Ekonomia

Subvencionet në bujqësi- Dyfishohen financimet, sektorët dhe skemat përfituese

Subvencionet në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural të vendit për vitin 2016, janë dyfishuar në vlerë totale financimi, në sektorët dhe numrin e fermerëve përfitues, krahasuar me një vit më parë.

Qeveria ka zbardhur vendimin që përcakton kriteret, sektorët dhe financimin nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, për vitin 2016.

Sipas këtij vendimi, fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2016 për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zëri “Transfertë në buxhetet familjare”, për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit, do të përdoret për:

a) investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut;
b) përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve;
c) prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura;
ç) mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës;
d) furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale;
dh) nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale;
e) rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara;
ë) nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

Masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, do të përdoret sipas rajonizimit të hartës bujqësore, të miratuar nga ministritë e linjës, për:
a) Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë të kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, b) Mbarështimi i blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës, c)Furnizimi i qëndrueshëm i tregut dhe rritja e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale dhe d)Nxitja e investimeve dhe e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale.

Sipas këtij vendimi, mbështetja, përmes subvencionit, parashikon financim në masën 70% të normës së interesit, për 7 (shtatë) vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:
– Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
– Ndërtimin e objekteve që do të shërbejnë për mbarështimin e kafshëve, shpendëve e të akuakulturës;
– Ndërtimin e serave për kultivimin e perimeve dhe prodhimin e fidanëve e të produkteve të tjera bujqësore.

Vendimi parashikon përfitues për masat e mbështetjes dhe masën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë fermerë, personat fizikë, personat juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button