Home / Arte / Film / Dhimitër Anagnosti ose Kubricku shqiptar

Dhimitër Anagnosti ose Kubricku shqiptar

80 vitet e një prej ikonave të kinematografisë shqiptare. Rrugëtimi i një karriere në komunizëm, nga filmi i parë “Njeriu kurrë nuk vdes” te “Gjoleka i biri i Abazit” dhe zbulimi i shkrimtarit të vonë..

Nga Alda Bardhyli

Nëse Dhimitër Anagnosti nuk do të ishte kthyer në Shqipëri, pas studimeve në Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator, por do të kishte qenë i lirë të krijonte në një vend tjetër pa korniza, ai me siguri do të ishte sot një Stanley Kubrick. Me një diferencë vitesh gati 8 vjet nga njëri-tjetri (Kubrick ka lindur më 1928 dhe Anagnosti më 1936) ata do të ndërtonin botën e tyre kinematografike pothuajse në të njëjtën kohë, megjithëse në skaje të ndryshme. Ndryshe nga Kubrick, i cili provoi disa disiplina arti para se të dashuronte filmin, ai e nisi karrierën e tij si fotograf i revistës “Look”, Anagnosti do ta niste punën si operator për herë të parë në filmin “Debatik”, (1961). Me lirinë që i jepte një vend si SHBA, Kubrick do të realizonte më 1962-shin një nga filmat më të parë të atyre viteve, “Lolitën” bazuar në romanin e Nabokov, një histori që as mund të mendohej që mund të ekranizohej në një televizor bardhezi në Shqipërinë komuniste. Nëse Kubrick zgjedh një histori të Vladimir Nabokov, për ta ekranizuar, Anagnosti i tërhequr nga proza e Ernest Hemingway-t, do të ekranizojë tregimin “Njeriu kurrë nuk vdes” bashkë me regjisorin Viktor Gjika, i cili do të vlerësohej me çmimin e parë në Festivalin Botëror të shkollave kinematografike që u zhvillua në Holandë më 1961. Me këtë zgjedhje, Anagnosti do të tregonte qysh herët prirjet e tij estetike drejt një kinemaje magjike, e cila kërkonte të zbërthente njeriun. Por Hemingway mund të shihet sot si shenja e parë që ky dashnor i ri i filmit kishte dhënë për të treguar se raporti i tij me kinemanë ishte më shumë se një raport i thjeshtë dashurie, pasi filmat që do të mbanin më vonë firmën e Anagnostit as që mund të mendohej që mund të kishin subjekte “dekadente” siç mund të konsiderohej proza e huaj në atë periudhë. Përballja me realitetin në Kinostudion e asaj periudhe dhe të krijuarit nën kornizat e sistemit ku përkisnin, do ta bënte Anagnostin ta rrudhte imagjinatën e tij, duke zgjedhur tema që tregonin kohën. I tillë është “Komisari i Dritës” filmi i realizuar më 1966, bashkë me regjisorin e mikun e tij, Viktor Gjika. Me skenar të Llazar Siliqit, filmi tregon Shqipërinë e pasçlirimit, e cila ishte në padije dhe injorancë. Është historia e luftëtarit të brigadave partizane, Dritan Shkaba, i cili ngarkohet me detyrë që të hapë shkolla në fshatrat e Mirditës. Krahas penës, mësuesi i ri duhet të shtrëngojë fort edhe pushkën. “Komisari” është një film fetar me dy atmosfera: kundër zotave dhe korruptimit të klerikut dhe pro besimit te feja e re. Viti 1966 nuk është as zbritja e djallit komunist në tokën shqiptare dhe as perëndimi i zotave apo i çdo metafizike. Është rilindja e një feje të re, më të emancipuar, më revolucionare, më praktike dhe unifikuese”. Një vit më vonë, Anagnosti do të ndërtojë një film me skenar të tij. Është filmi “Plagë të vjetra”, me një histori e cila kërkon të tregojë forcimin e pozitave të gruas në sistemin socialist. Doktoreshë Vera, personazhi i këtij filmi interpretohet nga bashkëshortja e Anagnostit në jetë, Roza Anagnosti. Më 1971, ai do të ekranizojë sërish një film me skenar të tij, “Malet me blerim mbuluar”, i cili tregon për Shqipërinë para përfundimit të luftës më 1943. Ka një zgjuarsi në gjithë kinematografinë e realizuar nga Anagnosti. Pavarësisht tematikave që kanë të bëjnë me kultin e kohës, ai ka ditur të zgjedhë histori që mund t’i shohësh edhe sot në ekran, duke i bërë filmat e tij pa kohë. “Kur hiqen maskat” filmi me skenar të