Muzike

Historia e orkestrës “hibrid” të veglave muzikore të temperuara

Orkestra e veglave muzikore popullore të temperuara, pjesë e kujtesës historike dhe e vazhdimësisë komunikative të folklorit muzikor shqiptar me muzikën e kultivuar kanë qenë një histori suksesi në folkun shqiptar. Tashmë veglat që nxirrnin tinguj mahnitës janë zhdukur dhe mund të shihen vetëm në fotografi të kohës…

Nga Engjëll SERJANI

Orkestra e veglave te temperuara ne Festivalin e 17 te kenges ne RTVSHEtnomuzikologu dhe klarinetisti i talentuar gjirokastrit, Jorgo Roze, na rrëfen historinë tepër interesante të një orkestre frymore me instrumente popullore të temperuara, formacion instrumental origjinal, i rrallë dhe krejt i veçantë në llojin e tij, krahasuar me të gjitha formacionet që mbështesin dhe respektojnë veglat popullore autoktone dhe akordet muzikore polifonike të trevave të Jugut. Sipas maestro Rozes, folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur, jo vetëm në shprehjet e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri te shumëzërëshi, por edhe në muzikën me instrumente popullore, në muzikën e kombinuar me zë e vegla, muzikën për shoqërimin e valleve popullore, muzikën e kombinuar me imitime dhe mjete natyrore dhe primitive si fishkëllima, gjeth, camunza, zile, këmbore, etj. Sidoqoftë, në vlerat e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore ka një fond të madh instrumentesh popullore, të cilat klasifikohen në katër grupe kryesore: ideofone, membranofone, kordofone dhe areofone. Orkestra e Instrumenteve Popullore të Temperuara e Gjirokastrës e përbërë nga 23 instrumentistë arriti që, për herë të parë, të përpunojë dhe temperojë instrumentet tradicionale të të katër klasave të identifikuara nga etnomuzikologët shqiptarë dhe si një orkestër me vlera dhe komunikim të dyanshëm u prezantua zyrtarisht dhe denjësisht në Koncertin e Mirëseardhjes të Festivalit Folklorik Kombëtar të vitit 1978, në disa Festivale të Këngës në Radiotelevizion dhe në disa koncerte jashtë vendit të ansamblit artistik “Çerçiz Topulli”. “Ideja e krijimit të një orkestre me vegla popullore tradicionale, por të përpunuara dhe të temperuara në atë formë që të jenë të afta për të prodhuar tinguj të shkallëve muzikore për të luajtur me nota muzikore, i lindi për herë të parë kompozitorit Gjon Simoni”, – thotë Roze. Sipas idesë së kompozitorit dhe etnomuzikologut Gjon Simoni, baza e kësaj orkestre do të ishin veglat popullore të kategorisë aerofone, instrumente të lashtë që i prodhojnë tingujt muzikorë prej vibracioneve të frymës dhe luajtjes së gishtave mbi trupin e veglës muzikore, si bilbili, cyla, fyelli, cirifilja, fyelldrejti, dyjarja, pipëza, zumbarja, camunza, gajdja, gërneta, kallami, gëzhoja, etj., instrumente që përgjithësisht përdoren në të gjithë hapësirën etnomuzikore shqiptare, por që sipas prof. Ramadan Sokolit, ato veçanërisht dhe gjerësisht aplikohen në trevat folklorike jugore.

Muzikë, matematikë dhe mekanikë

“Maestro Gjoni qëndroi dhe punoi shumë kohë në Gjirokastër dhe së bashku me matematikanin e njohur gjirokastrit, Kosta Makariadhi, bashkëpunuan gjatë për të studiuar dhe për të përcaktuar pozicionet e vendosjes së brimave mbi tastierat e instrumenteve origjinale popullore nga ku mund të dilnin tonet dhe semitonet muzikore të kultivuara”, – thotë Jorgo. Procesi i përpunimit dhe përpunimi kalonte më tej në duart e arta të mjeshtrit axhustator Vaso Naka dhe disa mjeshtërve të tjerë në ish-uzinën metalike. Në bankat e repartit të tornove dhe axhustatorëve të ish-Uzinës Metalike operohet me duar, me mendje dhe me punto speciale për të hapur birat mbi tastierat e fyejve, dyjareve, jareve, longaritë, etj. Maestro Jorgo Roze kujton me emocion e nostalgji bashkëpunimin e ngushtë me mjeshtrin duarartë Vaso Naka, “mjeshtër me kategori të shtatë”, i cili, nëpërmjet duarve të tij dhe duke përdorur instrumente mekanike të precizonit të lartë, arriti të prodhojë instrumente muzikore të një kualiteti të lartë që habitën edhe maestro Ferdinant Dedën, dirigjentin e madh të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Vështirësia më e madhe ishte që të prodhohej instrumenti i parë i temperuar dhe harmonizuar, pastaj duart, puntot, tornot, limat, kalibrat “punonin” vetë. “Më kujtohet që gjatë testimit të instrumenteve nga muzikantët në repartet e uzinës kishte shumë zhurmë. Ne ndalonim makineritë dhe të gjithë punëtorët mblidheshin te bankat e provës dhe dëgjonin muzikën e instrumenteve”, kujton mjeshtri Naka. Pavarësisht se instrumentet e prodhuara prodhoheshin me dru panje dhe piksi, përpunimi i tyre bëhej me makineri metalpunuese për shkak se ndërhyrjet kërkonin precizion të lartë. “E nisëm në fillim me bilbilin. E regjistruam dhe e shtrimë në dy oktava: nga do poshtë, nëdo lartë. Pas bilbilit u morëm me longarin që kishte një rol harmonik në orkestër, nuk luante melodi, por kryente një lloj isoharmoni. Pastaj vazhduam deri sa krijuam një familje instrumentale të përsosur”, – tregon maestro Roze. Ai kujton gjithashtu përkujdesjen e maestro Gjon Simonit për çdo instrument. “Longari ose dyjarja, një instrument muzikor që e gjen pothuajse në çdo familje labe, luhet me dy duar në dy tastiera, maestro Gjoni dha idenë e ndarjes së dyjares në një instrument me një tastierë që quhet jare, sepse kështu ishte më e përshtatshme nga ana harmonike. Dhe kështu që bëmë dy jare: një jare në do dhe një jare në sol, duke e pasuruar kështu “familjen tonë orkestrale” me më shumë mundësi shprehjeje muzikore”, – thotë Roze. Testet, regjistrimet dhe temperimet e instrumenteve, sipas tij, bëheshin nga dy mjeshtër të harmonisë, Genci Çoni dhe Petro Mixha.

Krahas bilbilit, dyjares dhe jares, puna për regjistrimin, temperimin, dhe testimin u shtri edhe për veglat e tjera muzikore dhe u krye për 23 instrumente të ndryshëm muzikorë: gërnetën (klarinetën), qeramen (violinën), lahutë-bas që luante rolin e “babagjyshit” si instrumenti bazament që tingëllon më poshtë nga gjithë të tjerët, etj. Pas kësaj pune të lodhshme e mjaft të vështirë, orkestra sipas drejtuesit të saj Jorgo Roze, nisi të tingëllojë bukur në të “tri katet” e saj: Kati i parë: bilbili – qeramet – jarja inçe (do), kati i dytë: gërneta – fyejt – jarja inge(sol) dhe kati i tretë: longare – lahutat – lahuta bas – darja me ritmin e saj perkusioni.

Instrumente, por edhe instrumentistë virtuozë

Instrumente artizanale dhe virtuoze, por sado të përsosur e tingëllues të jenë ato, patjetër që duhen duart dhe shpirti i muzikantit dhe instrumentistit virtuoz që tingujt e muzikës të kalojnë te shpirtrat e publikut. Gjatë rrëfimit të tij, maestro Jorgo Roze, drejtues artistik, dirigjent dhe interpretues i parë në Orkestrën e Instrumenteve Popullore të Temperuara, të përbërë nga 23 instrumentistë virtuozë, me sytë gjysmë të mbyllur përpiqet të kujtojë dhe të mos harrojë asnjë nga muzikantët që i dhanë jetë kësaj orkestre. “Edhe sot më dalin para syve në kujtesë të gjithë kolegët, Vetë interpretoja në bilbil solo, por dhe dirigjoja duke interpretuar, përpara në klarinetë qëndronte nxënësi im Leko Kosta, në violina virtuozët e harkut Pranvera Ahmeti dhe Lefter Zhulla, më tej dy lahutarët Odise Çaro dhe Dashnor Mullai, në lahutë-bas Kujtim Dule, në dajre Ksenofon Andrea, në jare dhe bilbil Kozma Kaftani, Shkëlqim Skreli dhe Roland Çomo, Genci Çoni, Petro Mixha, Dhimitër Bocolla, Panajot Kallulli, Ilirjan Bilica, etj., të cilët për momentin nuk po më kujtohen”, rrëfen ai. Repertori i kësaj orkestre përfshinte elemente interesante, avaze, valle, melodi dhe këngë të ndryshme nga të gjitha trevat e Jugut të ndërthurura me shumë mjeshtëri me melosin autentik popullor nga zona të njohura për folklor tradicional si krahinën e Kardhiqit dhe Picarit, Lunxhërisë, Zagorisë, Pogonit, Dropulli, por edhe nga qyteti i Gjirokastrës. Në krye të repertorit ishin meloditë që buronin nga melosi i lashtë i isopolifonisë labe.

Prezantim dinjitoz në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare

Interpretimet e para në formë eksperimentale të kombinuar të këtyre instrumenteve nisën me formacionin e orkestrës muzikore të Estradës Profesioniste të drejtuar nga vetë Jorgo Roze. “Në disa prej premierave të estradës ne interpretuam disa pjesë me instrumente të temperuara. Mbaj mend që fillimisht unë interpretoja bilbil-solo, në klarinetë nxënësi im Aleko Kosta, në violinë interpretonin Pranvera Ahmeti dhe Lefter Zhulla, në lahutë Odise Çaro dhe Dashnor Mullai, në lahutë-bas Kujtim Dule dhe në def (dajre) luante xhezbandisti Ksenofon Andrea. Gjatë një turneu konkurrues në Durrës, ne interpretuam disa pjesë dhe shoqëruam disa këngë dhe shefi i atëhershëm i muzikës në ish-Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Kristo Jorgji, u entuziazmua shumë, i pëlqeu shumë gërshetimi instrumenteve, muzikës me ngjyrime e motive tradicionale me ato të kultivuara. Aty fituam shumë pikë dhe përkrahje, sepse ish-zëvendësministri Mantho Bala, kur pa për herë të parë një orkestër estrade të veshur me kostume popullore, jelekë, fustanella e kalca shprehu vlerësime maksimale për respektimin e “tabanit kombëtar” dhe u shpreh i gatshëm për të mbështetur vazhdimin e mëtejshëm të projektit të Orkestrës Muzikore me Vegla Popullore të Temperuara. Prezantimi i parë zyrtar dhe më befasues i kësaj orkestre u bë në Koncertin e Mirëseardhjes të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1978. Në këtë event të madh kulturor orkestra ishte e kompletuar më të gjitha instrumentet tradicionale të të katër klasave muzikore të identifikuara. Në skenën e madhe të kalasë, Orkestra e Instrumenteve Popullore të Temperuara e Gjirokastrës e përbërë nga 22 instrumentistë për herë të parë tregoi vlerat dhe vitalitetin e instrumenteve dhe muzikës tradicionale, për herë të parë dhe në mënyrë të plotë instrumentet moderne muzikore, “ulën kokën dhe ranë në gjunjë” përpara instrumenteve tradicionale nga edhe ata kishin origjinën. “Folklori muzikor shqiptar e bënte jetën e vet në atë ndarje specifike, që lidhet me format tradicionale të të shprehurit muzikorë dhe me tipat tradicionalë të instrumenteve të përdorura, por qëllimi i kësaj orkestre ishte që këto “burime” të mrekullueshme të tingujve muzikorë, jo vetëm të harmonizoheshin me instrumentet dhe muzikën e kultivuar shqiptare, por të merrnin prej traditës elementet më racionale dhe identifikuese të traditës së lashtë muzikore shqiptare”, shprehet maestro Jorgo Roze. Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu edhe thirrja e kësaj orkestre për disa vjet rresht në eventin më të madh të muzikës së lehtë dhe të kultivuar, Festivalin e Këngës në Radiotelevizion. Orkestra mori pjesë për herë të parë në Festivalin e 16 të Këngës në Radiotelevizion. “Më thirri në telefon ish-nëndrejtori i RTSH, Çajup Rusmali, dhe më tha se do të merrnim pjesë në Festivalin e Këngës se Lehtë në RTVSH, ishte gjë e madhe në atë kohë, të 22 instrumentistët u mrekulluan. Nisëm përgatitjet dhe u nisëm për Tiranë një muaj para. Përkrah orkestrës së madhe simfonike, orkestra jonë na dukej shumë e vogël dhe démodé, por kur ajo mori vlerësime maksimale nga kolosët e muzikës shqiptare dhe sidomos nga publiku, ne morëm krahë dhe e vazhduam me më shumë pasion e përkushtim mbajtjen gjallë dhe pasurimin e repertorit të saj”, rrëfen Roze. Ne, vazhdon ai, morëm pjesë edhe në një festival tjetër të muzikës së lehtë një vit më pas, dhamë edhe disa koncerte me ansamblin “Çerçiz Topulli”. “Mirëpo, ç’të të them!? Tingujt e kësaj orkestre moderne me instrumente tradicionale dhe respektimi i parimeve të gërshetimit të muzikës tradicionale me atë modern nuk ishte ‘muzikë e bukur’ për të gjithë veshët. Na nxorën shumë vështirësi më pas, kryesorja e pretendimeve ‘përgatitja e veglave dhe mbajtja e orkestrës ka kosto të lartë’, sikur ishin pa kosto disa veprimtari propagandistike të asaj kohe!?”, – shfryn muzikanti 75-vjeçar Jorgo Roze i cili shprehet i gatshëm të ringjallë atë formacion “hibrid” instrumental-muzikor.

