Home / Bota / Amerika / Trump u rikthehet akuzave: Cruz i vodhi zgjedhjet në Ajoua

Trump u rikthehet akuzave: Cruz i vodhi zgjedhjet në Ajoua

Edhe pse e pranoi humbjen dhe renditjen në vend të dytë me një qetësi që nuk është aspak në stilin e tij, ndërsa rezultatin e cilësoi “nje nder” për të, Donald Trump nuk duroi gjatë për t’u rikthyer në figurën kontroverse që njohin të gjithë.

Përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter, manjati i pasurive të patundshme e akuzoi rivalin Ted Cruz se parapraket e Ajouas i fitoi përmes mashtrimit.

“Ted Cruz nuk e fitoi Ajouan, ai e vodhi. Kjo është arsyeja përse të gjitha sondazhet rezultuan të gabuara dhe përse mori më tepër vota nga sa ishte parashikuar. Shumë keq!”, shkroi Trump në Twitter.

Miliarderi Nju Jorkez nuk u ndal me kaq, por kaloi dhe në ofendime të mëtejshme ndaj një gjoja deklarate të senatorit të Dallasit, se konkurrenti tjetër republikan Ben Carson do ta linte garën.

Trump e fshikulloi politikanin konservator duke thënë se, “po tregohet fare i pacipë” duke gënjyer si për politikat e tij, ashtu dhe për ato të Carson.

“Mbështetur në mashtrimet e senatorit Cruz gjatë zgjedhjeve të Ajouas, ose duhet të ketë një votim të ri, ose rezultati të anulohet”, deklaroi Trump po përmes rrjetit social.

Përgjigjia e kundërshtarit nuk vonoi. “Zgjohem çdo ditë duke qeshur me mesazhet më të fundit të Trump në Twitter, sepse duket qartë që po e humb mendjen”, tha Cruz, teksa vazhdon i pashqetësuar takimet me elektoratin në fushëbetejën e radhës së zgjedhjeve paraprake, Nju Hempshër.

Leave a Reply

%d bloggers like this: