Ekonomia

Shqipëria, porta e zgjerimit të ekonomisë kineze në Europën Lindore

Shqipëria dhe Kina rivitalizojnë marrëdhëniet edhe pse ende frytet ekonomike nuk janë të dukshme. Vetëm në 1 vit, janë tre qytete të binjakëzuara dhe disa projekte të gatshme për të filluar si pjesë e zgjerimit të ekonomisë kineze në Europën Lindore, informon gazeta MAPO.

Ekonomia kineze ka pësuar luhatje në bursa dhe Tirana e ka ndjerë këtë. Kina është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë edhe pse shifrat e import-eksportit luhaten në nivele jo dhe aq të larta.

Kina, përtej krizës, është në ekspansion dhe lëvizjet e përfaqësisë kineze në Tiranë janë tregues i kësaj mode. Vetëm në janar ambasadorja kineze në Tiranë, Jiang Yu ka zhvilluar 7 takime, përfshi ministra si ai i Bujqësisë, vizita në qytete të ndryshme dhe një vizitë në Universitetin Europian të Tiranës ku u fol për shkëmbime studentësh, stafi akademik apo përkthime reciproke të literaturës më të mirë të dy vendeve.

Në fakt prej marsit 2015, kur Yu u caktua ambasadore në Tiranë, intesiteti i marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë ka njohur një trend në rritje. Një sërë marrëveshjesh janë nënshkruar, përfshirë tre binjakëzime. Durrësi me Shantou-n, Vlora me provincën e Yangzhou dhe provinca e Henanit me qarkun e  Shkodrës. “Ka një shprehje, “Sado larg që të jemi, porsi komshi të ngushtë i kemi.’ Miqësia e gjatë midis Kinës dhe Shqipërisë po shfaqet përsëri me vitalitet. Vitet e fundit, marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë zhvilluar qëndrueshëm, po thellohet besimi i ndërsjelltë politik, bashkëpunimet dhe shkëmbimet në fushat ekonomiko-tregtare, kulturore, etj. kanë arritur rezultate të frytshme”, thoshte në një prej takimeve të shpeshta ambasadorja Yu, duke iu referuar këtyre marrëdhënieve.

Ndërkohë vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama dhe takimi i katërt në më pak se tre vjet mes drejtuesve të Evropës Lindore dhe Kinës është pjesë e ndryshimit të këtij perceptimi. Nëse investimet për rrugë, porte e energji realizohen, Kina do të rigjallërojë “Rrugën e Mëndafshtë”, Shqipëria nga ana e saj duket se është e gatshme të jetë pjesë e kësaj rruge.

Hapi i parë i gjithë kësaj është binjakëzimi i Durrësit, që kryeministri i Shqipërisë e sheh si port të fundit të Rrugës së Mëndafshit mes qytetit Shantou, vendi prej nga kjo rrugë nis. Në fakt shpresat e Durrësit për të rivalizuar “vëllezërit” e mëdhenj në Mesdhe, si Selaniku ka kohë që ndizet e fiket. Këtë herë fenerët janë kinezë dhe në Shqipëri për këtë mall të Kinës kanë pasur respekt të veçantë, sa kohë ishte ndër të paktët mjete të transportueshme ndriçimi.

Kryeministri Rama duket se e mendon kështu: “…jo vetëm do të shtrojë më tej rrugën për zhvillimin e portit të Durrësit, por do të çelë një fazë të re në rritjen e investimeve ku moment me rëndësi të veçantë përbën ndërtimi i Zonës Ekonomike me Parkun Industrial të Spitallës”. Qeveria e Shqipërisë sheh te kjo një mundësi për krijimin e 30 mijë vendeve të reja të punës. Deri tani e gjitha është në letër ashtu si Rruga e Arbrit apo marrëveshje të ngjashme për të cilat Tirana kërkon të tërheqë investime.

Pekini po ashtu duke i interesuar. Ambasadorja Jiang Yu ka shpjeguar projektin “Një brez një rrugë” duke shkruar vetë në të përditshmet e Tiranës. Nga ana tjetër, “lidhjet e vjetra”, ish ambasadorë apo grupe teknike bashkëpunimi të para viteve ’70 janë rigjallëruar.

Kryeministri Rama duket se ka shpresa për të marrë financime nga Kina. Në Facebook ai njoftoi se pritej finalizimi sa më parë i negociatave financiare për të nisur punimet në Rrugën e Arbrit dhe “potencialin e madh të bashkëpunimit për Parkun Industrial në Zonën e re Ekonomike të Durrësit, ku parashihet krijimi i 30 mijë vendeve të reja pune; zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri në kuadrin e programit të mekanizmit 16+1 për këtë infrastrukturë në Baltik dhe Adriatik”.

Rama gjithashtu njoftoi për një sistem me lehtësi vizash për shtetasit kinezë dhe gjithashtu për përmirësim të marrëdhënieve ekonomike në turizëm e agrikulturë. Rama thotë se është biseduar për të lehtësuar eksportin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë dhe madje mbështetje me grante kineze për modernizmin e saj. “Korridori i Kaltër” ishte pjesë e kërkesës shqiptare për financim nga BE në Vienë dhe duket se përfshirja e Kinës në këtë rast i rrit shanset e një fillimi të shpejtë të punimeve atje, por fishekzjarrët, edhe këta përgjithësisht kineze, është shpejt të ndizen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button