Home / Arte / Titulli i romanit “Atdhe Tjetër”, sa dhimbshëm tingëllon!

Titulli i romanit “Atdhe Tjetër”, sa dhimbshëm tingëllon!

farukBota ime në fushëvëzhgimin e tyre është pallati ku figuroj zyrtarisht, hapësirë e limituar, e mbyllur, mund të përfytyrohet filozofikisht në formë shpelle, por në gjendje moderne. Në këtë pallat për asnjë çast, s’mungojnë dritat, siç mjerisht ndodh në vendin tim të origjinës: jam larg zhurmës së atjeshme, pa menduar se do dëgjoja jehonë të thuktë të qetësisë së këtushme: iu kam shpëtuar lojës së atjeshme pa rregulla, që fyente gjithkënd, duke ardhur këtu, ku jam jashtë çdo loje: I ika me sukses pamundësisë së atjeshme për të qëndruar mënjanë. Pa asnjë mëdyshje atje isha tepër.

 Nga PETRO DHIMITRI
Kohë më parë më ra në dorë romani i shkrimtarit të mirënjohur Faruk Myrtaj me titull:”Atdhe Tjetër”. Më kishte lenë mbresa ky autor për tregimet e tij të shkruara thjesht e bukur, me një gjuhë të pastër e të pasur dhe me një stil që të bën të mendohesh. Pse jo, pena e tij të “detyron” t’i rikthehesh  leximit të tregimit.
        Te romani “Atdhe Tjetër” Faruk Myrtaj që në fillim na ngërthen me rrëfimin e tij emocionues për çastet e largimit prej Atdheut bashkë me familjen e tij.”…lartësia dhe largësia do të fillonin të bluanin mall e nostalgji…” për njerëzit dhe  Atdheun, sepse ne të ikurit lamë gjithçka që kemi dashur më shumë dhe, siç shkruan Danteja…”..kjo është shigjeta që harku i ekzilit godet së pari…”
        Pastaj shkrimtari në rolin e heroit kryesor thur ngjarjet me shumë densitet dhe një ritëm që vjen herë duke u rritur, herë duke u ngadalësuar, por gjithmonë duke skalitur me art tablo realiste të historisë sonë dhe të dramës shqiptare të ditëve tona.
        Si artist ai nuk mund të harrojë vuajtjet e shkrimtarëve që diktatura i burgosi. Tipik rasti i shkrimtarit të talentuar me flokë të zeza kaçurrela, ish vullnetar revolucionar i Luftës së Spanjës, që në, një ditë të kobshme për artin dhe letërsinë tonë, e përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve?! Më parë i kishin venë edhe prangat. E kishin hedhur në një qeli pa bërë as edhe një krim…Atë natë disa shkrimtarë guximtarë shkuan fshehurazi dhe e takuan në shtëpi, e përqafonin dhe iknin pa folur as dhe një fjalë. Kishin frikë se edhe muret e diktaturës kishin veshë. Edhe në klubin e gazetarëve që shkonte të pinte kafe e ndaluan. E dinin që kafen ia paguanin të tjerët dhe nuk donin të pranonin popullaritetin që kishte dhe mirënjohjen e popullit për të. Sikur të mos mjaftonin këto, edhe të birin, po shkrimtar, ia burgosën. Faruk Myrtaj  nuk mund të mos kujtojë se diktatura për vite të tëra nuk i  dha të drejtën të vazhdonte universitetin. Ishte me biografi të zezë pa bërë as edhe një akt sado të vogël kundër vendit të vet?! Edhe kur e lejuan  të studionte, talentin e penës e çuan për gjeologji?! Ai ishte dënuar pa gjyq që tërë jetën ta kalonte thellë nëpër galeritë e minierave. E megjithatë Faruku shkruan:”…atdheu duhet…Edhe kur, në duar të liga, ndëshkon të vetët.”
