Home / Arte / Ben Blushi dhe Mirela Kumbaro përplasen për “Ibrahim Kodrën”

Ben Blushi dhe Mirela Kumbaro përplasen për “Ibrahim Kodrën”

Deputeti dhe shkrimtari Ben Blushi i ka kërkuar ministres së Kulturës Mirela Kumbaro arsyen e zhvendosjes së trupit të Kodrës nga Ishmi, për në kodrat e liqenit të Tiranës. Duke e quajtur normale ndjeshmërinë e banorëve të zonës, jo vetëm për faktin se Kodra është një prej tyre, por dhe avantazheve ekonomike që mund t’i sjellë vendit ekzistenca e varrit të piktorit në atë fshat, Blushi ka kërkuar se cili është arsyetimi që jep Ministria e Kulturës për këtë çështje. “Askush nuk e ka thënë deri më sot cili është amaneti i Ibrahim Kodrës. Qeveria thotë ose pretendon që duhet ta varrosim në Tiranë. Ka një përplasje të papërshtatshme. Pse duhet ta bëjmë pis një njeri si Ibrahim Kodra duke u zënë qeveria me autoritetet lokale? Nuk është mirë. Duhet folur e t’u shpjegohet atyre njerëzve se pse bëhet, në qoftë se do të bëhet”, tha Blushi. Ministrja Kumbaro ka argumentuar gjithë lëvizjen e bërë për këtë rast nga viti 2006, kur Kodra ndërroi jetë. Sipas saj, në Ministrinë e Kulturës është depozituar kërkesa e z. Behgjet Pacolli dhe z. Fatos Faslliu, kryetarë të fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh me titull “Nder i Kombit”, Ibrahim Kodra, që të prehej në Tiranë, në një vendndodhje ku të vizitohej nga bashkatdhetarë të shumtë të tij. Vullneti i artistit Kodra, si pasojë e një moskoordinimi, nuk u plotësua dhe eshtrat e tij sot prehen në Ishëm të Durrësit. Sipas saj, pas një verifikimi që u është bërë letrave, testamenti është hapur pas datës së varrimit, dhe ka pasur një kërkesë të vazhdueshme nga dy përfaqësuesit e testamentit për të lëvizur trupin nga Ishmi, për ta vënë në vend dëshirën e vetë mjeshtrit që të varrosej në Tiranë. Sipas Kumbaros, ka një akt noterial të bërë publik nga avokati i Kodrës ku shprehet qartë kjo dëshirë. Sipas saj, prej dhjetë ditësh po negociohet me banorët e Ishmit, duke u argumentuar dhe me letra se përse do të bëhet zhvendosja e trupit. Duke pasur parasysh kërkesën e mjeshtrit dhe për të vënë në vend vullnetin e një artisti të rëndësishëm në fushën e arteve pamore, sipas saj u mendua se vendosja në një zonë memorialësh me vlera siç janë varret e figurave të njohura të vendit si Faik Konica dhe vëllezërit Frashëri është një nderim i merituar për Kodrën. Nesër, ashtu siç Ministria e Kulturës ka lajmëruar, do të mbahet ceremonia e vendosjes së trupit të Kodrës në kodrat e liqenit artificial, për të vënë në jetë amanetin e tij për t’u prehur në Tiranë. Ndërkohë memoriali i vendosur në Ishëm, në varrezën aktuale të Maestro Kodrës, do të qëndrojë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: “Ishmi është krenar për birin e vet, piktorin e madh, Nderin e Kombit, Ibrahim Kodra (1918-2006), që tani prehet sipas vullnetit të tij të mbramë në Tiranë, pranë figurave të shquara të kulturës kombëtare”. Sipas Ministrisë së Kulturës, vënia në vend e amanetit të Mjeshtrit kryhet me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta dhe në koordinim me Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit janë marrë të gjitha masat për të realizuar ceremoninë e nderit, që do të mbahet në Kodrat e Liqenit Artificial, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të vendit.

Gentian Shkurti

Është absurde një memorial i një piktori thjesht të mirë pranë Frashërllinjve! Se kujt i intereson ky lloj panteoni absurd nuk e di, por që dikush përfiton në këtë absurditet, këtë e kam të sigurt. Gjithë këta varrharruarit e varrthyerit, që nga Ismail Qemali e deri te Fishta, bashkë me Frashërllinjtë dhe Konicën te Liqeni nuk iu lë njeri një tufë lule, e ju prisni të bëjnë pelegrinazh për Ibrahim Kodrën!

Adrian Isufi

Skandali vazhdon për Ibrahim Kodrën edhe pse në Ishëm protestohet, edhe pse artistët protestojnë kundër këtij projekti delirant të Ministrisë së Kulturës që minimalisht duhet ta kishte bërë publik testamentin e tij. Amaneti i Imbrahim Kodrës është kryer kohë më parë dhe për këtë arsye “refuzoj” këtë akt të pamoralshëm dhe të paligjshëm të Ministrisë të Kulturës!

Leave a Reply

%d bloggers like this: