IntervistaPolitika

Kush e do kokën tuaj, Ilir Meta?

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta foli ne intervisten e fundit televizive te premten ne mbremje për darkën e fundit me kryeministrin Rama, reformën në drejtësi dhe akuzat që u ngritën ndaj tij, për çështjen Doshi apo CEZ-DIA.

Kush e do kokën tuaj politikisht, Ilir Meta? – ishte pyetja e perseritur e intervistuesit Arjan Cani.

Unë nuk merrem me emra. Po të doni mund të vini në zyrën time, aty e kam dosjen, është 1 mijë faqe. Dhe Clifordi e kishte përdorur këtë në gjyq për të treguar që DIA kishte shfrytëzuar zyrtarët. Ishte taktika e Clifordit për të dëmtuar DIA-n në interes të shtetit shqiptar, pasi DIA kërkonte 130 milionë euro kundër shtetit shqiptar – tha Meta.

Që i humbi në arbitrazh…

Megjithatë, dhe një herë tjetër, për të qenë fare të qartë, e theksoj se ky ka qenë një operacion mafioz, politik, në mënyrë të veçantë financiar, mediatik, i cili në mënyrë frenetike, siç shprehej studio në fund fare, në letrën e fundit u përpoqën të krijonin konfuzion dhe të dëmtonin procesin kundër shtetit shqiptar në mënyrë që shteti të humbiste 130 milionë euro. Dhe ju e kuptoni që 130 milionë euro është një shumë e madhe nga e cila do të përfitonin shumë, por do të humbnin shqiptarët dhe natyrisht goditej Ilir Meta politikisht, goditej Sali Berisha. Dhe kjo ishte e programuar, por natyrisht që në fund fare do të goditej dhe Edi Rama, sepse do të humbnin 130 milionë euro. Pa dyshim që këta shqiptarë për këtë çështje do të kërkonin një përgjegjësi ndaj qeverisë, ndaj Kryeministrit, ndaj ministrit të Energjisë. Por e vërteta, e cila asnjëherë nuk u theksua nga mediat, të cilat për fat të keq i jepnin jehonë manipulimit të agjencisë me qendër në Beograd, e cila i referoi Clifordit…

Mua më thanë që financohet nga Sorosi. A është e vërtetë? A keni dëgjuar gjë?

Këtë gjë nuk e di, por di që kur ka dalë kjo çështje, zoti Vasili ka thënë se e vërteta e kësaj, akuza ndaj Metës është sa ishte e vërteta e sondazhit të Soros-it në janar të vitit 2013 për LSI-në, ku LSI-në e nxori me 1% dhe parti të pestë, pastaj rezultatin ju e dini mirë se si doli. Pra, nuk e di tamam, por ndoshta Petriti ka pasur ndonjë informacion më të plotë se unë. Ajo që dua të them është se menjëherë kjo kompani është treguar mjaft korrekte. Pra, kjo studio ligjore, pasi është bërë kjo akuzë, ka bërë një deklaratë mjaft të shkurtër, por të qartë.

E bëri tani…

Jo, kjo është tjetër.

Ajo që thatë se nuk keni përmendur emër?

Jo, nuk kemi përmendur emrin e z. Meta për asnjë çështje korrupsioni.

Ka dalë kjo në media?

Ka dalë shumë pak.

Ndoshta nuk iu dha rëndësia e duhur?

Nuk ka rëndësi. Ata mbajtën qëndrimin e tyre, por nuk bënë një shpjegim më të plotë, sepse çështja ishte në arbitrazh.

Arbitrazhi mbaroi…

Ata, duket qartë dhe nga mënyra se si e kanë formuluar letrën, nuk donin të hynin në një debat, i cili përmes kësaj zhurme, synonte të dëmtonte OSHEE-në dhe shtetin shqiptar në gjyq me qëllimin që pala që donte të merrte 130 milionë euro, që sponsorizonte të gjithë këtë sulm, të arrinte të gjitha objektivat e saj; objektiva politike, objektiva financiare e kështu me radhë. Dhe pas objektivave financiare përsëri objektiva të reja politike.

Ato janë bashkë, sigurisht. Kush qëndron pas këtyre sulmeve? Unë e di që nuk mund t’i vini dot një emër dhe një mbiemër sot këtu, por që të gjitha…

Kjo është çështje e institucioneve të shtetit, nuk është çështje imja si Kryetar i Kuvendit.

Çfarë do të thotë kjo?

Janë institucionet që duhet të gjykojnë.