         Autori ka ndërthurur me mjeshtëri detaje efikase që flasin më shumë se përshkrimet historike. Prekëse jeta e gruas trime, luftëtares dhe intelektuales, anëtare e Byrosë Poilitike që burrin e parë ia vranë në pusitë e luftës, tjetrin ia likuiduan shpejt pas çlirimit. I ofruan një burrë, po edhe atë ia burgosën bashkë me vëllezërit e saj. E vetme ajo varrosi edhe vajzën. Tek ecte rrugëve të Tiranës, ashtu e kërrusur, ajo ishte  një tablo  portret që me aq dhembje demaskonte përçudnimin që diktatori paranojak u bënte edhe shokëve të vet.
         Duke lexuar romanin njihemi edhe me personazhe sporadikë me të cilët shkrimtari thur ngjarjet. Ai nuk bën  as përpjekjen më të vogël për t’i portretizuar.  I intereson më shumë dialogu elegant me ta dhe, sidomos thelbi i ngjarjeve që shtjellojnë. Përjashtim bën vetëm Tina për të cilin personazhi kryesor ka simpati të veçantë për mos të thënë se ndjen për të. Edhe ajo emigrante po në qytetin ku jeton Faruku me gruan dhe dy fëmijë. Tina është artiste. Eshtë e shkathët, e dashur, e guximshme për të përballuar vështirësitë e kurbetit. Megjithatë afrimi shpirtëror i autorit rrëfyes me Tinën është veshur me një tis mjegulle që lexuesit i jep mundësi të fantazojë.
         Në romanin ” Atdhe Tjetër” të parakalon para syve historia e Shqipërisë; sidomos diktatura dhe pluralizmi pa deklarata, data, përshkrime mbledhjesh apo emra konkretë. Shkrimtari përmes pak personazheve dhe sidomos përmes meditimeve të tija, na pikturon historinë dhe protagonistët e saj. Nuk mund të mos kujtojë hyrjen e guximtarëve në ambasadat e vendeve armike Perëndimore. Ajo ngjarje ishte zanafilla e emigrimit masiv të Shqiptarëve.
” Ikni, ikni…të paktën të shpëtoni fëmijët, se këtu nuk bëhet…” Dhe akoma duan të ikin shqiptarët… Pse? Atë që dëshiruan dhe pritën nuk po bëhet.
        ” Njerëzit që ëndërruan Perëndimin po ikin…Lindja mbetet këtu…” Prandaj ” ndërtesa e qeverisë sulmohej, herë nga njëra palë e herë nga tjetra, zgjedhjet asnjëherë nuk pranoheshin, grindja për rezultatin vazhdonte deri në zgjedhjet e radhës, që edhe ato sigurisht do të kontestoheshin.” Nga njerëzit me ish teserat e partisë heroi kryesor i romanit do të largohej fizikisht. Mendërisht dhe shpirtërisht ai vuan për Atdheun e parë, zemra e tij rreh fort, sytë mbase janë gati për të derdhur lot. Nuk e jeton me gëzim jetën në Atdheun tjetër që i ofroi punë, mirëqenie  edhe pse ato i ndjen i shikon dhe i vlerëson. Qyteti ku jeton mbetet i huaj për të. Vuan paksa dramën e vetmisë, ndaj dhe të ngjan se ai bie edhe në pesimizëm. Po, po si çdo emigrant Kjo është e natyrshme për një njeri tejet të ndjeshëm, të heshtur dhe të mendueshëm. Nuk i ngjit Atdheut tjetër. Aq më tepër që njerëzit janë kudo njësoj. Ka të ndershëm, ka mosmirënjohës, ka gënjeshtarë, ka shpifës, ka vrasës dhe njerëz pa moral. Eshtë konglomerat racash dhe tipash nga më të ndryshmit. Prej tyre heroi i romanit edhe e pëson. Nuk e vizaton fije për pe kurthin që i ngritën njeriut të ndershëm, po ne e kuptojmë se ai me dhimbje ka përjetuar një dramë. Pa pritur e pa kujtuar ai bëhet pre e një sensacioni, kur me të gjitha bateritë media i sulet një krijese të pastër si kristali. Dialog me policët, pritshmëri e gjatë për gjykim. I ndaluar të largohet nga qyteti. Nuk e lejuan as të shkonte në atdhe për të parë nënën e moshuar. Një vello e zezë me stampën e padukshme “kriminel” e kishte mbështjellë më shumë se një vit. Kjo mjafton për të kuptuar realisht vuajtjen dhe pesimizmin, zymtësinë apo misticizmin e heroit. Kohë e gjatë kjo, deri  sa trupi gjykues e shpalli TE PAFAJSHEM. Ata që e njohin e dinin se i tillë ishte ai. Po shpifja nuk mund të mos linte gjurmë në ndërgjegjen e tij, në mbresat dhe vlerësimin e tij për Atdheun tjetër. Nuk i sulet shpifësit aspak. Me korrektësi përshkruan sjelljen e kulturuar të njerëzve
të shtetit ku drejtësia nuk është ç’drejtësi si në Atdheun që la shumë vite më parë.
         Meritë e Faruk Myrtajt është se edhe pse në roman ka jo pak ngjarje nga jeta e tij, i është shmangur me elegancë linjës autobiografike. Kapitujt njeri pas tjetrin shtjellojnë ngritje-zbritjet e mëmëdheut me një stil elegant dhe një gjuhë tejet pastër. Sa bukur e jep dallimin midis dy vendeve:”Këtu ku jam ka dritë, ka shumë më shumë llampa, si frymëmarrje artificiale, me dritë të panatyrshme. Edhe dielli, llampë e zbërdhyltë polare duket. Fort po shndrit ai diell e pak po nxeh…Edhe pse bën të arrijë gjer ku jam mbyllur unë.” Ndërsa kur miqtë i shkruanin :…sikur ndjehesh i vetmuar,” ai vetpërgjigjet:” Po kjo është liria!  Ç’ tjetër nëse jo të qenit i vetes, çfarë tjetër  në s’ndjehesh i vetëmjaftueshëm?! Vetmia është provë lirie, miqtë e mi…”
         Po e vijoj këtë shkrim me një detaj që nuk më harrohet, sepse edhe mua më kishte ndodhur gati e njejta histori:
         …” Ca kohë më pas, anglishten e lejuan si gjuhë fakultative. U regjistrova edhe unë, më tregoi një shok tjetër, teksa vështronim nga ai që studionte anglisht, po mua më thirrën në drejtori. E di veten ti? E ke pyetur ndonjëherë babanë për origjinën? Nëse keni harruar ju, nuk harrojmë ne…Ç’u duhet anglishtja juve? Ne e hodhëm në det englishten, para se jermani të dilte në veri! Apo akoma s’ju mbushet mendja juve që kurrë s’keni qenë aleatë me ta?!”
          Për stilin e Faruk Myrtajt dëshmon çdo paragraf i këtij romani me 240 faqe dhe 55 kapituj. Po ju jap kënaqësinë të lexoni vetëm një:
          ” Bota ime në fushëvëzhgimin e tyre është pallati ku figuroj zyrtarisht, hapësirë e limituar, e mbyllur, mund të përfytyrohet filozofikisht në formë shpelle, por në gjendje moderne. Në këtë pallat për asnjë çast, s’mungojnë dritat, siç mjerisht ndodh në vendin tim të origjinës: jam larg zhurmës së atjeshme, pa menduar se do dëgjoja jehonë të thuktë të qetësisë së këtushme: iu kam shpëtuar lojës së atjeshme pa rregulla, që fyente gjithkënd, duke ardhur këtu, ku jam jashtë çdo loje: I ika me sukses pamundësisë së atjeshme për të qëndruar mënjanë. Pa asnjë mëdyshje atje isha tepër…”
                                                                      Petro Dhimitri

Leave a Reply

Your email address will not be published.