Ekspozita

Një mësim piktural nga piktori La Tour

Nga Luan Rama

Piktori francez i shekullit XVII, Georges de La Tour, na jep një mësim të mirë: mund të pikturosh dhe me dy-tre ngjyra dhe ja se si: Në vitin 1998, Galeria e Arteve në Tiranë kishte nisur prej disa kohësh botimin e revistës Arti Pamor, e cila nuk do të vazhdonte për një kohë të gjatë. I entuziazmuar nga hapja në Paris e ekspozitës së piktorit Georges de La Tour, menjëherë shkrova diçka me titull “La Tour, në mbretërinë e hijeve dhe dritës së shenjtëruar” dhe ua dërgova në Tiranë, por askush nuk më ktheu përgjigje. Ndoshta pse ky piktor nuk njihej dhe aq, ose aspak, apo ndoshta se unë nuk kisha mundur të shprehesha siç duhej. Sigurisht, kjo nuk më dëshpëroi për sprovat e para të shkrimeve rreth pikturës. Ngazëllimin e asaj ekspozite dhe zbulimin e atij piktori do ta ruaja për një kohë të gjatë, thjesht si publik. Dhe gjithnjë do të ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme sa herë ndeshja një tablo të këtij autori, si të ndeshja një Rembrandt, Caravaggio, Velasquez… Më kujtohet si tani ajo ekspozitë. Ishte fundi i vitit 1997 dhe ekspozita ishte hapur në sallonet e mëdha të “Grand Palais”, buzë Champs Elysées. Ishte një ekspozitë 25 vjet pas asaj të Orangerie-s, po në Paris, por kësaj radhe ishte një ekspozitë e plotë e piktorit francez të shekullit XVII, që bota, por edhe vetë Franca, po e njihte gjithnjë e më shumë. Kuratorët e kësaj ekspozite Pierre Rosenberg dhe Jean Pierre Cuzin, kishin mundur të sillnin mjaft tablo që ishin në muzetë e ndryshme të botës si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Anglia, Suedia, Japonia, Belgjika, etj., por ata s’kishin mundur ta lëviznin dot nga muret e kështjellës portretin e famshëm të La Tour, Saint Gérôme që lexon, të cilën e mbante mbretëresha e Anglisë, Elisabeth II. Për herë të parë, dilte nga Metropolitan Museum Madalena mes dy dritash, e cila mori rrugën përtej Atlantikut për të zbarkuar buzë Senës. Pas më shumë se tre shekujsh, kritikët dhe historianët e artit na rishfaqën një La Tour të plotë, edhe pse nga rreth 500 tablo që ka krijuar mjeshtri në jetën e vet, vetëm 43 prej tyre janë zbuluar. Madje nga ekspozita e Orangerie-s në atë të “Grand Palais”, pra brenda 25 vjetëve, historianët kishin zbuluar dhe 5 tablo të këtij autori, të cilët ishin si të një piktori anonim. Padyshim që shumë vepra të tij, të krijuara në Lorraine, u shkatërruan dhe u dogjën gjatë “Luftës së 30 vjetëve” (“Guerre de 30 ans”). Sidoqoftë, që tre shekuj më parë, ky piktor kishte krijuar kryevepra si “Sainte Marie”, “Saint Jérôme”, “Saint Sebastien” vepra që ai i bënte si porosi nga klerikët e mëdhenj dhe mjediset e katedraleve. E padyshim, skenat biblike ai i pikturonte në një mënyrë origjinale, të tijën, me një dritë të shenjtëruar dhe me një modernitet të jashtëzakonshëm, ndryshe nga bashkëkohësit e tij. Job dhe gruaja e tij apo Saint Jerôme i penduar të habisin me mistiken dhe modernitetin që mbërthejnë këto dy figura në gjysmëhije, ku drita e llambave në vaj dhe shandanët, krijojnë një mister dhe një qetësi kozmike. Mbreti francez Louis XIII vuri në dhomën e tij tablonë e Saint Sebastien, duke i hequr gjithë tablotë e tjera që kishte nëpër mure, pasi vetëm ajo tablo i mjaftonte në meditimin dhe paqtimin e tij shpirtëror. Me sa dukej, tabloja e La Tour duhej të mbretëronte aty, e vetme, bashkë me mbretin. Nga jeta e La Tour dihen fare pak fakte e histori personale, ndërkohë që historianë të shumtë po shpalosin detaje të reja nga jeta e tij, përmes kronikave fetare apo dorëshkrimeve mbretërore. Më 1638, shtëpia e tij ishte djegur në Luneville, duke shkaktuar dhe shkatërrimin e shumë veprave që kishte në atelier. Historianët kanë gjetur një letër të kësaj kohe ku qytetarët e Luneville i ankohen dukës së qytetit se piktori “ishte i bezdisshëm me gjithë ata qen që mbante rreth e rrotull dhe lepuj që ushqente” La Tour ishte lindur në Metz, në Vic-sur-Seille më 1593, në një ambient të thjesht familjar dhe shumë katolik. I ati ishte bukëpjekës dhe me shumë prona. Në atë kohë