AmerikaTe ndryshme

Në SHBA të rinjtë po mobilizohen për revolucionin “Sanders”

Melisa Rubio humbi mamanë e saj si pasojë e sëmundjes së kancerit. Dy javë më vonë të atit iu komunikua se nuk kishte më punë dhe e lanë në pritje. Ai punonte në ndërtim në periferitë e Çikagos. Nuk kaloi shumë kohë dhe banka i mori të vetmen pasuri familjes Rubio, shtëpinë. Ajo ishte vetëm 15 vjeçe kur tragjedia goditi të dashurit e saj. Atëherë, edhe pse adoleshente, u mërzit së tepërmi, por prapë mosha e re e pengonte të kuptonte se çfarë kishte ndodhur realisht. Ndërsa studionte në “DePaul University”, ajo nisi të aktivizohej politikisht dhe u bë pjesë e organizatave progresiste. “Ne u larguam nga bankat e mëdha, por nuk mundëm që ta bënim këtë gjë edhe me ata njerëz që përfitojnë nga ne”, u shpreh Rubio. Lumturia e të qenët e diplomuar nuk zgjati shumë, pasi me vete mori edhe një borxh prej 60 mijë dollarësh, që tani i duhet ta shlyejë. Kjo ishte arsyeja që e shtyu të bëhej pjesë e fushatës së Will Guzzardi-t, një përfaqësues progresiv i shtetit në Ilinois. Tani vetëm 25 vjeçe, ajo është një drejtoreshë politike. Nga zyrat e Guzzardi-t, Rubio po ndihmon që mbështetja për Bernie Sanders-in të bëhet edhe më e fortë në Çikago. Kandidati socialist për zgjedhjet presidenciale që po garon fillimisht në Partinë Demokratike, humbi garën brenda partisë në Ajoua me një rezultat të ngushtë, kundër të preferuarës së subjektit politik, Hillary Clinton. Thirrja e Sanders-it është: Revolucion politik kundër të pasurve miliarderë.

“Kjo ka të bëjë me shkatërrimin e plotë të pushtetit të korporatave. Politika e tyre është përgjegjëse për atë që ne po shikojmë të ndodhë në komunitetet tona. Tani është më e vështirë për të rinjtë që të çajnë në jetë.” Ekipi që Rubio drejton përbëhet edhe nga gjashtë aktivistë të tjerë, nën 30 vjeç, të cilët nëpërmjet telefonatave përpiqen të bindin votuesit të përkrahin Sanders-in, si edhe merren me organizimin e të dhënave. E përbashkëta e të gjithëve është se ata kanë vuajtur shumë që pas diplomimit. Jorie Moore është 28 vjeçe dhe punon si edukatore kopshti. Përveçse i duhet të paguajë borxhin e shkollës dhe faturat e shtëpisë, e ka të pamundur të shpenzojë 450 dollarë në muaj për siguracionet shëndetësore. “Është babai im që më paguan siguracionet. E urrej këtë gjë. Sigurimi është diçka e mirë, por imagjinoni, sigurimi për shëndetin mendor nuk përfshihet në këtë shifër.” Jamie Corliss, 23 vjeçe, u diplomua në Studimet Kulturore në “Columbia College”. Përveçse e papunë, ka një borxh prej 22 mijë dollarësh. “Duke qenë se nuk punoj, nuk mundem ta paguaj borxhin.

Por rasti i saj nuk konsiderohet diçka e pazakontë. Në SHBA papunësia është ulur në 6%, por përsëri brezi i të rinjve përbën 40% të atyre që nuk arrijnë të sistemohen diku sipas një analize të “Market Watch”. Për më tepër që 40% e të diplomuarve nuk punojnë dhe kjo do të thotë se tregu i punës nuk ka nevojë për diplomat e tyre të shtrenjta. Në 2014-n, 2/3-at e të diplomuarve kishin mesatarisht 30 mijë dollarë borxhe ndaj universitetit (studim i Institutit për Aksesin dhe Suksesin në Universitet). Kristen DeRosier, 27 vjeçe, duhet që tri vitet e ardhshme të jetojë me prindërit që të mund të shlyejë borxhin prej 40 mijë dollarësh. Ajo punon si ndihmëse në shitje. Të rinjtë tani po e nisin jetën më me vonesë. Është e vështirë që t’ia dalësh vetë.

Votuesit nën 30 vjeç në Ajoua

Jacob McDermott me vonesë ia doli që të gjente punën e ëndrrave. Djaloshi 28-vjeçar vendosi të studionte në inxhinieri civile në Universitetin “Wisconsin Madison”, pasi në atë kohë puna pas diplomimit konsiderohej si e garantuar. Por më pas erdhi kriza financiare dhe tregu i punës pësoi goditje të rëndë. Kështu atij iu desh të bënte punë të rëndomta si shofer autobusi hotelesh apo në kuzhinë. Pas tri vitesh gjeti punë në profesionin e tij. “Kuptova se karriera ime ndali si pasojë e krizës së shtëpive. Çdo biznes ose falimentonte ose i nxirrte punëtorët në pritje. Nuk kishte treg pune për mua.” Fjalët e Sandersi-it e kanë bërë për vetë 28-vjeçarin, që gjithashtu ka një borxh universiteti për të paguar. Premtimi i universiteteve falas dhe zëvendësimi i sigurimeve shëndetësore private me ato shtetërore përkon me dëshirën e shumë të rinjve që kanë kaluar kohë të vështira. Nëse fiton, Sanders-i do të jetë presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së. Në javën e kaluar në Ajoua, 74-vjeçari fitoi votat e 84% të votuesve demokratë nën moshën 30-vjeçare. “Nuk ka pikë dyshimi se nëse Sanders-i nuk do të kishte marrë mbështetjen e të rinjve, atëherë gara mes kandidatëve demokratë do të ishte e mbyllur tashmë”, tha profesori i “DePaul University”, Zachary Cook.

Parti e ndarë

Clinton-i arriti të merrte votat e grupmoshës nga 45 deri në 64 vjeç. Sipas “Des Moines Register”, atë e mbështetën 58% e kësaj grupmoshe. Brezi i ri përbën një numër të madh të votuesve në Partinë Demokratike. “Tani për tani, është e dukshme ndarja e moshave mes demokratëve. Pyetja është: pas zgjedhjeve brenda partisë, kushdo që të fitojë, a do të jenë demokratët të bashkuar sërish?” Vetë Rubio e shikon Clinton-in si një “demokrate korporatash”. Sipas “Washington Post”, industria e shërbimeve financiare i ka dhënë asaj rreth 21.4 mln dollarë për të organizuar fushatën politike. Ndërsa Sanders-i ka marrë vetëm 75 mijë dollarë nga sektori financiar. Rubio thotë se nëse Hillary fiton kundër Bernie-t, ajo do t’ia japë votën asaj, nëse zgjedhja tjetër janë republikanët. Por prapë nuk është optimiste për të ardhmen. “Nuk do të arrija të punoja shumë”, përfundon ajo.

Burimi: DW

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button