Home / Keshilla / Tetë gjëra që nuk duhet të bëni përpara një operacioni

Tetë gjëra që nuk duhet të bëni përpara një operacioni

Nëse do të bëni një operacion nuk duhet të depiloheni, të bëni manikyr apo të hani çamçakëz. “Daily Mail” ka hartuar një listë sjelljesh dhe veprimesh, të cilat duhet t’i keni parasysh nëse do të bëni një ndërhyrje kirurgjikale. Rrjeti britanik i është referuar librit “Going Into Hospital? A Guide for patients, carers and families” (Do të shtroheni në spital? Një guidë për pacientët, kujdestarët e shëndetit dhe familjet), të shkruar nga Oliver Warren, Dean Franklin, Charles Vincent. Autorët janë nisur nga një e dhënë: në Mbretërinë e Bashkuar, në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (Nhs), në çdo dhjetë minuta anulohet një operacion – rreth 60 mijë në vit – pikërisht për shkak të faktit se pacientët nuk arrijnë të ndjekin instruksionet e mjekëve në fazën paraoperacionale.

Ja lista:

1) Depilimi i këmbëve

“Gjatë depilimit të këmbëve ekziston mundësia e krijimit të prerjeve të vogla ose irritimeve. Dhe më e rëndësishmja: në këtë mënyrë mund të prishen ‘barrierat’ e lëkurës kundër baktereve, që mund ta infektojnë atë”, kështu ka shpjeguar Andy Goldberg, konsulenti i kirurgjisë ortopedike në spitalin Wellington në Londër. Shumë persona mendojnë se i bëjnë favor kirurgut duke u depiluar përpara operacionit, por ja që nuk është kështu. Këshilla është që këmbët t’i lini ashtu.

2) Humbja e peshës në mënyrë të shpejtë

“Nëse humbni peshë shumë shpejt dhe sidomos nëse kjo nuk është këshilluar nga mjeku, ju do të filloni të humbni masën muskulore”, shton dietistja Rebecca McManamon. Në fakt, trupi në këtë mënyrë do të dobësohej shumë. Këshilla është të ndaloni limitimin e kalorive pesë ditë përpara operacionit.

3) Hudhra dhe ilaçe

Është e nevojshme ta informoni sa më shumë mjekun tuaj personal mbi ilaçet që merrni rregullisht (nëse i merrni), po ashtu edhe për produktet natyrale që konsumoni: hudhër, xhenxhefil etj., sepse disa prej tyre mund të rrisin rrezikun e gjakderdhjes. Ndër të tjera, thotë kirurgu Oliver Warren, është e nevojshme t’u kushtoni vëmendje indikacioneve mbi ilaçet që do të merrni.

4) Përtypja e çamçakëzit për t’i bërë ballë mosngrënies

“Problemi është që stomaku prodhon më shumë acid kur është në pritje. Pastaj, kur ju jeni nën anestezi, të gjitha valvulat e traktit gastrointestinal relaksohen dhe në këtë mënyrë ato kanë shumë mundësi të zbrazen nga acidi. Ndërkohë, nëse ai arrin në mushkëri, atëherë njeriu rrezikon vdekjen”, kështu ka paralajmëruar Anna-Maria Rollin, mjekja anesteziste dhe zëvendësja e “Royal College of Anaesthetists”. Përgjithësisht mjekët këshillojnë që të mos hani për gjashtë orë përpara se të bëni operacion.

5) Bërja e manikyrit

“Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ne përdorim sensorë për të matur nivelin e oksigjenit në gjakun e pacientëve. Ata vendosen në gishta, ndaj manikyri duhet të hiqet përpara operacionit”, shpjegon Warren, një nga autorët e librit, ndërsa ka shtuar se thonjtë duhen prerë të gjithë, sepse ata mund të mbajnë baktere.

6) Furça e dhëmbëve

“Spitalet në ditët e sotme janë thuajse më të pastra, por gjithsesi është e këshillueshme që me vete të keni një furçë të dytë në rastin kur njëra mund të bjerë në dysheme. Kjo gjë ndihmon në reduktimin në minimum të rrezikut nga infeksionet”, shpjegon Ron Cutler, mikrobilog. Eksperti këshillon gjithashtu që të përdorni një furçë dhëmbësh totalisht të re pas operacionit.

7) Mos pini duhan

“Mos pini duhan, të paktën një ditë përpara operacionit, shpjegon doktoresha Rollin, kjo gjë mund të bëjë diferencën në rikuperimin tuaj. Madje, sa më herët ta ndaloni, aq më mirë është. Duhani shkatërron mushkëritë dhe mushkëritë e infektuara kanë më shumë gjasa për t’u infektuar, infeksionet pas operacionit janë më të zakonshme te duhanpirësit. Kjo për shkak se tymi është irritues dhe mund të shkaktojnë kollitje, që është veçanërisht e bezdisshme, kur ju sapo keni bërë një operacion.”

8) Mos u kujdesni për kafshët tuaja

“Kam pasur pacientë, shpjegon Warren, që janë zgjuar pas një operacioni dhe gjëja e parë që kanë thënë ka qenë: ‘Askush nuk po kujdeset për qenin tim!’. Ndaj është e rëndësishme të bëni një plan më herët për kafshën tuaj shtëpiake, nëse keni një të tillë.” Ky është një nga shkaqet më të zakonshme për të cilat operacionet anulohen, sepse pacientët pësojnë rritje tensioni kur mendojnë për kafshën e tyre të braktisur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.