shumë piktorë dyndeshin drejt Romës e Firences të shikonin veprat e Renesansës, të Da Vinci-t, Raffaelo-s, Boticcelli-t, Ucello-s, etj., vend që konsiderohej “Montparnasi i pikturës”, por dhe drejt veriut për t’u njohur me pikturën flamande, ku dhe atje mjeshtrit e mëdhenj nuk mungonin. Historianët thonë se La Tour ka udhëtuar drejt Italisë në vitin 1613 dhe më 1616. Duke studiuar pikturën e tij, shumë studiues kanë pohuar se ai duhet të ketë njohur mirë pikturën e Caravaggio-s dhe të Giotto-s. Të tjerë mendojnë se ai ka shkuar dhe në Ultrecht të Holandës e në Nuremberg të Gjermanisë. Më 1617, La Tour martohet me një vajzë fisnike, çka i hap rrugë të reja drejt fisnikërisë franceze. Kështu, ky bir bukëpjekësi dhe fisnik i ri, fillon të pikturojë shumë dhe të fitojë para, të zgjerojë pronat familjare dhe të bëhet i njohur ndër klerikët e fisnikët e mëdhenj. Madje Richelieu bëhet një nga njerëzit që e merr në mbrojtje dhe blen pikturat e tij, pasi ky njeri i pushtetit ishte një koleksionist i madh i artit në Francë e në Europë. E krahas tij, kryeintendenti i mbretit, Buillon, ishte një nga klientët e tablove të tij. Kështu, vite më vonë, La Tour zbriti në Paris më 1639, një vit pas djegies së shtëpisë dhe atelierit të tij dhe mbreti, i cili pëlqente pikturën e tij, i dha titullin “peintre ordinaire du roy” dhe e vendosi atë në mjediset madhështore e hijerënda të pallatit të Louvre-s. Pikërisht në këtë periudhë të rëndësishme të pikturës së tij, artisti thelloi konceptin e tij piktural dhe të raporteve të dritës me errësirën, çka nuk e gjen në një piktor tjetër. Tek ai nuk gjen peizazhe, apo fare pak mjedise të hapura, nuk ka horizonte, veç disa gjethe këtu-atje, një trung e asgjë tjetër. Ndër tablotë e rralla janë raporte aristokratike, mjedise të mbyllura, si markezë që luajnë bixhoz, portrete të lëmuara e ovale, personazhe në veprim e sipër etj., apo fallxhore që u thonë fatin fisnikëve, ciganë, njerëz të varfër e të mjerë që hanë ca bizele, barinj, bardë popullorë, muziktarë e gra në ambientet familjare. Padyshim kryevepra! Por kryesorja për të ishte portreti, drita, hija dhe drama që ngjiz një njeri apo një shenjt. Ishte burimi i dritës që na zbulon fatet njerëzore. Drama luhet aty ku luhatet e dridhet flaka e një qiriri, e një llambe, ku duken supet e zhveshura të Madalenës së penduar dhe ku na ekspozohet një sensualitet i rrallë. Pesë tablo, ai ia kushtoi Madalenës… “Saint Sebastien i mjekuar nga Irena” është gjithashtu një nga kryeveprat e tij. Kuptohet që tema biblike është tema qendrore që përjeton ky piktor, Bibla për të është vetë jeta njerëzore, njeriu, nga lindja gjer në vdekje! Në kohën kur La Tour jetoi pranë Louis XIII, ai u bë një piktor i famshëm, por sapo ai vdiq më 1652, çuditërisht ai u harrua shumë shpejt, siç ndodhi dhe me Vermeer-in holandez, madje nuk u fol më për të, sikur të mos kishte ekzistuar. Vallë ndryshoi shija zyrtare për pikturën apo çfarë? Vallë mbreti dhe fisnikët nuk donin më tablo të errëta por mjedise shumëngjyrëshe e të gëzuara… Shumë prej veprave të tij iu atribuuan të tjerëve, siç dëshmohet dhe nga shënimet e mbresat e disa shkrimtarëve e udhëtarëve të njohur. Shekuj të tjerë do të kalonin. La Tour ishte varrosur prej gati tre shekujsh. Por bashkë me të dhe vepra e tij. Dhe ja, në vitin 1915, një studiues gjerman, Herman Voss, duke studiuar mbi disa vepra anonime dhe duke veçuar dy tablo në Nantes, deklaroi se ato ishin vepra të piktorit francez nga Lorraine, të quajtur Georges de La Tour de Luneville. “Ne sapo kemi zbuluar një piktor që ka ndjekur traditën e Caravaggio-s”, shkruante ai. Nga ana tjetër, Prosper Merimée që kishte pikasur më parë këto tablo në Nantes, veçanërisht Veilleur, ishte shprehur se ato mund të ishin të Velasquez, Zurbaran apo Murillo-s. Të njëjtën gjë do të shprehte më vonë edhe Stendhal. Ai kishte parë tablonë Le nouveau-né (Bebja) në Rennes dhe kishte shkruar se ishte ndoshta e piktorit Le Nain. Kështu, dalëngadalë, piktura e mjeshtrit të madh filloi të zbulohej. Më 1926, muzeu i Louvre bleu tablonë Adoration des bergers (Adhurimi i barinjve). Një nga fotografitë e tablove të La Tour, René Char e mbante në muret e dhomës, në kohën e luftës, gjatë Rezistencës… Shumë tablo dolën në dritë, tablo të harruara në kisha të vjetra, të pluhurosura nëpër qilarë, në kështjella princash e markezësh, të cilët kishin harruar se të kujt ishin ato tablo, etj. Madje u gjetën piktura të tij në Sarthe, Limoges, Bretagne, si dhe në Zvicër apo kufijtë e largët të Europës, në oborret mbretërore. Koleksionistë të shumtë filluan të interesohen për të, duke blerë tablo të tij me çmime fantastike për kohën. Po kështu dhe muzetë “Paul Getty”, “National Galery of Washingon”, “Metropolitan Museum”… Tablotë e mjeshtrit filluan të udhëtojnë nëpër muzetë e botës. Dhe amerikanët u bënë më të pasionuarit për të pasur pikturat e mjeshtrit të madh. “Paul Getty” e bleu për 5,5 milionë dollarë tablonë Rixe de musiciens… I ati i Laurent Fabius, ish-kryeministrit francez ia shiti tablonë Madeleine Fabius për 12 milionë franga “National Gallery” të Uashingtonit; 42 milionë franga kërkonin të blinin amerikanët tablonë Saint Tomans à la pique por shteti francez e bëri çështje kombëtare dhe tabloja qëndroi në Francë. Historia më e habitshme ishte gjetja e një tabloje të fundme të La Tour, më 1994, kur një njeri çoi një tablo të vjetër në ankandin e Drouot për ta shitur për “pesë lekë”, pasi tabloja ishte pa kuadër, e pisët dhe gjithë pluhur, nxjerrë nga një bodrum i harruar. Por shpejt, historianët e njohën dhe tabloja u shit në Monaco nga Sotheby’ për 11 milionë franga.
Rrugëtimi i La Tour në katakombet e botës

Vështron me radhë tablotë e La Tour dhe të ngjan se ke hyrë në tunelet e katakombet e historisë, ku njerëzimi ruan mitet e veta, heronjtë, misteret, jetë të shkuara që çuditërisht ndriçojnë ende dhe shfaqen nën llambën që ndez La Tour, me llambën e tij, duke na zbuluar një grup portretesh apo një të vetëm, pastaj një tjetër, Saint Pierre, Saint Thomas, Saint Sebastien… ashtu siç thoshte Jezu, “unë jam në dritë e në jetë”. Shenjtë por edhe njerëz, pasi edhe shenjtët kanë fytyra njerëzore, madje më shumë se njerëzorë, janë e zakonshëm, të përvuajtur, njerëz të rrugës dhe ja te La Tour ecën si “fariseu” i Rembrandt për të na zbuluar botë, drama, tragjedi, ecën e ndalon dhe na tregon ata, jetë, botë. Pesë tablo vetëm me Madalenën e penduar me një dritë të mrekullueshme që na sjell aq të afërt dramën e këtij personazhi të Testamentit të Ri… pesë imazhe mistike, pesë imazhe të shenjta e të papërsëritshme. Por ai na tregon madje dhe kafshët rreth jetës njerëzore, si një gjel te Saint Pierre, një qen te përgjuesi i natës, një kokë qengji në Adhurimin e barinjve… Ai ngre llambën e tij, qiririn e tij, atë prush të marrë diku, s’dihet nga ç’dorë engjëlli dhe na shfaq imazhet, Hilacaken me asin në dorë, Gruaja që shtyp morrat, portretet atëherë fillojnë të na flasin. Po, pikturat flasin, tregojnë, dëshmojnë, flasin përmes syve, buzëve, veprimeve të tyre fiksuar në kohë. Po, La Tour udhëton në katakombet njerëzore. Është një udhëtim i ngadaltë, si nën tingujt e një muzikë gregoriane, një muzikë e rëndë organosh, por që tronditin. Muzikantët e tablosë së tij Rixe de musiciens luajnë ende. André Malraux, që aq shumë i donte skulpturat e vjetra mijëvjeçare apo maskat e vendeve afrikane, të Polinezisë e Indokinës, kur shkruante dikur për kulturat e harruara, shkruante dhe për La Tour, për ato “statuja nukturne, që dalin nga një tokë e përgjumur. Asnjë piktor nuk na ka sugjeruar një hapësirë të tillë të heshtjes. La Tour është interpreti i vetëm i mugëtirave të paqta e të errëta”. Po, aty, në ato katakombe është llapma e La Tour, si një llapmë Diogjeni. Piktori luan me dritën, një dritë anësore për të nxjerrë figurën nga errësira, dhe tjetra, e vogël, një qiri, një llambë, një dritë shandani apo një prush si te Djaloshi që i fryn zjarrit, për të krijuar një harmoni të dritës dhe ngjyrave të pakta që përdor. Shikojini këto tablo nëse mundni: janë flakët e një piktori të ndezur tre shekuj më parë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button