shkruar nga vetë ai më 1975, është një film që mund të shihet edhe sot. “Lulëkuqet mbi mure”, i cili do të realizohej më 1976, ta veçonte përfundimisht emrin e Anagnostit, si një nga mendjet e kinemasë shqiptare. Filmi i bazuar në romanin “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzëzi, i vendos ngjarjet në një jetimore në Tiranë në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga fashistët në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Me këtë film, Anagnosti tregon se është regjisor që di t’u japë jetë karaktereve. Një sy i vëmendshëm mund të kuptojë se nuk është vetëm regjisori ai që ia jep këtë cilësi Anagnostit, por edhe shkrimtari. Tashmë 40 vjeç (1976) Anagnosti është autor i disa skenarëve, duke treguar se ka një pasion tjetër të fortë tek ai dhe ky është shkrimi. Ai u jep jetë në letër fillimisht personazheve, pastaj me figurë. Kjo gjë ndodh dhe me lulishtarin Xha Llambi, i cili në mes të luftës kujdeset për lulet. Xha Llambi interpretuar nga Pandi Raidhi, është personazhi kryesor i filmit “Monumenti” me skenar dhe regji të Anagnostit realizuar më vitin 1977. Dy vjet më vonë, ai merr një skenar të Kiço Blushit, për të realizuar filmin “Në shtëpinë tonë”. Një film i ngrohtë i cili tregon një histori dashurie të Anës. Vitet e luftës duket që kanë qenë frymëzuese për regjisorin, i cili në fillim të viteve ’80 shkruan skenarin “Vëllezër dhe shokë”, të cilin po atë vit do ta shëndrrojë në film. Filmi tregon historinë e Vasos një komunist, i cili rikthehet në fshatin e tij duke i dhënë një tjetër jetë fshatit. Realizmi përshkruan artin e Anagnostit, i cili duket se e ka gjetur gjuhën mes pikëpamjeve të tij si artist dhe forcës së censurës. Ndaj ai nuk ka frikë, as të marrë përsipër një peshë jo të lehtë për kohën, siç ishte realizimi i dokumentarit “Kujtime nga Gjirokastra” kushtuar ish-diktatorit Enver Hoxha, më 1983. Sërish ai nuk është vetëm regjisor, por edhe skenarist, dhe këtë herë ai duhet t’i japë jetë udhëheqësit komunist. Pavarësisht sesi mund të shihet sot realizimi i një dokumentari të tillë, ai tregon një artist sfidues i cili nuk ka frikë të përballet as me diktatorin. E ndërsa në fillim të viteve ’80, ky dokumentar tregon se sa i kufizuar ishte një artist në Shqipërinë e asaj kohe, Kubrick po e çonte kinemanë e tij drejt luftës që po bëhej në Vietnam. Bashkë me mikun e tij shkrimtar, David Cornwell, ai do të realizonte filmin “Full metal Jacket” me një buxhet prej 17 milionë  dollarë. Një shifër e tillë është ende e paimagjinueshme për një film shqiptar. “Përrallë nga e kaluara” më 1987, dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” më 1989, do të mbyllnin siparin e një krijimtarie nën censurë, për një regjisor thellësisht të ndjeshëm dhe realist. Për gati një dekadë pas rënies së perdes së komunizmit, Anagnosti do të heshtë për t’u kthyer me të njëjtin shkëlqim më vitin 2006 me historinë e shkruar nga vetë ai “Gjoleka i biri i Abazit”. Ndërsa Kubrick më 1999, do t’i jepte jetë në ekran erotizmit, duke dhënë kahjen që shoqëria po kishte drejt aventurës dhe seksit, Anagnosti do të tregonte me Gjolekën, atë çfarë po kalonte vendi i tij, ku përmbysja e një sistemi po shoqërohej me plagë që sillte përmbysja e mentaliteteve, dhe pushtimi nga informacioni. Një film thellësisht realist, dhe tepër trishtues mbi shenjat që komunizmi kishte lënë në këtë vend. Një film që tregon se Anagnosti me kinematografinë e tij është kronikani më i mirë i historisë sonë në këtë gjysmëshekulli. Ai nuk pati jetën e Kubrick, nuk punoi me teknologjinë e buxhetet e tij, nuk udhëtoi aq shumë kur ishte 30 vjeç, as kur ishte 40-të apo 50-të, nuk jetoi hoteleve luksoze apo avionëve, por në një apartament të thjeshtë, ku me imagjinatën e një krijuesi, projektoi në ekran memorien tonë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: