Home / Kronika / Sociale / Maturantët, formula e re për të fituar universitetin

Maturantët, formula e re për të fituar universitetin

Përcaktohen kriteret e reja që duhet të përmbushë çdo maturant për të fituar ndjekjen e studimeve të larta në një nga fakultetet publike të vendit. Ndryshimet e kushtëzuara nga ligji i arsimit të lartë, rikthejnë notën mesatare si kriter hyrës në universitet.

Niveli dysheme i notës mesatare do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, ndërsa institucionet e arsimit të lartë kanë vendosur edhe për dy kriteret shtesë që do të zbatohen në renditjen e fituesve.

Duke iu referuar vendimeve më të fundit të marra nga Senati Akademik, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, bën me dije se pas klasifikimit fillestar të kandidatëve që mund të aplikojnë për të hyrë në universitet nëpërmjet mesatares së vendosur nga qeveria, do të zbatohen edhe dy kritere të shpallura nga vetë universiteti.

Në vendimin e marrë, përcaktohet se 50 për qind e vlerësimit për maturantët i takon mesatares së tre viteve të shkollës se mesme, ndërsa 50 për qindëshi tjetër i takon mesatares së grupit të lëndëve që vendosen si prioritet nga çdo fakultet. Një tjetër risi e procesit të pranimeve për vitin e ri akademik 2016-2017, ka të bëjë edhe me kohën e shpalljes së fituesve. Rektori Kule konfirmon se shpallja e tyre nuk do të bëhet më gjatë muajit shtator, sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara.

Maturantët do mund të mësojnë që në muajin korrik nëse kanë fituar studimet e larta në degën e preferuar ose jo. Sipas kreut të UT-së, ky proces do të sigurojë më shumë cilësi në auditorët e universiteteve publike, pasi do lejojë hyrjen e kandidatëve që kanë mesataren më të lartë, ndryshe nga sa ka ndodhur nëpërmjet përzgjedhjes së bërë nga Matura Shtetërore.

Më tej, rektori Kule hedh poshtë të gjitha pretendimet për një rikthim të mundshëm të konkurseve të pranimit, apo intervistave me gojë. Në këto kushte, fakultetet do të respektojnë mesataren dysheme që pritet të miratohet nga Qeveria, më pas në varësi të kërkesave të maturanteve, shkollat e larta do të përcaktojnë kuotat e pranimit që do të realizojnë përgjatë vitit.

Me ndryshimet e diktuara nga ligji i ri, provimet me zgjedhje dhe ato të detyruara të maturës, nuk do të jenë më vendimtare për të përcaktuar fituesit që do shkojnë në universitete, por do të shërbejnë vetëm si kriter për të mbyllur studimet e shkollës së mesme. Rektori Kule shpjegon në vijim formulën e plotë që do të zbatohen për shpalljen e maturantëve fitues që do ndjekin universitetin përgjatë vitit akademik 2016-2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published.