Opinion

Policia mes show-t dhe suksesit

MUSTAFA NANO

Policia e Muc NanosDje u zhvillua një veprimtari e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të bërë bilancin e 300 ditëve punë. Mbledhje të tilla me rastin e 300 ditëve janë një shpikje e kësaj mazhorance. Kishim dëgjuar të bëhej, në stilin Roosevelt-ian, një bilanc i 100 ditëve, apo në stilin klasik, një bilanc vjetor, por bilanc të 300 ditëve nuk kishim dëgjuar. Mirëpo Rama nuk lë asgjë pa shfrytëzuar kur ia do puna që të nxjerrë në dritë sukseset e veta, apo të shesë për suksese edhe shtërzime dosido të qeverisë. Nuk është sekret tanimë që, për të, stili në të bërit e gjërave ka rëndësi po aq sa dhe gjërat vetë, në mos më tepër. Ai nuk e ka humbur (madje bën vaki që e ka forcuar) instinktin e artistit që e bën të besojë se përmbajtja pa formën bën shumë më pak përshtypje sesa forma pa përmbajtjen. Këto mbledhje me temë “300 ditët e qeverisjes”, ashtu si dhe protagonizmi i tij i pasosur televiziv (nëse hap tri herë gjatë ditës televizorin në një nga kanalet shqiptare, të paktën njëherë do të shfaqet se s’bën portreti i Ramës; i vetmi ngushëllim për shikuesit është që, në ndryshim nga paraardhësi, Rama nuk ka gjuhë të pagdhendur e nuk merret me kundërshtarët), janë një dëshmi i kësaj strategjie të show-t.

Në mbledhjen e djeshme pati dhe ilustrime filmike të sukseseve të qeverisë. Policia, nëpërmjet kamerave të veta të instaluara në terren, kish kapur çaste e situata nga puna e vet, dhe merrej vesh se ishin situata që evidentonin disa arritje në punën e tyre, si fjala vjen gjobat që u vihen njerëzve të rëndësishëm të jetës politike, institucionale, publike, denoncimi i qytetarëve që kanë tentuar të bëjnë atë që kanë bërë prej mijëra vitesh këtyre anëve, d.m.th t’u ofrojnë para policëve, e në këmbim të lihen të qetë në rutinën e në avazin e tyre prej kundërvajtësi, etj., etj. Këto ilustrime iu përcollën më pas edhe agjencive të shtypit e televizioneve. Dhe me këtë jemi ende te strategjia e show-t.

Sa më sipër, është vetëm njëra anë e medaljes. Prapa ngasjes e tentativës së qeverisë për të bërë show ka, në fakt, dhe një numër suksesesh e risish në punën e policisë, që paradoksalisht është qeveria me show-n e vet që nuk na lë t’i shquajmë.

Kuptohet, kush dëshiron të fokusohet te yçklat e policisë, mund ta bëjë këtë gjë fare lehtë, pasi ato janë të shumta. Një sosh, për shembull, ka të bëjë me emërimet e natyrës klienteliste a krahinore, të cilat u denoncuan dje nga një deputet i mazhorancës. Deputeti nuk dha shifra e të dhëna konkrete, që do ta ilustronin dukurinë në fjalë, e prandaj unë jam i prirur të fus në llogari dhe një koeficient të teprimit të deputetit që bëri denoncimin, por në të njëjtën kohë jam po njësoj i prirur të besoj se rekrutimet me logjikë krahinoriste në polici vijojnë edhe sot e kësaj dite. E në këtë kuptim – po e shpreh idenë, ashtu si dhe deputeti, në mënyrë fare të troçtë – një si revansh i tepelenasve mbi tropojanët nuk duhet të jetë pa gjë. Ministria, po të mos e kish mizën nën kësulë, do duhej ta bënte një shpjegim të vetin menjëherë pas denoncimit të bërë nga Doshi. Nuk e bëri. Dhe unë nuk e di pse nuk e bëri. Unë di që do duhej ta bënte. Do duhej ta bënte edhe për të bërë të qartë se nuk ka asnjë frymëzim krahinorist në këtë mes, por edhe për të theksuar se puna e policisë nuk duhet vlerësuar veç nga kritere të tilla, për të theksuar pra se e keqja e policisë së Berishës nuk ishte që ishte e pushtuar nga tropojanët, por që ishte e tëra një bandë bashibozukësh. E me këtë nuk është se jam duke minimizuar rekrutimet e tipit krahinorist. Jo, jam po aq i shqetësuar sa Doshi lidhur me këtë (sikur të jetë e vërtetë). Thjesht, jam duke e futur diskutimin në binarë më esencialistë, s’ka gjë se natyra e rekrutimeve është gjithashtu një gjë esenciale; është një gjë edhe më esenciale në rastin që këto rekrutime janë të ndotura me krahinorizëm. Por diskutimi njëmend esencial është i një natyre tjetër. Fjala vjen, i formës: “Ok, Rama na mbyti me propagandë, e Tahiri na mbyti me tepelenas, por le t’i përgjigjemi pyetjes: si është policia që kemi sot?

Ka shenja që na thonë se policia e sotme është ndryshe. Është duke krijuar një standard tjetër, që ne nuk e njihnim më parë. Afërmendsh, ky standard është shumë larg policisë së vendeve serioze të botës (vetëm pushtimi policor i rrugëve e qyteteve tona, edhe pse mund të shërbejë si ngushëllim për mijëra e mijëra shqiptarë, mbetet një nga elementët bezdisës të panoramës urbane këtyre anëve), por në të njëjtën kohë na ka larguar në një masë të madhe nga tradita e policive të korruptuara të këtyre viteve të fundit. Rastet e policëve që të ndalnin në rrugë me shpresën se, duke kapur dikë në kundërvajtje, mund t’i zhvatnin ndonjë lek nën dorë, në mos mund të kruheshin kot më kot për hiç gjë, duket se janë rralluar ndjeshëm. Sjellja e policëve në rrugë është ku e ku më korrekte se më parë. Trajtimi i “derrave” rreket të jetë i barabartë me atë të “kafshëve” të tjera, gjë që duket te gjobat ndaj deputetëve e ndaj personazheve të tjerë me ndikim publik. E kështu me radhë.

Mos vallë jam duke parë ndonjë mirazh në këtë histori? Nuk besoj. Një polici mund të shesë një imazh të rremë të vetvetes për një javë, e shumta për një muaj, por nuk është e mundur ta shesë këtë imazh për një vit të tërë. E në këtë kuptim frika ime nuk është imazhi i rremë i derisotshëm i policisë. Frika ime është tjetër. A do të jetë në gjendje kjo polici që risitë për të cilat fola pak më sipër (sjellja korrekte në publik, qasja antikorruptive, trajtimi i barabartë i të gjithë shtetasve, etj) t’i shndërrojë në një praktikë pune e në një traditë? A do të jetë në gjendje kjo polici që të na befasojë me risi të tjera?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button