Kryeartikull

Tragjeditë klasike, aktualiteti ynë (ose të shuash familjen për një fejesë)

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaTragjeditë e përditshme në jetën periferike dhe jo të tillë, të vendit, janë thelbi i mungesës së shpirtit social të kësaj shoqërie. Raporti i kësaj shoqërie me kësi tragjedish, si ajo e djeshmja e ngjarë në fshatin Suk të Fierit, është i vlefshëm me atë të një të pandehuri që zhvlerëson procesin gjykues. Kjo shoqëri nuk reagon ndaj proceseve të ndodhive të pafundme dhe të pangjashme. Janë pjesa më e bujshme e aktualitetit të saj. Janë rrethueset e jetës butaforike dhe të paskrupullt që shfaqin ekranet dhe shtirja masive nëpër sajtet informale të mediumeve tona. Një shoqëri e zhytur e gjitha në degradim të soditshëm prej të gjithëve. Sodit ligjbërësi dhe ligjzbatuesi, sodit shkolla dhe familja, sodit pushtetari dhe polici, sodit viktima dhe kandidati për viktimë përbri tij.

Ky absurd i pafundmë dhe i padurueshëm në mënyrë antologjike nga njëra ngjarje në tjetrën, nga njëra bëmë te tjetra dhe sidomos nga njëra vrasje në vrasje të tjera, vijon e shtohet, sikur të mos ketë të bëjë me aktualitetin dhe jetën e anëtarësisë komplekse të kësaj shoqërie dhe me fatet e sotme dhe të nesërme të këtij vendi.

Familja Vrapi në fshatin periferik të Suk-it në Fier u shua për arsye të frikshme dhe tronditëse si në një tragjedi shekspiriane, pra për një fejesë. Mosdakordësia brenda familjes për “rastin” e vajzës 17-vjeçare, e paraprirë dhe bashkëjetuese me një krizë marrëdhëniesh brenda individëve hierarkikë të familjes patriarkale, solli tragjedinë. Një vrasje që përfshin tre breza dhe dy moshë. Babai 73-vjeçar vret dy vëllezërit, kunatën e vet dhe mbesën 17-vjeçare. Një zinxhir moshash dhe personazhesh si në tragjeditë klasike, si në ato të antikitetit e gjithashtu edhe më ndryshe. Mjafton kjo tragjedi për të sjellë në kujtesë dhjetëra të tjera të përcjella në kronikat ditore të mediave dhe të harruara prej atyre të radhës.

Pas kësaj kush e ka më të lehtë? Autori duke qenë personazh i vetë tragjedisë, ia ka lehtësuar punën drejtësisë. Ka kryer vrasjet dhe ka realizuar edhe vetëvrasjen. Procesi si në tragjeditë e Shekspirit është mbyllur plotësisht. Pas kësaj ç’mbetet tjetër?

Duke ndjekur mediat dhe gjithë raportimin, jashtë këtij subjekti ka vetëm thjesht një kontekst të mjegullt, moralizues dhe dikush po përmend si shkaktar edhe injorancën dhe mendësinë primitive që sjellin tragjedi të tilla.

Mirëpo analiza nuk shkakton reagimin dhe reflektimin e asaj që nevojitet: shoqërisë dhe shtetit që ka sendërtuar kjo shoqëri si administrator të jetës së vet.

Mirëpo kësi vrasjesh tragjike, ringrenë para syve tanë “statujat” e tmerrshme të mungesave dhe mosfunksionimit. Kush duhet të angazhohet përballë kësaj injorance dhe rikthimit të regjimit të obskurantizmit spontan nëpër periferitë dhe “tributë” tona nëpër kaje? Cila kishë e cila xhami do ta shndërrojë këtë tragjedi në një kazus reagimi dhe reflektimi shpirtëror, social dhe familjar për komunitetin dhe besimtarët? Ku dhe si mund të riaktivizohet cikli i refleksionit moral dhe edukativ në shkollat tona dhe institucionet e shërbesës së munguar morale të komuniteteve?

Krejt kjo retorikë e bën naive marrëdhënien e këtij teksti me lexuesin e këtij vendi. Diçka e tillë ka lidhje me misionarizmin e pandërprerë të shoqërive të kultivuara dhe shteteve me përgjegjësi të lartë sociale e edukative, mund të shtojë dikush! Por kjo nuk mund të mungojë më tej. Tragjedia pas kësaj, nuk është çështje e policisë. Për policinë e drejtësinë ka mbetur vetëm detyrimi i ekspertizës kriminale dhe i sqarimit të rrethanave. Shoqëria soditëse e këtij aktualiteti traumatik shqiptar duhet të fitojë provën e reagimit për t’u bërë shoqëri e reagimit. Përbri tragjedish të tilla mund të fqinjërojnë të ngjashme dhe pse jo edhe më tronditëse se kaq. Është produkti i shpërfilljes kolektive, të cilin e shijojmë dhe pësojmë si aktualitet befasues ngjarje pas ngjarjeje në këtë kohë.

Të gjitha fantazitë e shijuara prej letërsisë së shumë kohëve i kemi verifikuar si realitet të dëshmuar shqiptar. Diçka e tillë na bën seriozisht të veçueshëm në raport me shoqëri e vende të tjera të këtij Ballkani e natyrisht Europës. Por jo se të tilla nuk kanë ngjarë në kohë dhe popuj të tjerë! Diferenca dhe ndryshimi mes nesh dhe atyre qëndron pikërisht në veprimin dhe reagimin pasues të institucioneve dhe mekanizmave të atyre shoqërive dhe mekanizmave të tyre publike.

Kjo shoqëri ka nevojë për terapi. Nuk ka dyshim se një terapi e tillë e nevojshme nuk mund të vijë prej shtetit të abuzuar e prej skotës politikëbërëse që e ka shndërruar Parlamentin në një tribunë agresive, patologjike dhe baltosjeje pa kriter e pa tabu. Një nismë për këtë terapi le ta sipërmarrin komunitetet dhe institucionet e besimit tonë religjionar shumëformësh. Është një nismë e cila mund të mishërojë seriozisht një kontribut bekues e shërbyes të Zotit, pavarësisht se në ç’gjuhë e me ç’veshje i drejtohesh Atij, për kandidatët e paditur të tragjedive që mund të shuajnë familjen edhe për shkak të një fejese! Vini re, në vitin 2014, në kërkim e dëshirim të një dasme, kryefamiljarët zgjedhin tragjedinë e fejesës!!! Kjo ngjet në Shqipërinë e sotme, vendin kandidat për anëtar të BE-së…!!!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button