Home / Arte / Ekspozita / Një akademik gjithnjë në udhëtim

Një akademik gjithnjë në udhëtim

“Mbylli sytë dhe eja me mua/ Ma jep dorën, do të jetë shumë mirë/ Mos ki frikë…/ndihu e lirë, gjithçka do të shkojë mirë…”.

Këto vargje të Phil Collins do t’i shkonin fotos së dy fëmijëve vendosur në bordurën bri detit plot dallgë, realizuar nga Adam Łazowski. Rrugë që zgjaten mes malesh, portrete njerëzish të marra në situata të zakonshme, apo kolazhe që të kujtojnë copëza të realitetit tonë, përbëjnë ekspozitën me 50 foto bardhezi, të hapur në galerinë “Kalo”. Është Adam Lazowski, një akademik anglez i cili sjell joshjen e tij ndaj Shqipërisë përmes aparatit fotografik, që ka shoqëruar udhëtimet e tij në këtë vend. “Shqipëria përmes një lenteje”, quhet ekspozita e cila të bën të mendosh. Me duart e vendosur kryq pas koke, Adam është i gjithi i kthyer përballë një pamjeje që të huton. Janë malet pafund që i shfaqen para, në rrugën për të eksploruar vendin tonë. Një koleksion fotosh bardhezi që kanë histori për të rrëfyer.

Kjo është Shqipëria përmes një lenteje, fiksuar në bukurinë e saj dhe jetën e përditshme. Një burrë duke thithur ajrin e maleve, një qen që ngrohet në diell, një grua e moshuar që pret autobusin, apo një re para shtrëngate duke iu afruar malit të Krujës. Gjithçka e kapur nga syri miqësor i një të huaji. Por ajo çfarë e bën interesante këtë ekspozitë është fakti se Adam Łazowski nuk është një artist në profesion. Ai është një akademik gjithnjë në udhëtim për shkak të punës, por që do të fokusojë në memorien e aparatit gjithçka të bukur që syri i rrok. Profesori i drejtësisë në Universitetin e Westminster-it në Britaninë e Bashkuar, na sjell një vëzhgim ndryshe të vendit tonë, por të realizuar me ndjeshmërinë e një udhëtari që i do subjektet e papritura. Për herë të parë, Adam e vizitoi Shqipërinë në vitin 1999. Për vite me radhë ai do të ftohej nga institucionet shqiptare, si njohës i mirë i të drejtës ndërkombëtare. Fotot e para të bëra me kureshtjen për t’u treguar miqve në Britani, atë çfarë kishte parë në këtë vend, dalëngadalë do të zgjonin tek ai pasionin për të realizuar foto të tjera. “Në artin e fotografisë nuk është i domosdoshëm studimi, por duhet të ushtrohesh e të kesh durim, e mbi të gjitha është një punë që duhet bërë me dashuri”, thotë ai. Çdo foto ka një histori përtej.

Ndaj Adam ka dashur t’i lërë të lirë vizitorët t’u vendosin emrat fotografive. Por sigurisht që brenda fotos është dhe koncepti me të cilin ai i ka parë personazhet e fotografuara. Ajo çfarë është interesante në këtë ekspozitë janë subjektet që Adam na ofron. Një telefon i vjetër, ngacmon syrin e tij si fotograf duke i kujtuar pritjen që mund të jetë përtej, ashtu si një vështrim i heshtur përtej një dritareje. Një vend mund të njihet më mirë edhe përmes portreteve të njerëzve të zakonshëm. Ata që i ke parë në rrugën tënde çdo ditë për të shkuar në punë, apo ata që ishin rastësisht në park. Duke dashur të gjejë dritë te çdo personazh, fotot bardhezi të  Adam Łazowski sjellin një imazh të bukur të Shqipërisë. Imazhe që janë veçuar prej tij, si një udhëtar i përhershëm në kryeqytete të ndryshme të botës, ku i është dashur të ndalojë për mësimdhënie, por që Shqipëria do të ishte ajo që do të zgjonte fotografin tek ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.