Te ndryshme

A do të nxisë teknologjia evoluimin tonë në specie të reja?

Nëse jeni nën moshën 40-vjeçare, keni shanse të larta të arrini pavdekshmërinë elektronike gjatë jetës suaj. Sipas kësaj ideje, të gjitha mendimet tuaja dhe eksperiencat do të ngarkohen dhe do të ruhen online për brezat e ardhshëm.

Kjo, sipas një studiuesi të së ardhmes, i cili jo vetëm që beson se teknologjia do t’i lejojë njerëzit të bëhen një me kompjuterët, por do të krijojë edhe një specie të re të quajtur Homo optimus. Sipas pretendimit të tij, kjo do të ndodhë në vitin 2050.

Parashikimet janë bërë nga doktor Ian Pearson në kuadër të Panairit Big Bang 2016.

Ai beson se brenda 35 viteve të ardhshme, njerëzit do të jetojnë online dhe se kafshët tona do të arrijnë “të bisedojnë” me ne. Sipas tij, transhumanizmi, ideja që ne mund t’i bëjmë njerëzit teknologjikisht më të përmirësuar, do të jetë norma në vitin 2050.

“Me gjenomët e përmirësuar dhe trupat e zgjeruar nga lidhjet me teknologjinë e jashtme, njerëzit mund të jenë më të bukur, më inteligjentë, më të sofistikuar emocionalisht, në gjendje më të mirë fizike, më të lidhur me njëri-tjetrin, si dhe më të shëndetshëm.”

Teksa njerëzit përqafojnë përparimet teknologjike dhe gradualisht bëhen më tepër androidë, ne mund të shohim zëvendësimin e Homo sapiensit nga Homo optimus.

“Nuk është çudi që procesi ynë evolucionar të ndryshojë në përgjigje të teknologjisë. Kjo është diçka shumë entuziazmuese, pasi natyra nuk po na detyron më të ndryshojmë, por janë shpikjet tona ato që po na mundësojnë çdo ndryshim që duam”, shpjegoi doktor Pearson.

“Kjo mund t’u japë shtysë disa formave të çuditshme dhe të mrekullueshme të së ardhmes dhe krijimtarisë, nga ndryshimi i mënyrës se si i shohim gjërat, te kontrolli i ëndrrave dhe gjithçka tjetër. Imagjinata do të jetë i vetmi limit”, pretendon doktori që studion të ardhmen.

Doktor Pearson beson se me një lidhje të plotë mes trurit njerëzor dhe një kompjuteri njerëzit mund ta zhvendosin mendjen e tyre në një trup android të përmirësuar.

“Kjo do t’i lejonte njerëzit të kishin ekzistenca dhe identitete të shumëfishta ose të vazhdonin jetesën edhe pas vdekjes biologjike”, shkroi ai në raportin “Njeriu i së ardhmes”.

Ndërsa kjo teknologji mund të jetë e disponueshme që nga viti 2050, ajo mund të bëhet e përballueshme për të gjithë në vitin 2070.

Gjithashtu, deri në fund të shekullit, studiuesi pretendon se do të ekzistojnë disa lloje njerëzish, përfshirë hibridët njeri-makineri dhe njerëzit që do të jetojnë në trupa androidë, si dhe “krijesat inteligjente.

“Ne do të përparojmë patjetër teknologjikisht, por të njëjtën shans mund t’u japim edhe kafshëve që mbajmë në shtëpi apo jetës së egër. Ne mund të krijojmë specie të reja edhe te kafshët”, pretendon studiuesi.

Parashikimet tregojnë se ne mund të jemi në gjendje të krijojmë kafshë që flasin dhe hibridë njeri-robot si në programet televizive fantastike shkencore.

Panairi Big Bang, takimi më i madh i shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Britaninë e Madhe për të rinjtë, do të vlerësojë teknologjitë që do t’u japin formë këtyre zhvillimeve. Nga një sensor i lëkurës që i lejon njerëzit të dëgjojnë muzikë drejt e në vesh pa asnjë pajisje të jashtme deri tek orkestrat robotike.

“Janë njerëzit e rinj që do të vijnë në panair ata që do të ndihmojnë në përparimin e inovacioneve që ekspertët tanë kanë parashikuar”, tha Paul Jackson, shef ekzekutiv i organizatorëve të Panairit Big Bang.

“Të rinjtë e sotëm jo vetëm që do të përjetojnë “veshjen” e muskujve apo kujdesin ndaj kafshëve inteligjente, por ata gjithashtu do të vendosin ç’pamje do të kenë këto.

*Burimi: Daily Mail

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button