Amerika

Republikanët tallen me mosparaqitjen e Trumpit në debatin televiziv

Edhe pse nuk ishte në salle si gjithë të tjerët, debati i fundit televiziv republikan përpara zgjedhjeve paraprake të Ajouas u përqendrua sërish tek Donald Trump. Rivalët e vunë në lojë mungesën e tij. Senatori i Teksasit, Ted Cruz, i pari.

“Unë jam manjak dhe të gjithë këtu në këtë skenë janë budallenj, të shëndoshë, të shëmtuar, kurse ti, Ben Carson, je një kirurg i tmerrshëm. Tani që e kryem pjesën e Donald Trumpit, mund të vazhdojmë”, tha Cruz.

Batuta e radhës erdhi nga Jebb Bush. Më mungon shumë, tha ai duke qeshur, për njeriun që në debatet e mëhershme të këtij lloji ka qenë torturuesi i tij më i madh. Për Marco Rubion, miliarderi njujorkez “është tip shumë zbavitës”.

Pas kësaj, Trumpi kryesues i garës për nominimin republikan nuk u përmend më për pjesën tjetër të debatit, ku 7 kandidatët iu rikthyen çështjeve serioze të fushatës. Momentin kulmor, debati e arriti kur senatorët Rubio dhe Cruz u përballën me regjistrimet video të deklaratave të veta kontradiktore mbi reformën e emigracionit, çka i dha mundësinë guvernatorit të Floridas Bush të tregonte se ndryshe nga kolegët, ai vetë nuk ishte lëkundur nga angazhimet e marra.

Një fitore të vogël e korri dhe guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, me hilaritetin që shkaktoi kur tha se i duhej një fjalor “Uashington në anglisht” për të kuptuar çfarë ishin duke thënë dy senatorët. Christie dhe Bush shënuan performancën më të mirë gjatë debatit, megjithatë i fituar doli edhe Trumpi vetë, ndonëse nuk ishte i pranishëm.

Arsyeja përse ai e bojkotoi eventin ishin mosmarrëveshjet me organizuesin “Fox News”, e sidomos me moderatoren Megyn Kelly, të cilën e akuzon se nuk e ka trajtuar drejtësisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button