Home / Arte / Ekspozita / Gjon Mili, Jetë e mbetur në foto

Gjon Mili, Jetë e mbetur në foto

Dy vjet në kërkim të jetës së Gjon Milit. Yllka Gjollesha tregon artistin ndryshe. Ndikimin që kishte Shqipëria në veprën e tij dhe fotografinë që i bëri Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes

Gjon Mili me Anthony Lewor

Gjon Mili me Anthony Lewor

“Nisur nga ideja për të fotografuar objekte ose njerëz në lëvizje, vendosa të eksperimentoja një teknikë të re si light painting, për ketë vendosa të takoj Pikason. Gjendesha në jug të Francës dhe e dija që dhe Pikaso kalonte muajt e verës aty. Disa të njohur më thanë se mund ta gjeja në plazh. Dhe ashtu bëra. I qepur pas plazhit ku Pikaso shkonte çdo ditë për not, e vrojtova atë nga një distancë për një mëngjes të tërë, derisa kuptova dhe u mësova me të. Ditën tjetër kur ai po largohej nga plazhi, i dola përpara dhe i preva rrugën. “Më falni. Jam fotograf, jam fotograf dhe do të doja t’ju bëja një portret”. “Oh, tha ai, duke qeshur dhe u vu në pozë”. “Seriozisht, i thashë dhe në atë çast i tregova atij një fotografi të marrë në errësirë ku tregohej kërcimi i një patinatoreje i skicuar prej dritash të vendosura në patinat e saj.

Pikaso

Pikaso

Pikasoja reagoi menjëherë. I shtyrë prej kësaj fotografie, ai nisi të pikturojë me gisht në ajër…” Gjon Mili do ta përshkruante kështu në shënimet e tij, takimin e parë me Pikason. Seria e fotove që ai i bëri piktorit, vazhdojnë të shihen ende sot si një gjetje jo vetëm për lojën që bëri me dritën. I lindur në Korçë, Mili do të ishte vetëm pesë vjeç kur familja e tij emigroi drejt Rumanisë. Pasionin për fotografinë do ta zbulonte pas moshës 20-vjeçare kur emigroi në Amerikë. Kishte diçka që e mrekullonte djaloshin me sytë e thellë të kaftë. Ajo ishte drita. Pothuajse gjithë fotot e tij përshkohen nga drita, dhe Mili ka aftësinë t’i japë jetë gjuhës së saj. Para se t’i përkushtohej fotografisë Milit i pëlqente të shkruante. Disa novela të tij të shkruara në 1929-n do të botoheshin në revistën “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino. Pas studimeve në universitetin e famshëm MIT (Instituti Teknologjik i Massachusetts), ku u diplomua si inxhinier ndriçimi, Mili do ta dashuronte më shumë dritën. Në Amerikën e pasviteve ’40 Gjon Mili do të ishte një nga artistët më interesantë të kohës. Ekspozitën e parë vetjake do ta hapte në vitin 1934, ndërsa më vonë do të ekspozonte në galeritë prestigjioze të kohës. Por sa e njohim në Shqipëri Gjon Milin? Cili ka qenë rrugëtimi i këtij shqiptari të famshëm në historinë e fotografisë botërore. Dy artiste Yllka Gjollesha dhe Suela Bako të tërhequra herët nga ky personazh, prej dy vitesh janë duke hulumtuar jetën e Milit. Vetëm pak kohë më parë, ato udhëtuan drejt SHBA-së për të takuar njerëz që e kishin njohur, por dhe për të parë dimensionin e vërtetë të një artisti që sipas Gjolleshës e kishte të fortë Shqipërinë brenda tij. Dhe pse në asnjë nga fotot e tij nuk është Shqipëria, pasi Mili nuk pati mundësi ta vizitonte vendin e lindjes sa ishte gjallë me gjithë përpjekjet e dështuara për një vizë shqiptare, vendlindja ka pasur një rol të madh në atë çfarë Mili ishte si artist. Më poshtë Yllka Gjollesha tregon disa momente nga ky hulumtim që së shpejti do të vijë në një dokumentar.

Yllka Gjolleshi

Yllka Gjolleshi

Një artiste në kërkim të Gjon Milit. Ju ishit në Amerikë, për të hulumtuar për dokumentarin që do të ndërtoni mbi këtë figurë. Çfarë gjetët në Amerikën e tij?

Gjon Mili ishte inteligjent, kishte kuptuar Amerikën, vrullin e saj. Të gjithë vrapojnë atje, e megjithëse ndodhesh mes një dinamike marramendëse, ti ndihesh një grimcë rëre në shkretëtirë. E në këtë pikë t’i duhet t’ia dalësh mbanë. Mili arriti të shkonte te më të mirët. Ne takuam njerëz të famshëm dhe bashkëkohës të tij, të cilët kishin ndarë eksperiencat e tyre me fotografin shqiptar. “Të qenët shqiptar e bënte ekzotik”, kështu u shpreh ish-kolegu i tij në revistën e famshme LIFE, John Loengard, për Gjon Milin. E krejt i papritur për ne ishte Eliott Erwitt, një tjetër fotograf i LiFE magazine i cili kishte shumë për të na treguar për Milin. Edhe pse në një moshë të thyer, entuziazmi i tij ishte si i një të riu që kujtonte mësimet e marra prej tij dhe kërcimin e valleve shqiptare në festat e Amerikës së viteve ’60. Gjon Mili nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri, më 1946 i refuzohet viza e kërkuar pranë Ambasadës  Shqiptare në Paris, e në të njëjtin vit, ai fotografon ish-diktatorin Enver Hoxha, delegatin tonë në Konferencën e Paqes, duke mbajtur fjalimin e tij. Diçka më tepër do të preferoja të ishte pjesë e dokumentarit “Dritë” me regji dhe skenar Yllka Gjollesha dhe Suela Bako. Do të doja të falënderoja Qendrën Kombëtare Kinematografike QKK dhe bordin e saj për mbështetjen dhe besimin që pati te ne, për ta çuar përpara filmin tonë, Ambasadën USA, tek e cila nisi ky projekt e që falë saj ne hulumtuam konkretisht pjesë nga jeta e Gjon Milit.

Çfarë ka mbetur në arkivin e Gjon Milit?

Suela Bako

Suela Bako

MIT, Massachusetts Institute of Technology në Boston dha një mbështetje shumë të madhe mbi bashkëpunimin e tij me Harold Eugene Edgerton në eksperimentin e dritës stroboskopike ku sot në MIT ishte një nga lëndët bazë për studentët. Gjon Mili ishte pjesë e arkivave të tyre në procesin e punës të realizuar me inxhinierin Edgerton. Meri Treska shqiptaria inxhiniere kimike dhe pedagoge në MIT bashkë me inxhinierin Robert F. Vieth na kanë mundësuar materiale të shumta mbi këtë fakt, të cilat do të jenë pjesë e filmit dokumentar që pritet të dalë së shpejti. Është mjaft i rëndësishëm fakti që projekti ynë tashmë ka përmasa ndërkombëtare. Jemi përpjekur të jemi pjesë e çdo bashkëpunimi të rëndësishëm që ai pati në mbarë Amerikën dhe Europë.  Faktet tregojnë se ai përgjatë gjithë jetës së tij udhëtoi në të gjithë botën, e për qendrën e saj zgjodhi Nju Jorkun.

Si artiste ç’do veçonit nga ky hulumtim?

Çdo foto e tij është një dokumentar më vete. Nuk të mjafton asnjë minutazh i përcaktuar për të eksploruar botën e tij nëpërmjet fotografisë që ai na ka lënë. Jam e lidhur me shumë prej fotove të tij por në pamundësi për t’i trajtuar të gjitha, kam zgjedhur disa prej tyre. Mili duhet të këtë qenë shumë i ndjeshëm, ai njihte mirë natyrën femërore dhe kjo duket qartë në delikatesën, sensualitetin që ai ka trajtuar tek ato që ka pasur personazhe në fotot e tij. Edhe një temë krejt të thjeshtë si: do të veçoja “How to sleep”, ai do ta sillte ndryshe. Magjike janë fotot “vizatimet me dritë” nga Pikaso. Një vepër të cilën Pikaso nuk e pati kurrë e që Gjon Mili e fiksoi me aparatin e tij. Ai gjendet përpara një gjeniu siç ishte Pikaso, por jo më pak gjeni është Gjon Mili, i cili këmbënguli që pjesë e zhvillimit të eksperimentit të ishte Pikaso. Ky moment zë një pjesë të rëndësishme në filmin tonë, i sjellë me fakte tashmë nga një tjetër vend i rëndësishëm për të, siç ishte Franca. Fakti që unë zgjodha të trajtoj figurën e tij është pa diskutim magjia që ka ai në foto, ku  secila prej tyre lëviz dhe të tregon se brenda tyre ka jetë. E nëse në foton e tij shprehet qartë kjo ndjesi, atë herë jeta e Gjon Milit është pa diskutim mjaft interesante. Do të doja të citoja një pjesë nga Jean-Paul Sartri: Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallëzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i lumtur. Të vret – më keq akoma, kërkon të robërojë…. Mili të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje”. Në dokumentarin tonë drita, ashtu sikurse përfaqëson edhe titullin “Dritë” do të jetë shoqëruese përgjatë gjithë kohës. Drita si një element jo vetëm për të zbërthyer teknikën e tij në realizim, por edhe faktin se si Mili përpiqej të zbërthente personazhet e tij duke u dhënë atyre një imazh krejt tjetër nga fotografë të tjerë, duke u dhënë DRITË në atë pjesë që është më njerëzorja. Ai dinte të zgjidhte momentin e duhur. Ndihem me fat që po punoj për figurën e Gjon Milit dhe mendoj se më shumë sesa një femër nuk mund ta zbërthente askush. Vetëm një femër mund ta kuptojë delikatesën e tij. Duket qartë që edhe frymëzimi për të ka qenë femra.