Kush e do kokën tuaj politikisht, Ilir Meta? Pse të mos e themi? Kjo histori ka vite, nuk është hera e parë…

Për mua nuk ekziston asnjë shqetësim. I vetmi shqetësim imi gjatë asaj periudhe ka qenë vetëm një, që shteti të mos humbiste 130 milionë euro, sepse nuk ishte më asgjë e rëndësishme…

Nuk është vetëm afera e CEZ-it. Akuzat ndaj jush kanë qenë të tmerrshme, të forta…

Gjyqin më të mirë të një politikani ia bën vota e popullit.

Kush qëndron pas gjithë këtyre sulmeve që po ju bëhen juve në vazhdimësi dhe që me siguri nuk kemi parë gjë akoma, sepse zgjedhjet e 2017-s janë akoma dhe një vit larg? Qëndron Edi Rama, me të cilin duhet thënë që ju nuk keni pasur gjithmonë muaj mjalti, por keni pasur konflikte nga më të ndryshmet, herë underground, herë publike e tjerë, e tjerë, i dimë të gjithë, se i kemi parë kronikat nëpër televizione, i dinë sulmet që i keni bërë ju atij, ai ju, qëndron Edi Rama, qëndrojnë ndërkombëtarët Ilir, apo Edi Rama përdor ndërkombëtarët, apo Lul Basha në bashkëpunim me Edi Ramën, apo agjencia DIA-s sponsorizoi të gjithë këtë sulm me ndihmën e SOROS-it? A mos jemi përballë një skenari me një koalicion të madh Rama-Basha, Ilir Meta, për t’ju eliminuar ju dhe për të hequr nga parlamenti të gjithë individët e tjerë, që konsiderohen me rekorde kriminale?

Ju thatë shumë opsione….

Një nga këto do të jetë, apo jo?

Unë shkurtimisht dua t’ju them se nuk dua të mbështetem në një logjikë konspirative, por pa dyshim të gjitha inskenimet kanë një konspiracion dhe ky konspiracion është mbështetur vazhdimisht nga faktorë, të cilët nuk e duan atë stabilitet politik që kontribuon LSI-ja dhe Ilir Meta në politikën shqiptare, por dëshirojnë një konfrontim ekstrem në vend, i cili do të prodhonte kriza të forta, siç edhe ka prodhuar në të kaluarën. Për sa u takon ndërkombëtarëve, absolutisht që nuk kemi asnjë angazhim të ndërkombëtarëve në këtë drejtim. Kur flas për ndërkombëtarët, ndërkombëtarë ka shumë, ka edhe mafie ndërkombëtare, ka edhe lobingje.

Patjetër, unë i futa me një fjalë.

Absolutisht.

Unë i listova, për shembull, siç i keni çuar një e-mail zonjës Klinton dikur kur keni qenë ministër i Jashtëm, e mbani mend apo jo, e dini shumë mirë? Është një nga njerëzit që Edi Rama, në një farë mënyre, e ka provuar vetë. Edi Rama është krijesë e SOROS-it është njeriu që mbështetet nga SOROS-i, pra të   gjitha këto…

Unë nuk jam dakord me këto çështje, por nuk kam ndër mend të hyj në debat me ju, por do t’ju jap përgjigje për pyetjen që më bëtë. Nuk e besoj këtë variant, por natyrisht që ka elemente, po themi, të njohur si sorosianë, që kanë punuar ethshëm për një koalicion të madh PD –PS, me qëllim portretizimin e LSI-së, si një forcë me probleme.

Ndërsa, për sa i takon problemit të eliminimit të njerëzve me rekorde kriminale, LSI-ja ka qenë që në fillim për ta zgjidhur menjëherë këtë çështje dhe nuk duhej të ishte zvarritur për një kohë kaq të gjatë. Por më në fund kjo gjë u bë dhe është mjaft pozitive.

Ilir Meta, në rrjetet sociale shkruhet për një skenar, që synon eliminimin tuaj politik, pse jo edhe burgosjen tuaj…

Po kjo është synuar që në vitin 1993, kështu që mos u shqetëso!

Flitet shumë për eliminimin tuaj politik dhe e thonë, konspiracion do të thoni ju, megjithatë unë jam këtu zëdhënës i të gjithë anonimateve, i të gjitha zërave, që është konceptuar dhe sponsorizuar, sidomos nga fondacioni SOROS, dhe këtë e bën nëpërmjet Edi Ramës, njeriut të tyre. Madje, në këto postime në rrjetet sociale thuhet se është garantuar Basha për të qeverisur pas Ramës në vitin 2021, Ilir Meta. Pra, me fjalë të thjeshta, është garantuar Basha se në vitin 2021 do t’i vijë radha për kryeministër, ndërkohë që duhet lënë i qetë Rama të qeverisë pa Metën, në periudhën 2017-2021. A jeni ju në dijeni të një skenari të tillë? E di që këtu flas për të ardhmen dhe njerëzit mund të thonë: këto janë çmendur! E di që e ardhmja nuk parashikohet, por   ne do të mundohemi ta lexojmë të ardhmen, për të kuptuar ç’ndodh tani, apo jo?

Tani, një analize të tillë unë do t’i jepja këtë përgjigje: fondacioni SOROS ka bërë edhe punë të mira në Shqipëri, ka bërë edhe vepra sociale dhe cilido që mendon se po ndodh kjo gjë, do të ishte mirë të jepej mesazhi që para të tilla të mos shkonin kot, por për të shkonin përsëri për vepra të mira, që shqiptarët të vlerësonin kontributin e këtij fondacioni.

Para disa ditësh, filloi një lëvizje në rrjetet sociale për largimin e SOROS-it nga Shqipëria. Le të rrimë pak te SOROS-i, se është një temë interesante, për të cilën njerëzit janë kuriozë , se u duket si ufo Sorosi, po, në fakt, ai është njeri që ka shumë para, por që ka probleme me disa shtete, mbase edhe me shtetin e vet. Me sa duket, në rrjetet sociale ka nisur lëvizje për largimin e SOROS-it, duke parë që Rama nuk mund ta mbajë më, thonë, postin e Kryeministrit, se po bëhet situata shumë keq, SOROS-i, kur them SOROS-i e kam fjalën grupi i tij, ka filluar të mendojë për trashëgimtarin e Ramës, Ilir Meta, më dëgjoni me vëmendje.

Po, po, po dëgjoj.

Ndaj, ka ftuar vetëm pak ditë më parë në Sri Lanka, për të gjithë ju që nuk e dini është një ishull në Oqeanin Indian, ku në një panel ishin ulur miliarderi Soros, mbajtësi i çmimit “Nobel” për ekonominë, Joseph Stiglitz, profesori i Haward-it Osman që paguhet nga Sorosi dhe këshillon Edi Ramën për reformat ekonomike, presidenti i Sri Lankës dhe vetë Erion Veliaj, kryetari i bashkisë, që unë këtu i them “Vilajet qyrku”, me përkëdheli. Thonë se kjo ishte një qokë për Erion Veliajn, për ta pagëzuar si trashëgimtar të Edi Ramës, i cili do të lërë postin e Kryeministrit pas një mocioni që do t’i bëjë Ilir Meta. Besoj se jeni në dijeni për këtë gjë, apo jo? Meqenëse reforma në drejtësi nuk kalon, do të ketë një mocion…

Në dijeni të kujt?

Të gjithë këtij skenari…

Të mocionit. Mos ka bërë ndonjë gjë baba Taku me kokën e tij, se unë nuk di gjë për ndonjë mocion.

Jo, nuk ka filluar ende. Gjithmonë nëse reforma në drejtësi nuk kalon.

Reforma në drejtësi do të kalojë, mos u shqetëso!

Më vijnë mesazhe, më fal që po e copëtoj kështu intervistën, por më pëlqen – e më thonë: Çani, po vjen koha e ngjalave prapë, më duket. Ngjalat, për ata që nuk e dinë, ose që nuk u kujtohet, është një darkë që ka ngrënë Edi Rama – darkë apo drekë, s’e mbaj mend mirë – në Gjirin e Lalëzit, më 1 prill të vitit 2013.

Ngjala, tha Doktori, por peshk kishim.

Nuk ishin ngjala?

Jo, ngjala tha Doktori.

A po vjen koha e ngjalave prapë, me Edi Ramën? Pra, a do të uleni prapë, siç u ulët?

Ne jemi ulur dhe jemi në një proces të vazhdueshëm. Ne ulemi çdo javë. Bile ju shqetësoheni kur ne ulemi dy herë në javë.

Thuhet se ka një propozim nga ndërkombëtarët europianë, dhe propozimi është: të shkëmbehet Kastriot Ismaili me SOROS-in, thotë mesazhi.

Nuk dua të komentoj këto.

Ilir Meta, a keni menduar ndonjëherë që, ajo që në fakt SOROS-i do të dëshironte të bënte, është të bënte bashkë Ramën dhe Bashën, për një koalicion të madh? Çfarë do të bënit në një moment të tillë? E keni menduar mundësinë që ata të dy të bëhen bashkë?

Së pari, njëherë, unë do të dëshiroja shumë që Rama dhe Basha të bëheshin bashkë, duke kuptuar përgjegjësinë e përbashkët që kanë ndaj vendit. Një koalicion PD-PS, që të dyja partitë e bëjnë me vullnetin e tyre, për t’i dhënë vendit një zgjidhje më të mirë se sa koalicioni aktual, për ne është një koalicion që respektohet.

Ju kaloni në opozitë…

Patjetër! Me kënaqësi. Ne kemi qenë në pushtet, dhe nga pushteti krijuam një forcë opozitare, LSI-ja.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button