Home / Te ndryshme / Profil: “Putini i Çeçenisë” që bën propagandë mjeshtërisht në “Instagram”

Profil: “Putini i Çeçenisë” që bën propagandë mjeshtërisht në “Instagram”

Ramzan Kadyrov-i, sundimtari 39-vjeçar i Republikës ruse të Çeçenisë është një politikan i komplikuar. I dhunshëm dhe i pakompromistë, emocional dhe i sinqertë dhe mbi të gjitha plotësisht besnik ndaj Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Gjithsesi, duhet theksuar se herë-herë edhe ai shfaqet si një kockë e fortë dhe i gjithëpushtetshëm. Ai e ka sjellë Çeçeninë, vendin që ka bërë dy luftëra në dekadat e fundit kundër Rusisë, sërish në orbitën e këtyre të fundit. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se “cari Putin” ka kontroll të plotë në këtë “sanxhak”. Përkundrazi. Në shumë mënyra, Çeçenia kontrollohet më shumë nga fermanet e Kadyrov-it sesa nga ligji rus.

Nën drejtimin e Rusisë, pushteti në Rusi është përqendruar te njerëz, të cilët preferojnë të qëndrojnë në hije, të tërhequr. Të pushtetshmit e rinj nuk e kanë fare qejf publicitetin dhe vëmendjen që mund t’u kushtohet. Kadyrov-i është plotësisht e kundërta e kësaj filozofie. Lideri çeçen ka etje për pushtet, e kërkon me ngulm atë dhe në ndihmë i vijnë aftësitë që ka për të ndërtuar një figurë publike që ka fituar zemrat e shumë çeçenëve dhe jo vetëm. Në disa raste, taktikat e tij mund të gjykohen pa shije, e megjithatë, kjo nuk e ka penguar që të shndërrohet në një figurë politike pamohueshmërisht domethënëse.

Askund nuk janë paradokset e Kadyrov-it më të dukshme sesa në llogarinë e tij në “Instagram”. Nuk ka ditë ku sunduesi i Çeçenisë të mos postojë fotografi ku shfaq anët e shumta të personalitetit të tij. Dhe çeçenët e duan. Në profilin e tij ka mbi 1.5 milionë ndjekës, ndërkohë që popullsia e Çeçenisë nuk i kalon 1.3 milionë banorët.

Kjo do të thotë se fama e tij i ka kaluar rreth 17 mijë kilometrat katrorë të atdheut. Materialet që ai poston janë një ndërthurje të aktivitetit si president i vendit dhe atij të një ylli të Hollywood-it. Postimet janë sa burokratike, teatrale aq edhe zbavitëse. Një fotografi e ministrave çeçenë, të cilët janë mbledhur për të diskutuar për shëndetin publik qëndron në krah të një videoje, përshtypja e parë e së cilës është se përmban imazhe të një filmi të ri të zhanrit aksion. Aty Kadyrov-i qëllon me automatik në ajër. Por lideri çeçen përcjell edhe mesazhe paqeje. Në një tjetër fotografi ai paraqitet duke luajtur me një grumbull gjethesh të zverdhura nga vjeshta, ndërsa u bën thirrje ndjekësve të vet që të bëjnë si ai dhe të shoqërojnë fotografitë me hastagun #ЗолотаяОсень, ose #Rënia e artë.

Në disa mënyra, postimet e tij përforcojnë edhe më shumë vlerat tradicionale çeçene. Shpesh lideri e tregon veten duke u falur në xhami, ndërsa me krenari shfaq edhe pasionin për armët. Imazhi klasik i mashkullit çeçen është ai i një trimi sypatrembur dhe të zotë në fushën e betejës. Por kjo është gjithashtu edhe një kujtesë për rolin që drejtuesi luajti në mposhtjen e rebelëve islamikë që tentuan të merrnin vendin.

Duke postuar foto të gruas dhe fëmijëve të tij, Kadyrov-i ka sfiduar edhe tabutë e vjetra çeçene të familjes patriarkale. Ai i ka paraqitur njerëzve të vet atë që konsiderohet si një sjellje modern e “burrit të shtëpisë”. Megjithatë, qëndrimet e tij publike në lidhje me çështjet e gjinisë dhe të familjes shpesh janë konservatore me nuanca paqëndrueshmërie. Shumë nga nismat që ndërmerr bazohen në ligjin Sharia dhe atë adat, kod zakonor çeçen që tregon si duhet të sillesh.

Për Kadyrov-in, “Instagram”-i është ndër mënyrat kryesore për të treguar se ai kontrollon Çeçenisë, por gjithashtu është i dobishëm për Putin-in. Këtë të fundit e konsideron si padronin dhe mirëbërësin, njeriun e vetëm mbi të cilin varet pushteti i tij. Në mënyrë të vazhdueshme poston foto apo portrete të Presidentit rus, ose kur të dy kanë pozuar bashkë shoqëruar me mesazhe besnikërie dhe vasaliteti. Ky është një rast i pushtetit dhe influencës virtuale që transformohen në reale. Një postim në “Instagram” që kthehet në lajm politik brenda Rusisë tregon qartë rolin e pandryshueshëm të Kadyrov-it në sistemin që Putin-i ka krijuar.

Tani vonë, Kadyrov-i ka nisur një fushatë publike ndaj opozitës liberale luftarake. Ai herë i quan tradhtarë, herë çakej. Është e kuptueshme që fushata ka qenë e përqendruar shumë edhe në “Instagram”.

Më 1 shkurt ai postoi një foto të ish-kryeministrit Mikhail Kasyanov, një kritik i ashpër i Presidentit rus, që ishte në shënjestrën e një snajperi.

“Instagram”-i e fshiu postimin duke sqaruar se kjo shkelte kushtet e paravendosura të shërbimit që ofronte. Kjo s’i pëlqeu liderit çeçen, që menjëherë doli kundër aplikacionit, i cili i ka dhënë famë. “Ja ku është, liria e shtypit aq shumë e përfolur. Ky është stili amerikan!”. Por mëria zgjati vetëm pak orë. Ai u rikthye me postimet, ku këtë herë uronte një kushëri për ditëlindjen dhe që të bëhej një boksier i suksesshëm. Nuk mungoi as edhe një foto me ministrin e Kulturës.

Pas disa ditësh, postoi një fotografi të tij në majë të një mali plot me dëborë, me krahë të hapura. Aty i shpjegonte publikut të zakonshëm, të madh dhe të respektuar rus, se ai nuk ka nevojë për t’i bërë reklamë vetes. Por nuk ka lënë pa sqaruar se “Instagram”-in e përdor vetëm që ndjekësit e tij t’i bashkojë në një grusht të vetëm të fuqishëm, të mbledhur rreth liderit kombëtar, Vladimir Putin, duke ecur përpara me hap të sigurt”.

Burimi: The New Yorker

Leave a Reply

Your email address will not be published.