Për jetën e tij private dihet pak, çfarë zbuluat më shumë?

Çfarë kam zbuluar për jetën e tij private është interesante, po aq sa e panevojshme për t’u ndarë me të tjerë. Në dokumentarin “Dritë” ne do të sjellim faktin se sa i lidhur ishte Gjon Mili me familjen, motrën dhe vëllain, dashurinë që kishte për nënën dhe lidhjen e tij të veçantë me të edhe pse jetonin në kontinente të ndryshme. Dashuritë në  jetën e tij dhe faktin përse nuk u martua kurrë. Pasionet e tij përveç fotografisë, ku miqtë dhe bashkëkohësit e tij të pakët kanë treguar për kamerën tonë. Ajo që dua të theksoj është se: në fotografinë e Gjon Milit nuk ka asgjë nga Shqipëria, por talenti dhe shpirti i tij buron prej këtej. Këtë kam arritur ta zbuloj përgjatë hulumtimeve të mia tashmë gati prej dy vitesh mbi jetën e Gjon Milit. Pjesë e dokumentarit ashtu siç e kam thënë edhe herë të tjera të cilët kanë qenë mjaft të rëndësishëm si, Qerim Vrioni, studiuesi i fotografisë dhe veçanërisht i Gjon Milit. Gëzim Qendro, kritik arti në idenë e të cilit janë risitë dhe modernizmi që solli fotografia e Gjon Milit. Stafi që punon në realizimin e dokumentarit janë artistë dhe gazetarë me shumë vlera në profesionin e tyre. Bashkëpunimi me skenaristen dhe producenten Iris Sojli në Francë, gazetaren Klara Buda e Radio France Internationale, e cila punon mes NY dhe Parisit, shtëpi filmike në Rumani dhe NY, gazetarja Lorina Pepo, kamera Agim Kuri dhe Erald Deda me skenografi të artistes, Matilda Odobashi dhe drejtor artistik, Ardian Isufi. Një prodhim i shtëpisë filmike AR Production me producente Ajola Daja.

Artisti

Gjon Mili është nga ata artistë që bota e ka vlerësuar ndër vite, e në Shqipëri shumë pak e njohin atë. Dokumentari i titulluar DRITË, është një dokumentar i cili synon të hedhë dritë mbi Gjon Milin, por tashmë nëpërmjet gjuhës së filmit. Studiues të rëndësishëm e kanë sjellë në vëmendje jetën dhe veprën e tij me anë të shkrimeve. Ai bashkëpunoi me emra të njohur botërorë si: Pikaso, Sofia Loren, Henri Matiss,  Hichcock, Marlon Brando, Frank Sinatra, Federico Fellini, Edgerton etj., Jean Paul Sartri do t’i kushtonte atij një ese të veçantë. Fakt që dëshmon kontributet e tij të jashtëzakonshme në fushën e artit. Në fushën e kinemasë, ai ka realizuar një film të shkurtër “Jammin the Blues”, në të cilin është regjisor, kandiduar në “Oscar”, për kategorinë  Filmi më i mirë i shkurtër, e cilësuar si vepra e parë filmike, në një improvizim të muzikës  “Xhaz”, ndërsa në fushën e fotografisë ai cilësohet shpikësi i fotografisë stroboskopike (fotografimi me dritë). Gjon Mili, është një figurë mjaft e rëndësishme, figurë që vazhdon të vlerësohet në të gjitha vendet e botës e sidomos në Amerikë. Së fundmi, imazhi i çmimeve “Oscar” e 2013, iu referua shpikjes së tij, fotos Strobpskopike.

Leave a Reply

%d bloggers like this: