Home / Arte / Film / Filmi kosovar “Shok” i nominuar për Oscar shfaqet në kryeministri, Rama: Të lë pa frymë

Filmi kosovar “Shok” i nominuar për Oscar shfaqet në kryeministri, Rama: Të lë pa frymë

Filmi “Shok”, me metrazh të shkurtër, një bashkëprodhim i Kosovës dhe Anglisë, i nominuar për Oscar, provokoi emocione të forta mbrëmjen e djeshme në COD, në Kryeministri.

Filmi, sipas producentëve, bazohet në ngjarje të vërteta gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ai është realizuar në nëntor të vitit 2014 në Shalë të Bajgorës dhe ngjarjet përcillen përmes syve të dy fëmijëve, që të çojnë në një udhëtim mes vuajtjeve dhe barbarisë.

“Shok” është nominuar për çmimin Oscar si “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”, duke u bërë kështu edhe filmi i parë shqiptar i nominuar për këtë çmim prestigjioz.

Producent dhe njëherësh edhe një nga aktorët në film, Eshref Durmishi tha se  vendosën ta realizojnë këtë film, për t’i treguar botës se çfarë ka ndodhur tek ne. “Më mirë ta tregojmë këtë histori ne vetë,  sesa të na e tregojnë të tjerët,” u shpreh ai.

Pas shfaqjes së filmit “Shok”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “në këto raste, protokolli e do që të thuhen disa fraza klishe. E ngaqë frazat klishe janë shumë të përdorura, është e vështirë për publikun nganjëherë që të besojë kur është vendi dhe momenti për të thënë fjali plot emocion, që vijnë nga eksperienca e një filmi apo e një vepre si kjo. Por unë dua t’ju shpreh mirënjohje që ju erdhët dhe mu dha kjo mundësi. Është fat për mua që të jem ndër shikuesit e parë të filmit dhe dua shumë të shpresoj që filmin do ta shohin të gjithë shqiptarët. Sepse nuk është film i radhës, por është një film që si rrallëherë të mban të mbërthyer në ekran dhe të jep një tension shumë real”.

Më tej, Rama vuri në dukje se “filmi lidhet me një eksperiencë kaq jetësore, saç është eksperienca e të gjithë atyre që përjetuan barbarinë që filmi e përshkruan nëpërmjet një ngjarjeje që, mesa kuptova, lidhet edhe me ju personalisht”. “Kjo e shton edhe më shumë ngarkesën emocionale të filmit për ne si shqiptarë, sepse filma me ngjarje të vërteta, ngjarje realisht të forta emocionalisht, gjithsesi, kur nuk na takojnë drejtpërdrejtë, i shikojmë me një distancë të caktuar dhe i përjetojmë estetikisht kur janë të realizuar, ose i lidhi me ngjarjet tona apo me eksperiencat e afërta me tonat dhe ngacmohemi emocionalisht”, nënvizoi shefi i qeverisë shqiptare.

Ai u shpreh i impresionuar nga forca e thjeshtësisë që ka filmi, përtej ngjarjes.

“Nuk është aspak e lehtë të bësh një film të thjeshtë dhe të përcjellësh kaq shumë përmes një minutazhi të shkurtër. Një fije shumë e hollë e ndan shprehjen e talentit artistik, që e kemi mundësi ta shohim dhe ta prekim në shumë ese akademike dhe studentësh të talentuar, nga një vepër arti e plotë dhe që është si një gur që shtohet në murin e historisë së kinematografisë shqiptare”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: