Maqedonia

Protesta kundër mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill

Maqedonia do të përfshihet në protesta masive nëse nuk shtyhen zgjedhjet e parakohshme, që janë caktuar të mbahen më 24 prill. Këtë paralajmërim e kanë bërë të enjten, para zyrës së Bashkimit Europian në Shkup, drejtuesit e 78 OJQ-ve, duke bërë thirrje që votimet të bojkotohen, nëse nuk ndryshon data e mbajtjes së tyre.

Në letrën drejtuar përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe SHBA-ve, ata nënvizojnë se organizimi i zgjedhjeve pa përmbushjen e reformave do ta thellojë edhe më tej krizën politike në vend.

“Ne, qytetarët dhe aktivistët e organizatave qytetare, presim që Bashkimi Europian të jetë edhe më tutje aleati ynë dhe një partner në luftën për demokratizimin e Republikës së Maqedonisë. Në të kundërtën, me keqardhje do të duhet të konstatojmë, që KE-ja bëhet pjesëmarrëse në shkeljen e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës në Republikën e Maqedonisë”, tha Biljana Bejkova, nga një prej OJQ-ve.

Por, edhe përkundër paralajmërimeve për protesta dhe thirrjeve për bojkotimin e zgjedhjeve, pushteti është i vendosur që zgjedhjet të mbahen më 24 prill. Partia shqiptare në qeverinë e Shkupit, BDI, zgjedhjet i shikon si zgjidhje për krizën politike.

“Qëndrimi i BDI-së është që të kemi sa më parë zgjedhje, por ato të jenë korrekte dhe demokratike dhe t’i japim fund krizës politike, e cila ka efektet e veta edhe në rrafshin ekonomik”, tha Bekim Neziri, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Ndërkohë, përfaqësuesit e 4 partive politike nuk kanë arritur ende marrëveshje për pastrimin e listës zgjedhore dhe për reformat në media, si çështje shumë të rëndësishme për një proces elektoral demokratik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button