Home / Kronika / Sociale / Urgjenca, Beqaj: Stafi mjekësor nuk ndryshon, shërbim cilësor për qytetarët

Urgjenca, Beqaj: Stafi mjekësor nuk ndryshon, shërbim cilësor për qytetarët

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në një deklaratë për mediat ka folur për ligjin e ri të urgjencës dhe ndryshimet që parashikohen. Beqaj u shpreh i vendosur për reformimin e urgjencës, duke shtuar se është i gatshëm të përballet me çdo shpifje.

“Kemi një vendim qeveria për urgjencën kombëtare. Ne po ngremë institucionin, po ngremë godinën. Ne presim një sistem më të mirë të urgjencës, me cilësi shërbimi për të pasur më shumë jetë të shpëtuara. Që nga data 1 nëntor ne ndjekim përditë se çfarë bëjnë secila nga ambulancat e sistemi spitalor në vend. Ne dokumentojmë se çfarë ndodh me çdo rast që ka një thirrje urgjente. Kemi një flotë ambulancash të mjaftueshme dhe me cilësi të mirë, por është e menaxhuar keq në territor”, deklaroi Beqaj.

Veç kësaj kreu i shëndetësisë tha se personeli nuk preket dhe për qytetarët nuk ndryshon asgjë, madje sipas tij do të rritet cilësia e ofrimit të shërbimit për ta.

“Ne do ta rrisim volumin e punës mjekësore. Për qytetarët nuk do të ndryshojnë asgjë, por shpresojmë që përgjigja jonë ndaj tyre të jetë më e shpejtë. Brenda marsit shpresojmë që të paktën 2/3 e ambulancave të jenë në shërbim të qytetarit. Personeli nuk ndryshon, do të jetë i punësuar, madje do të jenë pjesë e spitaleve universitare ku do të rrisin edhe cilësinë e tyre profesionale”, sqaroi ministri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: