Home / Kronika / Sociale / Fitojnë studentët, tarifat e studimit do paguhen me këste

Fitojnë studentët, tarifat e studimit do paguhen me këste

Lëvizja Për Universitetin

Pas 4 orësh protestë, aktivistët: Do bllokojmë jetën akademike nëse s’përmbushen kërkesat tona    

Nga Shpresa Mezini
Rezistenca këmbëngulëse, e vazhdueshme, e studentëve, aktivistë të Lëvizjes për Universitetin triumfoi mbi Fakultetin e Shkencave Sociale, drejtuesit e të cilit iu bindën një prej kërkesave të të rinjve. Duke nisur nga ky vit, studentët që nuk kanë mundësi financiare ta paguajnë njëherësh tarifën e studimit, do të kenë mundësi të paguajnë me këste deri në përfundim të këtij viti akademik, ndërsa pritet një tjetër vendim nëse kjo praktikë do të ndiqet edhe në vitet e ardhshme. U deshën plot katër orë protestë nga studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, me mbështetjen e të rinjve nga fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës, që kancelarja e këtij institucioni të gëzonte aktivistët me një lajm të mirë: Pagesë me këste, më në fund një kërkesë e përmbushur. Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Për Universitetin në rrjetin social “Facebook”, thuhet se sot pritet që vendimi i thënë dje gojarisht, të zyrtarizohet në një shkresë zyrtare, që do të afishohet në sekretarinë e Fakultetit të Shkencave Sociale.

protesta e studenteve deraDje, në orën 08.00 të mëngjesit, në kuadër të nismës së Lëvizjes Për Universitetin kundër pagesës së tarifave të papërballueshme dhe gjithmonë në rritje studentët e Universitetit të Tiranës, aktivistë të kësaj lëvizjeje, mbyllën derën e fakultetit dhe protestuan duke mos lejuar asnjë pedagog të futej brenda. Aktivitet ky, sipas studentëve, për të shprehur për të disatën herë revoltën e tyre ndaj zhvatjes së të rinjve nëpërmjet tarifave të kripura të studimit. “Ky janar nisi gjëmën e pritshme për studentët: detyrimin për të paguar një çmim të  papërballueshëm për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për të studiuar. Nuk mjafton vetëm agresioni qeveritar me përcaktimin e nivelit të tarifave. Atij i shtohet dritëshkurtësia dhe arroganca e drejtuesve universitarë në pranimin e këtij niveli tarifash dhe detyrimin e studentëve nëpërmjet sanksioneve për t’i paguar ato një orë e më parë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Lëvizjes Për Universitetin. Sipas tij, gjendja ekonomike e pjesës më të madhe të studentëve sa vjen e bëhet më ulëritëse, pasi qeveria i tarifon për të hyrë në shkollë, për libra e materiale mësimore, për të mbajtur frymën me bukë, për një copë strehë, për pak ngrohje dhe për një vërtetim. “Me një fjalë, pushtetarë politikë dhe burokratë universitarë na kanë shndërruar në shënjestrën e vendimeve të tyre të mbrapshta. Por, ne as kemi fjetur, as do të durojmë më dhunën e disafishtë. Me zënien e derës së fakultetit tonë, u tregojmë qeveritarëve dhe burokratëve se, ashtu siç po na e pamundësojnë shkollimin, do t’ua pamundësojmë drejtimin.

Prandaj i kërkojmë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të marrë sa më parë vendimin e uljes së ndjeshme të tarifave studentore. I kërkojmë po ashtu të angazhohet politikisht në hartimin e një plani disahapësh për uljen e vitpasvitshme të tarifave deri në garantimin e arsimit publik falas për çdo student të universiteteve publike që dëshmon aftësitë e duhura për të ndjekur studimet universitare”, apelojnë aktivistët. Ata gjithashtu i kërkojnë dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe rektorit të Universitetit të Tiranës të anulojnë të gjitha vendimet që parashikojnë sanksione ndaj studentëve që e kanë të pamundur të paguajnë tarifën studimore. “Të heqin dorë nga kërcënimet për mosfutje studentësh në provime apo ndalesa të tjera të ushtrimit të të drejtave studentore. U kërkojmë po ashtu të shtyjnë dhe të fragmentarizojnë afatet e pagimit të tarifave për studentët e tjerë. U bëjmë thirrje po ashtu të gjithë studentëve të universiteteve publike të organizohen fakultet më fakultet dhe t’u rezistojnë në të gjitha format e mundshme tarifave të larta dhe të kërkojnë realizimin me çdo kusht të të drejtave studentore”, shprehen studentët e Universitetit të Tiranës. Më të bindur se kurrë, studentët kërcënojnë të sigurt se nëse kërkesat e tyre nuk shqyrtohen me seriozitet maksimal dhe nuk marrin përgjigje pozitive, zotohen se do të japin shpirtin në organizimin e studentëve të të gjitha fakulteteve për bllokimin e krejt jetës universitare. “Qeveritarët dhe burokratët universitarë nuk do të gëzojnë asnjë ditë të qetë përderisa persekutojnë studentët. Kush s’ka, s’paguan!”, thanë aktivistët e UT-së.

Pedagogu aktivist

Qori: Si mund t’u them studentëve mësoni, kur duhet të punojnë për të paguar tarifat

Pedagogu i Fakultetit të Shkencave Sociale, Arlind Qori, njëherësh aktivist i Lëvizjes Për Universitetin, i pranishëm në protestën e djeshme, krah studentëve u shpreh: “Si moshatarë që jemi, besoj e kujtoni se çfarë na thoshin kur ishim fëmijë? Prindërit, mësuesit na thoshin gjithmonë diçka: ‘Puna juaj na thoshin është vetëm të mësoni, kaq! Punët e tjera ka kush i bën. I bën shteti, i bën familja, shoqëria dhe kështu me radhë’. Po si mundem unë sot, t’u them studentëve të mi, që puna juaj është vetëm të mësoni? Si mund t’u them unë studentëve të mi, mësoni, kur në fakt puna e tyre sot është të punojnë që të paguajnë 400 mijë lekë tarifë vjetore në sistemin 3-vjeçar, bachelor apo 1 milion lekë tarifë për të ndjekur studimet e nivelit të dytë, master, për të pasur mundësi të studiojnë që pas studimeve të përfundojnë të papunë? Si mund t’u them unë studentëve të mi që puna juaj është vetëm të mësoni, në rast se kur të jenë studentë ata, sidomos kur nuk banojnë në Tiranë u duhet të paguajnë qimet e kokës për qira, sepse konviktet janë për faqe të zezë. U duhet të paguajnë qimet e kokës për ngrohje, për ushqim e kështu me radhë. Si mund t’u them unë studentëve të mi që puna juaj është vetëm të mësoni kur u duhet të harxhojnë gjithçka që kanë nëpër xhepa vetëm për të blerë libra?” I revoltuar, pas pikëpyetjesh të tëra, Qori pyeti: Dhe për çfarë arsimimi? Për një arsimim që sikundër që ai thotë se do t’i katandisë studentët në të papunë luksi në të ardhmen, prandaj i bën thirrje qeverisë aktuale të vrasë mendjen që në reformat që bën të gjejë mënyra për të lehtësuar kushtet e jetesës dhe të studimit për ata që e pësojnë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: