Home / Bota / Amerika / Dimër i egër në SHBA, “stuhia përbindësh” la pas 29 viktima

Dimër i egër në SHBA, “stuhia përbindësh” la pas 29 viktima

Në të gjithë lindjen e Shteteve të Bashkuara, njerëzit kanë nisur pastrimin e dëborës pas stuhisë gjigande dimërore që paralizoi në fundjavë mbarë rajonin.

Ata po përpiqen të heqin shtresën e bardhë nga makinat e të lirojnë rrugët e mbulura në të 5 shtetet me 91 centimetra dëborë.

Transporti publik vazhdon të ketë probleme edhe pse java e punës fillon sot, shumë fluturime janë anuluar, ndërsa në Uashington është vendosur që ndërtesat qeveritare dhe shkollat, të hënën, të qëndrojnë të mbyllura.

29 vdekje janë raportuar që prej së premtes, kur stuhia përbindësh nisi të formëzohej. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë pasojë e aksidenteve rrugore, por në disa raste pati helmim nga monoksidi i karbonit në automjetet e bllokuara nga bora e një pjesë e vogël pësuan atak kardiak teksa pastronin borën me lopatë.

Arsyeja e fundit, sado që tingëllon çuditshëm, për mjekët është mëse e shpjegueshme. Kur të rinj të shëndetshëm kryejnë energjikisht një veprim të tillë, rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut rriten më shumë sesa atëherë kur stërviten.

E kombinuar kjo me ajrin e ftohtë jashtë, që i bën arteriet të mblidhen, rreziku i atakut është maksimal. Stuhia që ka marrë disa nofka në rrjetet sociale, duke nisur nga “Mamuthi”, “Snowzilla” e “Snowmageddon”, po drejtohet tanimë e dobësuar përtej Atlantikut.

Ajo preku 85 milionë persona në rajonet lindore të Amerikës dhe la pa energji elektrike 300.000 vetë. Sasia më e madhe e dëborës së rënë u regjistrua në Glengari të Virxhinias perëndimore, 106 centimetra.

Ndonëse në qytetin e Nju Jorkut, të përballur me reshjet e dyta më të mëdha të dëbores që kur nisi regjistrimi i tyre në 1869-n, ndalimi i qarkullimit me makina u hoq, zyrtarët sërish i kanë këshilluar banorët t’iu qëndrojnë larg rrugëve derisa borëpastrueset të kenë bërë punën e tyre.

Duket se shumë shpejt do të rikthehet në normalitet edhe trafiku ajror. Gjatë fundjavës u anuluan gati 12.000 fluturime, por tani thuajse të gjitha aeroportet e zonës së prekur po funksionojnë si zakonisht, edhe pse me vështirësi për shkak të dëborës dhe akullit në pista.

Leave a Reply

%d bloggers like this: