Maqedonia

Aleanca për shqiptarët: Ka ardhur koha që Maqedonia të definohet si shtet binacional

Mbrëmë në Kumanovë u zhvillua debati i hapur, i organizuar nga Aleanca për shqiptarët. Në debat morrën pjesë përfaqësues të Aleancës, si: Zijadin Sela, Vesel Memedi, Arben Taravari, Zenun Ismaili, Dukagjin Osmani, Binaz Pajaziti, të cilëve kumanovarët iu parashtruan pyetje të ndryshme.

“Bashkohuni këtu me ne, sepse këtu është opsioni i vërtetë!”– ftoi Zijadin Sela kumanovarët të mobilizohen, me ç’rast u zotua se bashkërisht do të ndalojnë politikën afatgjate të partisë shqiptare në pushtet, e cila sipas tij, nënkupton bërjen e jetës të bezdisshme, lëshimin e shtëpive dhe zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve vetëm atëherë kur më nuk do të ketë shqiptar.

“Do t’i ndalojmë, sepse jemi në rrugë të drejtë dhe do të kemi ndihmën e Zotit.”-theksoi Sela.

Sipas Vesel Memedit përgjatë 25 viteve partitë politike në pushtet kanë manipuluar me rininë, duke e ditur se mendimi politik krijohet shpejtë dhe pa përpunuar e analizuar informatat sa duhet. Sipas tij, tani është koha të shpërthejë revolucioni kognitiv (në kokë, bazuar në arsye) e i cili do të shoqërohet me revolucionin fizik, nëpër rrugë.

“Revolucioni ka filluar, askush nuk mund ta ndal. Kërkoj të jeni të përgatitur për të vërtetën!”-theksoi Memedi, “Kutia e Pandorës është hapur. Ka tendenca ta mbyllin, por nuk munden…Të gjithë që kanë bërë mirë do të shpërblehen dhe të gjithë që kanë bërë keq do të ndëshkohen.”

Duke iu përgjigjur qytetarëve, ata thanë se Aleanca për Shqiptarët do të koncentrohet në sektorin privat dhe do të ndryshojnë sistemin arsimor në atë mënyrë që t’i përshtatin drejtimet me tregun e punës dhe t’i stimulojnë zejet, në zhdukje e sipër; për ndarje të re territoriale etj.

Në pyetjet e gazetares së Portalb-it u përgjigjën si vijon:

A do të merrni pjesë në zgjedhje nëse organizohen në prill?
“Ne mbajmë qëndrim se pa zgjidhje të problemeve kruciale, që kanë ngulfatur Maqedoninë këto 25 vitet e fundit nuk do të ketë zgjedhje.”-tha Memedi. Sipas tij, edhe komuniteti ndërkombëtar është i bindur që pa plotësuar kushtet e nevojshme për të pasur zgjedhje fer dhe demokratike nuk do të ketë zgjedhje.

A e keni gati programin e përbashkët? Çka përmban?
“Ne platformën e kemi gati dhe ka kaluar në instancat respektive të LR-PDSH-së dhe RDK-së. Kuvendi qendror ka miratuar platformën e përbashkët që të dalim në zgjedhje kurdo që të mbahen ato. Dhe platforma është duke u përkthyer edhe në gjuhën angleze, që t’u përcillet edhe ambasadave të huaja në vend. Besoj se jeni të vetëdijshëm cilat janë momentet kryesore të platformës. Ne besojmë fuqishëm se ka ardhur koha që Maqedonia të definohet si shtet binacional, i maqedonasve, shqiptarëve dhe nacionaliteteve të tjera. Pa barazi të plotë të shqiptarëve dhe maqedonasve nuk mund të flasim për asnjë platformë dhe kërkesë tjetër.”

Pse nuk mund të gjeni gjuhë të përbashkët me Besën e të bashkoheni, po vazhdimisht thirrni njëra-tjetrën?
“Ne kemi gatishmëri dhe këtë gatishmëri e kemi shprehur. Publikisht u kam thënë të nënshkruajmë kontratë 1/3, bazuar në platformë. Por çfarë përgjigje kam marrë?! Asgjë.”-tha Sela dhe sqaroi se mungon vullneti nga pala tjetër. Arben Taravari sqaroi se ai kishte marrë përsipër bashkimin e Aleancës me Besën dhe se kishte qenë optimisti më i madh. Por se pas përpjekjeve të tij të vazhdueshme për 4 muaj me rradhë është bërë pesimisti më i madh e theksoi “Nuk ia vlen të bisedojmë”. Me këtë rast të dy u shprehën se ndaj BDI-së mund të fitojnë edhe pa u bashkuar me Besën.

A mund të pritet bashkim me Unitetin?
Sela sqaroi se nuk ka biseduar me krerët e Unitetit dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë, për arsye morale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button