Amerika

SHBA, e vrasin se po ndihmonte të bllokuarit në dëborë

Në media e quajnë “Samaritani i mirë”, por ishte pikërisht mirësia ajo që i mori jetën. Duke sfiduar të ftohtin e acartë, 26-vjeçari Jefferson Heavner nga Njuton i Karolinës së Veriut u përpoq t’i vinte në ndihmë njerëzve të bllokuar nga stuhia Jonas.

Ngjarja që tronditi opinionin vendas ndodhi në kontenë Katauba të këtij shteti, një nga më të goditurit prej stuhisë historikë të dëborës. Akulli në rrugë bëri që disa makina të rrëshqisnin, një pjesë u përplasën, të tjera mbetën varg pas tyre.

Heavner, shofer kamioni, afrohet për të parë si mund të ndihmojë dhe i drejtohet njërës prej makinave të përfshira në aksident. Në timon ishte studenti 27-vjeçar Marvin Jacob Lee, nga Klermonti.

Dëshmitarët okularë tregojnë se i riu që në fillim ishte shfaqur mjaft agresiv e sipas sherifit të zonës, ai kishte qenë i pirë. Sapo dëgjoi se Heavner donte të thërriste policinë për ndihmë, Lee doli nga makina e hapi zjarr.

Edhe kur 26-vjeçari ra në tokë, studenti vazhdoi të qëllonte. Me mbërritjen e forcave të rendit, Lee u mbyll në automjetin e tij e u desh ndërhyrja e forcave speciale dhe një mjeti të blinduar për ta nxjerrë prej andej. 27-vjeçari akuzohet për vrasje me dashje.

Historia e Jefferson u pasqyrua gjerësisht në mediat amerikane. Miqtë dhe të afërmit krijuan një faqe përkujtimore ne interneti, përmes të cilës po përpiqen gjithashtu të mbledhin fonde për djalin 17-muajsh të viktimës, Bretlee, të cilin Heavner po e rriste i vetëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button