Home / Te ndryshme / Hotelet më të pazakonta që nuk do ta besoni se ekzistojnë

Hotelet më të pazakonta që nuk do ta besoni se ekzistojnë

Harrojini hotelet e zakonshme që njihni deri më tani. Në pika të ndryshme të botës, 12 hotele tepër të çuditshme dhe shumë magjepsëse ekzistojnë dhe tërheqin vizitorë çdo vit. Ja se cilat janë hotelet që nuk duhet të lini pa provuar të paktën një herë në jetë.

Hoteli “Inntel Zaandam” (Amsterdam)

Në pamje të parë, ky hotel ngjan si një grup shtëpish të vëna njëra mbi tjetrën në mënyrë të çrregullt. Frymëzuar nga arkitektura tradicionale e shtëpive në rajonin Zaan, fasada e gjelbër e hotelit “Inntel Zaandam” e rrëmben vëmendjen e syrit që nga larg. Me vendndodhje pranë stacionit të trenit të “Zaandam”, duhen vetëm 12 minuta për të arritur në qendër të qytetit të Amsterdamit.

Hoteli “Faralda Crane” (Amsterdam)

Fillimisht pjesë e një kantieri detar në Amsterdam që funksionoi nga viti 1894 deri në 1979, ky vinç historik është transformuar në një hotel shumë të hatashëm.

Hoteli “Faralda Crane” ndodhet në majë të një strukture 50 metra të lartë dhe ka vetëm tri suita të disponueshme për prenotim. Nëse qëndrimi në majë të një ish-monumenti industrial nuk ju entuziazmon mjaftueshëm, mund të hidheni me litar nga 50 metra lartësi.

Resorti “Sheraton Huzhou” (Huzhou, Kinë)

I famshëm për formën si të një petulle, resorti “Sheraton Huzhou” në Kinë ofron shërbime që janë akoma më tërheqëse se arkitektura e tij. Një nga më të veçantit është kalimi i një ure nënujore që lidh dy kullat e hotelit. Natën, ka një shfaqje fantastike dritash që bëjnë ndriçimin e plotë të ndërtesës së veçantë.

Hoteli “Jested” (Republika Çeke)

Ndërtuar në vitet 1960, ky hotel ngjan sikur e ka prejardhjen nga një film fantastiko-shkencor sesa si një vend për të kaluar natën. Ai ndodhet 1012 metra mbi nivelin e detit dhe ofron panorama fantastike të jetës idilike të Republikës Çeke. Sipas faqes së internetit të hotelit, struktura e brendshme është bërë nga copa çeliku të ricikluara, që i japin një ndjesi industriale meqenëse janë marrë nga hekurudhat.

Hoteli “Kioto” (Japoni)

Ky hotel nuk është absolutisht për klaustrofobikët. Në hotel “Kioto” ju mund të flini vetëm brenda një kapsule. Në këto kapsula është një sistem kontrolli i ambientit, që pretendon se ndihmon në ritmin gjumë-zgjim, gjë që sipas hotelit e bën pushimin më të rehatshëm.

Resorti “Kroçera e Diellit” (Kore e Jugut)

Dëshironi të udhëtoni me kroçere, por keni frikë se mos ju zë deti? Ky resort mund të jetë ajo që po kërkoni. Ai është vetëshpallur si kroçera e parë luksoze në tokë dhe ofron gjithçka që do të përjetonit në një kroçerë luksoze, përveç detit.

Ka madje një lokal rrotullues që ofron pamje fantastike të oqeanit.

Fortesa “Spitbank” (Angli)

Fortesa “Spitbank” ndodhet mu në mes të detit. Me një strukturë rrethore, ky hotel është transformuar nga një rezervë armësh në një ishull privat luksoz që ka në tarracë një pishinë, sauna dhe oxhak. Ka edhe diçka tjetër që do ta bënte eksperiencën tuaj edhe më unike, pretendohet të ketë një fantazmë në këtë fortesë.

Sferat e Shpirtit të Lirë (Kolumbia Britanike)

Me vendndodhje në pyllin bregdetar të ishullit Vankuver, Sferat e Shpirtit të Lirë janë sfera individuale në formën e shtëpive mbi pemë projektuar t’u ofrojnë të ftuarve eksperiencën e natyrës në një mënyrë të re. Tri sfera të bëra krejtësisht me dorë janë të disponueshme për qiramarrje. Aksesi te “dhomat” përfshin një labirint urash dhe shkallësh prej druri të varura në ajër.

Aurora Express (Alaskë)

Nuk keni përse shqetësoheni nëse nuk zbritët në stacionin e duhur të trenit ngaqë ju zuri gjumi, sepse në fakt ky tren nuk luan vendit. Pronarët Mike dhe Susan Wilson e kanë rinovuar këtë tren të vjetër të hekurudhës së Alaskës dhe e kanë kthyer në një hotel luksoz dhe vend të konsumit të mëngjesit. Çdo dhomë është e dekoruar bazuar në periudhat historike në Alaskë. Vagonët e trenit ofrojnë një pamje fantastike të lumit, maleve dhe qytetit.

Motel “Wigwam” (Arizonë)

Mund të mos jetë luksoz, por moteli Wigwam ofron kasolle si të indianëve që janë të rehatshme dhe të ngrohta. Ndikuar nga kultura vendase e Amerikës, Frank Redford filloi ndërtimin e këtyre moteleve në Amerikë në vitet 1930. Vetëm tre kanë mbetur sot.

La Balade des Gnomes (Belgjikë)

Dëshironi të kaloni një natë brenda kalit të Trojës? La Balade des Gnomes është në fakt një hotel shumë imagjinativ me 10 dhoma dhe i ndërtuar me dru. Në suitën e kalit të Trojës ka një pishinë dhe çdo dhomë është e frymëzuar nga një përrallë.

Hotel “Costa Verde” (Kosta Rika)

Ky Boeing 727 i vitit 1965 ndodhet në një tendë xhungle në Kosta Rika. Hoteli “Costa Verde” e transportoi këtë avion të dalë nga funksioni nga aeroporti ndërkombëtar i San Jose. Ai është rikonstruktuar dhe kthyer në suitën e një hoteli luksoz që qëndron në një lartësi 15 metrash. Në këtë lartësi, klientët mund të shijojnë pamjen e oqeanit dhe xhunglës.

*Burimi: CNN

Leave a Reply

Your email address will not be published.