Keshilla

Bimët dhe lulet e shtëpisë që pastrojnë ajrin e saj

Një nga problemet më të mëdha të momentit është pa asnjë dyshim ajri i keq! Shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar lulet veçanërisht të dobishme për të thithur gazin dhe për të pastruar ajrin e ndotur. Ndotësit më të përhapur që mund të gjenden në ambientet e shtëpisë janë: formaldehidi një përbërës organik (si benzeni), monoksidi i karbonit, azoti dhe gazi radon.

Zbulimi i NASA-s

Këta elementë mund të shkaktojnë alergji, marramendje, lodhje, çrregullim të sistemit nervor, kancer dhe madje edhe vdekje në rastet ekstreme të intoksikimit (helmim). NASA, në fund të viteve ’80, ka identifikuar 50 lule dhe bimë që rriten në shtëpi, të cilat eliminojnë shumë agjentë të kontaminuar dhe gazra të sipërpërmendur. Zbulimi antindotës i këtyre luleve u bë nga shkencëtarët në kohën kur po studionin se si mund të rikrijonin një ambient ideal për astronautët në hapësirë. Pas këtij zbulimi thuajse rastësor, ndërhynë edhe studimet e specialistëve të këtij sektori, botanikët dhe agronomët, të cilët zbuluan llojet më të mira të luleve që filtrojnë më shumë ajrin nga substancat toksike të pranishme në ambientet e shtëpisë.

Ja se cilat janë ato

1- (fig 1)

Këto janë lloje të ndryshme Aloe Vera, një bimë, të mirat e së cilës tashmë janë të njohura në shumë drejtime. Që nga kurimi i djegieve te  përgatitja e produkteve për ftohjen. Ndër të tjera, llojet e saj arrijnë të pastrojnë edhe ajrin e t’i japin apartamentit një lloj freskie. Gjithashtu arrijnë të thithin në mënyrë efikase formaldehidet.

2-Këto bimë origjinale, të njohura me emrin Drakena, gjenden në treg me më shumë se 40 lloje të ndryshme. Bëhet fjalë për një bimë e cila rritet brenda ambienteve të shtëpisë dhe që mund të eliminojë nga ajri grimcat e dëmshme të benzenit. Por e vetmja gjë negative e kësaj bime lidhet me toksicitetin (helmin) e saj, i cili u bën shumë keq miqve tuaj më katër këmbë, sidomos maceve dhe qenve.

3-Kjo lule është Chlorophytum, e njohur ndryshe edhe si lulja merimangë. Bëhet fjalë për një zgjidhje të mirë për këdo që ka shumë kohë të merret me “mikeshat e gjelbra”. Ajo është shumë e përhapur dhe shumë e kollajtë për t’u shtuar. Arrin të thithë të gjitha grimcat që mund të jenë krijuar pas pastrimit të shtëpisë.

4- Kjo bimë e bukur është një Chamaedorea, ndërkohë që te luleshitësi mund ta gjeni edhe me emrin Palma Bamboo. Ajo ka shumë aftësi të mira për të pastruar ajrin, sidomos prezencën e formaldeideve. Këshillohet ta mbani në ambiente me shumë dritë ose gjithsesi pranë një dritareje. Ajo mund të arrijë deri në tre metra lartësi. Forma e saj lejon ta bëni ambientin tuaj plot elegancë dhe klas.

5-Shumë e njohin me emrin e saj Lule Gjarpri, i cili i referohet formës dhe pamjes së jashtme, por kjo lloj e Sanseverias është çdo gjë tjetër përveçse helmuese. Me shumicë gjendet nëpër zyra dhe restorante, pikërisht prej karakteristikës së saj: për të nuk duhet të tregoni shumë kujdes, mjafton ta ujisni një herë në muaj dhe ta lini në ambient të thatë. Madje, ajo mund të rritet edhe në errësirë. Arrin të pastrojë ajrin nga substanca të ndryshme të dëmshme.

6- Këto pemë janë dy ekzemplarë të Fikusit, një nga lulet-pemë më të përhapura në të gjithë botën. Përmasat e saj mund të ndryshojnë në varësi të vazos në të cilën mbillen. Në treg ajo gjendet në forma të ndryshme. Përveçse është e bukur ajo është edhe një e mirë shtesë për mjedisin duke qenë se e pastron atë në mënyrë natyrale. Në verë mund ta vendosni edhe në tarracë ose në ambientet e jashtme.

7- Edhe këto lule mund të jenë të dobishme për çështjen që po trajtojmë sot. Të bukurat kizantema (emri i tyre) arrijnë të heqin nga ajri substancat e dëmshme si, benzenin, xilenin, formaldeidet dhe amoniakun.

8- Emri i saj është Nephrolepis Exaltata. Bëhet fjalë për një bimë shtëpie e cila është në gjendje të arredojë me stil vërtet çdo ambient, nga ai modern deri tek ai më klasik, sidomos nëse mbillet në një vazo shumë të madhe për t’u parë. Kushtet ideale për të janë: klima e lagësht dhe e freskët, si dhe drita e reflektuar. Ajo vlerësohet për aftësinë e saj pastruese të ajrit nga xileni (substancë e dëmshme).

9- Edhe pse emri i saj duket shumë i vështirë për t’u shqiptuar, kjo lule e Spathiphyllum është një nga më të vlerësuarat nga adhurueset femra për shkak të luleve të saj shumë të bukura dhe për rezistencën e tyre ndaj prekjeve. Ajo lulëzon gjatë verës, por rrezet e diellit të drejtpërdrejta nuk i bëjnë mirë. Ndërkohë, nga ajri arrin të eliminojë benzenin, formaldeidet, trikloroetilenin dhe amoniakun.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button