dhe lexuesit donin të dinin vazhdimin e historive që Anna shkruante. Personazhet e saj dukeshin si realë. Kjo, pasi vajza i kishte marrë ato nga grupi i saj i preferuar, “One Direction”, duke u dhënë një tjetër jetë në libër. Me pseudonimin “Imaginator 1D”, Anna Todd u bë një nga autoret më të pëlqyera të Wattpad. Ajo kishte imagjinatë dhe të bënte të prisje me ankth vazhdimin e historisë. Harry Styles, një nga protagonistët kryesorë të grupit “One Direction”, ishte pjesë e rrëfimit të Anna-s. Kjo i bëri miliona fansa të ndiqnin rrëfimin interesant të kësaj vajze të panjohur nga Teksasi, e cila dalëngadalë po kthehej në një nga personazhet më të njohura letrare. Historinë e nisur në Wattpad ajo e botoi në një roman të quajtur “After” (Më pas). Libri tregon një histori romantike kolegji midis Hardinit, i cili ngjason shumë me Styles dhe Tesës, virgjëreshë nga një qytet i vogël. Historia erotike e zgjimit seksual të Tesës, personazhit të këtij libri, është konsideruar nga media një histori e ngjashme me “Pesëdhjetë hijet e Grejit”. Kur “Simon&Schuster” e botoi romanin e parë të Anna-s, libri do të kthehej në bestseller. Tashmë “After” është pasuar nga tre romane të tjera, ku vazhdojnë aventurat e nisura nga personazhet në librin e parë. Historia e Hardinit dhe Tesës është kthyer në historinë frymëzuese të miliona adoleshentëve. Hardini në libër është Harry Styles i “One Direction”. Tashmë pritet që Hollivudi ta kthejë në një prodhim kinematografik këtë histori, që ka rrëmbyer zemrat e të rinjve në të gjithë botën. Shtëpia botuese “Saras” ka marrë të drejtat për të botuar në gjuhën shqipe këtë histori të jashtëzakonshme, ku pasioni i dy të rinjve tregon dhe kohën në të cilën jetojmë sot. Por si ndryshoi jeta e Anna Todd, nga një vajzë e pasionuar nga librat që kalonte ditën në shtëpi, si mijëra vajza të zakonshme, në një fenomen letrar. Ja si e tregon më poshtë aventurën e saj letrare vetë Todd …

Është hap i madh të kalosh nga adhurimi për “One Direction” deri në të shkruarit e qindra kapitujve të frymëzuar nga ky grup. Si ndodhi kjo te ju?

Mua gjithnjë më ka pëlqyer të lexoja histori të trilluara, kështu që këtë lloj dashurie e kam pasur përherë. Kur dëgjova për herë të parë “One Direction” në radio, thashë me vete: kjo po që është e bukur. Por më pas, fillova të shihja videot e tyre në “YouTube” dhe pastaj nuk kishte kthim mbrapa. Një miku im më dërgoi një pamje të tyre nga “Instagrami”, por në fund të fotos kishte pjesë të një historie. U hutova krejt: Ç’është kjo kështu? E pashë dhe kjo gjë njihet me emrin Imagine. Ishin trillime të shkurtra adhuruesish. Nuk janë më aq të njohura, sepse tani shumica e njerëzve shkruajnë histori në Wattpad. Por këtë histori të quajtur “I përkryeri” e shkrova në Imagine, aty nga viti 2012. Ishte kështu: Harri takohet me adhuruesen në Starbucks, natyrisht, në Nju Jork, bien në dashuri dhe martohen. Kur mbushën 19 vjeç ishin bërë me dy fëmijë. Ishte kaq e tmerrshme. Historia zgjati vërtet shumë me gati 2000 fotografi “Instagrami”. Megjithatë, ishte shumë bukur. Që atëherë mendja më rrinte te të lexuarit dhe të shkruarit mbi “One Direction”.

Si ishte kalimi në një formë më të gjatë të shkruari në Wattpad?

Problemi me të shkruarit të historive të tilla, ishte që unë nuk di asgjë mbi Harry Styles. Pa marrë parasysh sa shumë adhurues kujtojnë se e njohin, gabohen. Kështu që unë nuk mund të bëja më shumë. Kur shkrova “I përkryeri”, ai ishte thjesht një djalë i mirë. Vështirë të krijosh konflikt kur dikush është një nga njerëzit më të mirë. Ndaj e ndava mendjen. Të shkruaja një histori dhe të bëja me të si të doja. Kështu bëjnë të gjithë. Një nga tregimet e mia të parapëlqyera quhet “Dashuri e errët dhe e rrezikshme”, me Herrin dhe Zejin [Malikun] dhe ata janë vampirë. Pastaj mendova ta stisja si histori kolegji, ndërkohë që publikoheshin foto pa fund, duke shtuar në to tatuazhe apo pirsing, edhe kur personat nuk kishin vërtet. Ishte çmenduri. Po, ky ishte frymëzimi.

Është ndryshe për ju tani që jeni autore e botuar në mënyrë tradicionale?

Po, po përjetoj një ëndërr. Botuesi im ka besim tek unë, sepse është i bindur që unë e di se çfarë duan lexuesit e mi. Ai nuk është aq tradicional. Në fillim, shumica e njerëzve që e lexonin historinë ishin adhurues të grupit “One Direction”. Nisi për këtë grup. Nuk e kuptova që në të vërtetë ata ishin adhuruesit e mi. Tani që janë botuar marr gjithfarë mesazhesh: Nuk e dija që ishte një trillim për grupin ‘One Direction’ ose: Pse vazhdojnë të vënë fotot e Harry Styles, si të ishte personazhi i Hardinit?

Si e ndryshoi jetën tuaj libri “Më pas”?

Ndryshoi pothuajse gjithçka. Kisha shumë presion, sepse mendoja se po plakesha. Atëherë isha diku 22 apo 23 vjeçe, por mendova se po plakesha dhe me mendje thosha vazhdimisht se doja një punë për të rritur. Kisha vendosur të ndiqja kolegjin me kohë të plotë përmes internetit, por e urreja shumë, sepse unë nuk e dija se çfarë doja të bëja. Unë vetë isha e martuar dhe të tjerët më dukeshin tetëmbëdhjetëvjeçarë.

Çfarë doni të bëni më pas?

Do të doja vetëm të botoja libra. Vitin tjetër do të nxjerr katër libra, përfshirë edhe atë me titull “Para”. Shumë shpejt do të bëhet edhe film. Edhe skenari nuk do të vonojë. Besoj që këto përparësi i kam, sepse nuk jam autore tradicionale. Përveç librit “Më pas”, dua të bëj edhe gjëra të tjera. Por gjithmonë dua të shkruaj për këtë lloj grupmoshe, histori me të rinj, me dashurinë e parë. Do të doja të shkruaja edhe për më të rinj, si për gjashtëmbëdhjetëvjeçarët, për shembull, por me përmbajtjet që më pëlqejnë mua, nuk jam e sigurt nëse mund ta bëj këtë gjë.

Po, le të flasim për seksin. E kishit vendosur të shkruanit erotikë?

Në të vërtetë nuk e kuptoja sa seksi do të dilte. Unë vetëm po shkruaja për grupmoshën time. Në librin “Më pas”, ka disa skena seksi, por shumica e kanë një arsye. Jo se më bëjnë shumë përshtypje: më pëlqejnë librat që përmbajnë seks pa ndonjë arsye. Doja që seksi të kishte peshën kryesore. Për vetë moshën e saj 18-vjeçare, seksi duhet të kishte rëndësi. Krahasuar me numrin e faqeve, nuk ka aq shumë seks. Madje, kam marrë ankesa që ka shumë pak!

Si reaguan familja dhe miqtë tuaj?

Nëna ime lexoi versionin në Wattpad, i cili është vërtet pak më i butë. Nuk tha asgjë në lidhje me seksin, por i ishte ngulitur në kokë historia. Kurse vjehrrës i thashë: Mos e lexo këtë. Edhe gjyshes ashtu i thashë. Ajo është shumë konservatore. Kur kthehet nga kisha më thotë një mori gjërash. Unë dëgjoj dhe them me vete: Oh, perëndi!

Sot nuk ka shumë erotikë për gratë, gjë që shpjegon edhe pse “Pesëdhjetë hijet e Grejit” bëri bujë. Akoma më pak ka për vajza më të reja, ashtu siç gjejmë te libri juaj. Sa e rëndësishme mendoni se është erotika?

Është shumë më e rëndësishme sesa thonë njerëzit. Gjithmonë mendoja se SHBA-ja ishte shumë përpara sa u takon gjërave në lidhje me seksin. Por, kur fillova të udhëtoja nëpër botë, e kuptova se SHBA-ja është përpara vetëm në gjërat e seksit për burrat. Kur lexojmë libra për seksin, nënkuptohet të mos flasim hapur. Sidomos vajzat më të reja si ato 16 vjeçe. Nuk duhet të kenë kureshtje rreth seksit. Të mos e pëlqejnë. Nuk po them se ato duhet të dalin e të shthuren dhe në secilën prej skenave të mia të seksit ka prezervativ. Por kur vajzat veshin diçka seksi, bëhen gjithmonë të këndshme për djemtë. Te libri “Më pas”, Tesa kënaqet çdo herë. Është interesante: në Spanjë dhe Brazil ky libër është për të rritur. Unë marr shumë mesazhe nga vajzat. Ndoshta nja një mijë, pasi filloi e gjitha kjo, ku më falënderojnë. Dikur na duhej të vidhnim romancat e çuditshme të mamave tona me kauboj lakuriq e gjëra të këtij lloji, nëse donim të lexonim për seksin.

Çfarë mendon burri juaj për të gjithë këtë?

Është shumë i lumtur për mua. Kemi qenë të martuar që të vegjël; më saktë ishim 18 vjeç. Ai ishte transferuar tri herë. Unë u mbërtheva në këtë komunitet ushtarakësh dhe gratë silleshin shumë keq me mua. Shumë gra nuk punojnë. Kapen pas identitetit të bashkëshortëve. Kështu, bashkëshorti im më ka parë të luftoj për të qenë vetja për tetë vitet e fundit. Tani ka hequr dorë nga ushtria; ka dalë në pension mjekësor. Kurse unë kisha tetë vjet për të kuptuar se çfarë doja të bëja. Ndërsa tani jam në një pikë ku i them vetes: Merre shtruar. Tani mund të vendosësh se çfarë do të bësh.

Pas gjithë kësaj, jeni ende adhuruese e grupit “One Direction”?

Mendoj se tani jam edhe më shumë. Do të doja të mendoj se mund të kisha shkruar diçka, por sinqerisht, nuk mendoj se do të kisha shkruar një libër të tërë, sikur mos të isha adhuruese e grupit “One Direction”. Tani që ma dinë “Twitter”-in tim, nuk jam më pjesë e grupit. Por ende bëj gjithçka mundem, që t’u tregoj njerëzve sesa të jashtëzakonshëm janë.

Çfarë ju frymëzoi te Harry për ta shndërruar personazhin e një libri, sigurisht përveç hireve të tij fizike?

Ka pasur shumë ndikime të marra nga personazhi i Dejmënit te “Ditarët e vampirit” dhe Çak Basit te “Vajza e thashethemeve”, ku të gjithë këta personazhe janë meshkuj vërtet nursëzë dhe me nam të keq. Në shumicën e tregimeve që kam lexuar, djali i keq gjithmonë ndryshon shumë shpejt. Unë nuk dua që Hardini të jetë ky djalë me një mori problemesh, që më pas të bjerë në dashuri dhe të shërohet si me magji.

Duhet të sqarojmë disa gjëra për ata të cilët mund të mos e kenë lexuar ende librin “Më pas”: personazhi Hardin Skot, një adhurues i punk-ut, nuk është Harry Styles apo jo?
Përfundimisht nuk është Harry Styles. Kur njerëzit shkruajnë trillime, 99% e tyre nuk ulen të shkruajnë mbi një personazh të vërtetë. Është një univers paralel ku ju merrni diçka që doni dhe pëlqeni dhe e shndërroni në diçka tjetër. Ngjashmëritë ndalen te pamja. Kaq mjafton: pamja dhe theksi. Përfundimisht atij nuk do t’i pëlqente grupi “One Direction”, i cili mua më pëlqen tej mase. Sa herë që përfytyroj Hardinin dhe Tesën duke dëgjuar bashkë “One Direction”, atij do t’i vinte në majë të hundës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: