Kosova

Thaçi: Kushtetuesja lejon themelimin e Asociacionit të komunave serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në një takim të thirrur nga shoqëria civile, ka folur për dy marrëveshjet e Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi.

Ai kërkoi nga shoqëria civile të japë kontributin e vet në qartësimin e proceseve, ndërsa potencoi se ky diskutim është jetik për zhvillimin e politikave, forcimin e vendit e subjektivitetit ndërkombëtar.

Sa i përket dy çështjeve të diskutueshme, marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, Thaçi tha se të dyja do të arrihen në pajtim me ligjet e vendit.

“Sa i përket asociacionit, Qeveria e Kosovës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka vërejtur se disa elemente të parimeve për themelimin e tij nuk janë në frymën e Kushtetutës. Por Gjykata e lejon themelimin e tij. Ky vendim është obligues për të gjithë”, ka theksuar Thaçi para të pranishmëve, raporton Koha.net.

Thaçi tha se ideja për themelimin e këtij Asociacioni buron mbi dokumentin e pakos së Ahtisarit.

“Sipas kësaj pakoje kemi shpallur pavarësinë, ka ardhur procesi i Vjenës, pastaj dialogu me Serbinë për normalizim. Marrëveshja e prillit të vitit 2013 ka pasur mbështetje konstruktive të LDK-së dhe AAK-së, kjo e fundit me pjesëmarrje direkte”, ka ritheksuar Thaçi.

Ndërkaq, për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, Thaçi tha se kjo marrëveshje është marrëveshje e vullnetit të mirë, e bazuar në të gjitha dokumentet relevante nëpër të gjitha proceset politike që ka kaluar Kosova.

“… Kushtetuta e ’74-ës, marrëveshja e Kumanovës. Nuk do të ratifikohet pa u qartësuar çdo imtësi. Janë respektuar hartat e NATO-s. Çdo qytetar që ka vërejtje, le të paraqitet dhe kjo çështje rregullohet për një minutë”, u shpreh zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button