Gatishmëri dhe dëshirë për të ringjallur “orkestrën hibride”

Kjo histori, sipas maestros, zgjati deri në fund të viteve 1990. Prej asaj kohe, rrëfen ai, e deri tani, nuk gjendet në inventar të institucioneve kulturore asnjë prej instrumenteve të dikurshëm, mandej nëpër arkiva të këtyre institucioneve nuk po gjen as edhe ndonjë fotografi për të qenë. “Kemi hartuar një projekt për të ringjallur këtë orkestër të jashtëzakonshme. Së bashku me një grup muzikantësh interpretues kemi biseduar me mjeshtrin mekanik – axhustator Vaso Naka dhe jemi duke kërkuar andej-këndej mbështetje për burime materiale dhe financiare, thotë Roze. “Ne tashmë kemi eksperiencën dhe e dimë gjithë procesin e përgatitjes së instrumenteve të temperuara dhe nuk është aspak e vështirë për t’ju rikthyer edhe një herë këtij projekti me sukses të verifikuar”, – thotë mjeshtri i prodhimit të instrumenteve muzikore të temperuara Vaso Naka. “Vazhdimisht ndjekim në media dhe në publicitete dhjetëra festivale që zhvillohen në vendin tonë me lloj-lloj emrash; të polifonisë apo isopolifonisë, të sazeve, të muzikës baroke, të muzikës klasike, të këngës popullore qytetare, të odave, etnofolkut, turbofokut, të riteve, të valleve popullore, kombëtar e ndërkombëtar, të Europës, të Ballkanit dhe të Mesdheut, etj., etj., por askush nuk kujtohet për të ringjallur këtë orkestër muzikore që duke ruajtur me fanatizëm autenticitetin e muzikës tradicionale e lidhi atë në mënyrë harmonike me muzikën e kultivuat shqiptare”, thotë etnomuzikologu Jurgo Roze.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button