Ekspozita

Grafikat e Lumturije Dhramit në Galeri

Krijimtaria 30-vjeçare e artistes do të vijë në një ekspozitë nga data 10-21 shkurt në GKA

Të shkuarën mund ta shohësh në grafikat e Lumturije Dhramit. Me një aftësi që dallohet lehtë në veprat e saj, ajo ka ditur të fokusojë në to jo vetëm çastet, por edhe historinë. Në albumin me grafika të realizmit socialist të realizuar nga artisti Maks Velo pak kohë më parë, grafikat e Dhramit spikasnin më forcën e kompozimit. Si femër ajo ka qenë më e ndjeshme ndaj jetës sociale dhe familjes gjatë komunizmit, duke lënë pas vepra që sjellin një tablo të vërtetë të kohës. Më 10 shkurt në Galerinë Kombëtare të Arteve do të vijë e plotë gjithë krijimtaria në vite e artistes, në një ekspozitë. Ky event është prezantimi i parë i plotë i krijimtarisë së Dhramit në grafikë në një periudhë 30-vjeçare (1956 – 1986). Në historinë e arteve pamore në Shqipëri, ajo renditet e para artiste femër e diplomuar për grafikë, e cila dha një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjinie.  Në veprën e Dhramit mbizotëron grafika e thjeshtë, realiste e që komunikon me publikun. Pjesa më e madhe e artit të saj grafik shtrihet në periudhën e Realizimit Socialist, rrjedhimisht temat e subjektet në ciklet e punuara lidhen me këtë realitet ashtu si krijimtaria e shumë artistëve të tjerë që aplikuan grafikën.   Pavarësisht realitetit dhe atmosferës artistike, apo ndikimeve politike e sociale, Lumturije Dhrami përdori vazhdimisht elementët modernë të grafikës dhe veprat e saj mbeten një vlerë e pamohueshme në artin pamor shqiptar.

Artistja ka realizuar disa cikle grafike me temë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (“Shtypi ilegal”, “Vdekje fashizmit, liri popullit”, “Greva e Kuçovës”); nga jeta dhe puna e ndërtimit të  socializmit (“Epoka jonë”, “Fshatari”, “Gruaja që pi ujë”, “Agronomja”, “Rruga jonë”, ”Ndërtuesi”, “Punëtori i peshkimit”, “Ushtarët”). Disa vepra grafike ajo ua ka kushtuar figurave të njohura të historisë shqiptare.

Grafika shqiptare e rendit, Lumturije (Shehu) Dhramin krahas artistëve të tjerë grafistë shqiptarë si: Pandi Mele, Safo Marko, Ibrahim Shehu e më tej si: Musa Qarri, Vlash Prifti, Anastas Kostandini etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 21 shkurt 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button