Kronika

“Shqiptarët kontrollojnë drogën në Londër”

Shifrat e publikuara nga e përditshmja londineze për trafikun e drogës nga grupet kriminale shqiptare flasin vetë. “London Evening Standard”, duke ju referuar të dhënave të Agjencisë Britanike të Luftes kundër Krimit, NCA, e njohur ndryshe si FBI-ja britanike, shkruan se bandat shqiptare janë të mirëvendosura, duke sjellë në Britani drogë të klasit të parë dhe duke e përdorur kryeqytetin britanik si qendër të operacioneve të tyre.

Në tre vitet e fundit, nga operacionet e kësaj agjencie zbulimi, janë dënuar 123 shqiptarë me një dënim total prej 680 vitesh burg. Ndërkohë, 13 të dyshuar të tjerë janë në pritje të dënimit në proceset gjyqësore kundër tyre.

Në total, 545 kg kokainë me një vlerë shitjeje në rrugë në afro 80 milionë stërlina, është kapur gjatë operacioneve të detektivëve britanikë të NCA dhe Scotland Yard-it.

Më shumë se 5 milionë stërlina para të thata janë kapur  nga bastisjet e policisë nëpër shtëpitë apo makinat e shqiptarëve, ndërkohë që janë konfiskuar pesë armë zjarri.

Bandat shqiptare kanë ulur shumë çmimin me shumicë të kokainës, ndërkohë që janë duke u forcuar në aktivitetin e tregtisë së seksit dhe emigracionit të paligjshëm. Bandat shqiptare vlerësohet se po konkurrojnë fuqishëm edhe në tregtinë e heroinës duke rivalizuar me bandat kriminale turke që operojnë në Londer.

Oliver Higgins, një drejtues i lartë i Agjencisë Kombëtare të Luftës Kundër Krimit, NCA, thotë se “ka një numër rrjetesh kriminale shqiptare që operojnë në mbarë Londrën. Shumica e tyre furnizojnë në sasi të madhe droge kryeqytetin dhe përtej tij”.

Faktet e dhëna nga Agjencia britanike e Luftës kundër Krimit konfirmojnë raportimet e Top Channel se nuk është kanabisi shqiptar, qofte edhe i Lazaratit, siç pretendohet, por kokaina dhe heroina, lëndët narkotike kryesore që trafikojnë grupet kriminale shqiptare në tregun britanik, përkundër raportimeve të kohëve të fundit të ndonjë tabloidi britanik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button