Home / Arte / Ekspozita / Nudot e ashpra të Edgar Degas

Nudot e ashpra të Edgar Degas

Nuk kisha parë asnjë ekspozitë retrospektive të Edgar Degas në Paris, por atë e gjen në Musée d’Orsay, buzë Senës. Nëse kaloni këndej, mos harroni ta takoni Edgar Degas (1834-1917). Ai është aty, në një sallë të madhe, ku në gjysmerrësirë shfaqen plot ngjyra balerinat e tij, tablotë “Klasë dansi”, “Prova dansi” … Balerinat e tij të lumturojnë, pasi është poetika e trupit, hiret e trupit që flet me gjuhën e vet…

Luan Rama

Doni një Van Gogh, një Gauguin, një Matisse apo Cezane?… Këtu keni dhe klasikët apo neoklasikët, impresionistët dhe post-impresionistët. Mund të zgjidhni: varet nga ju!… Ah, ju pëlqeni Tourner, Whistler…? Dhe kështu mund të zgjedhësh pafundësisht diku në një mediatekë, bibliotekë lagjeje dhe të hysh kështu në botën e artistëve të ngjyrës dhe të formës. Nuk kisha parë asnjë ekspozitë retrospektive të Edgar Degas në Paris, por atë e gjen në Musée d’Orsay, buzë Senës. Nëse kaloni këndej, mos harroni ta takoni Edgar Degas (1834-1917). Ai është aty, në një sallë të madhe, ku në gjysmerrësirë shfaqen plot ngjyra balerinat e tij, tablotë “Klasë dansi”, “Prova dansi”… Balerinat e tij të lumturojnë pasi është poetika e trupit, hiret e trupit që flet me gjuhën e vet: “pas de deux”, “jeté”, “piqué”, saut de chat”… Sigurisht, Degas, i cili e adhuronte Baudelaire dhe klithmën e tij për modernitetin (Rimbaud gjithashtu) nuk është vetëm piktor balerinash. Në mesin e karrierës së tij, meqë pëlqente operat dhe ndiqte nganjëherë një opera me dhjetëra herë, (brenda shtatë vjetësh ai kishte shkuar 173 herë në opera), në letrën e tij të vizatimit, në pastel apo akuarel, dhe shpesh të kombinuara, nisën të shfaqen balerinat e tij. Ishin sprova, edhe pse vepra të vërteta. Baudelaire atëherë kërkonte modernitetin dhe për dansin shkruante: “Dansi është një poezi me krahë dhe këmbë, është një lëndë me hirësi të jashtëzakonshme, e animuar dhe e zbukuruar nga lëvizja”. Një ditë, Degas i kërkoi një miku të tij të operës: – “Më rezervoni një vend gjatë provave të dansit. Kam bërë kaq shumë vizatime për ato, por asnjëherë nuk i kam parë gjatë provave! Dhe Degas kishte shkuar në Rue Pelletier, në teatrin që vite më vonë do të digjej, por më pas ai do t’i shikonte ato në Palais Garnier, në operën e famshme të Parisit. Atë ditë që shkoi, Degas i pa ato realisht, atje, në sallën e madhe, me mjeshtrin e dansit që kërkonte të ripërsërisnin lëvizjet. Degas shikonte ato vajza të reja, gati adoleshente, të cilat në mbrëmje ngjisnin shkallët e skenës së teatrit para publikut. Por aty ishte tjetër intimitet. Aty ishte gjesti, krijimi i lëvizjes, ajo që mbetej në përfytyrimin e artistit, hiret e trupit, llërët, koka e përkulur, qafa, kofshët, harqet poshtë ijëve, elokuenca e trupit në lëvizje. Ç’mrekulli, trupi që fliste, i cili demonstronte kështu alfabetin e vet të kuptueshëm edhe për njeriun më të paditur të botës, pasi kështu, me lëvizjet e tij, njeriu ka artikuluar që në zanafillën e botës… Degas ishte nga ata piktorë që nuk e njohu varfërinë, siç e kishte njohur Van Gogh apo Gauguin. I ati kishte qenë bankier pranë Notre-Dame de la Lorette, në Paris, dhe meqë ai shkonte shpesh atje, figurat e prostitutave që silleshin vërdallë dhe që atje quheshin “lorette”-s i bënë përshtypje dhe ai filloi t’i pikturonte. Gjatë njëzet viteve të para si artist, ai ekspozoi veçse një tablo, por hyrja e tij e vërtetë në botën e artit ishte në vitin 1880, kur ekspozoi balerinat e tij në ekspozitën e pestë të impresionistëve në Paris. Mallarmé e përshëndeti ngrohtësisht artin e tij, Huysmans i bëri një kritikë plot lëvdata. Degas e përdorte bukur pastelin që e njihte mirë si teknikë, ndërkohë që gjithë piktorët e tjerë parapëlqenin bojën e vajit. Degas e konsideronte pastelin si “një pluhur mbi krahë fluturash”… Kështu u krijuan tablotë Mësimi i baletit, Provimi i dansit, etj. Megjithatë ai vazhdoi dhe me portretet e grave nëpër kafenetë, klubet e argëtimit, që atë kohë ishin të shumta në Paris, këngëtaret e kabareve, madje dhe larëset e rrobave, gratë që hekurosin, etj. Më 1886, ai pikturon një nudo të përkulur në një govatë, duke u larë, në disa variacione, lëvizje. Një tjetër nudo ishte “Ajo që lahet”. Nudot nganjëherë duken të ashpra, por ato janë të vërteta siç janë në jetë. Van Gogh e pëlqente shumë artin e Degas.

Camera obscura

Në vitin 1875, Degas bleu një aparat fotografik “Estman Kodak number one” dhe ky do të ishte një nga pasionet e tij, pasi që kur ishte sëmurë nga prostitutat, ai nuk i donte më femrat fizikisht. Nuk donte të kërleshej e të flinte me ato. Ai donte veç t’i pikturonte ato. I pëlqente mbi letër, në procesin e rikrijimit të bukurisë femërore në linja dhe ngjyrë. Kështu ai filloi të fotografonte në fillim njerëzit e familjes, pastaj miqtë e tij si Mallarmé, Renoir, Verhaeren, veten e më pas balerinat. Nga fondi i tij ruhen jo pak fotografi që tregojnë ndjeshmërinë e tij ndaj dritës dhe lëvizjes. Edhe përmes objektivit, ai kërkonte të deshifronte lëvizjen e trupit njerëzor, atë çka e rikrijonte pastaj mbi letër. Vitet shkonin dhe Degas vazhdonte ende në kërkimet e tij koloristike me një lloj novatorizmi të habitshëm. Ai po shkonte drejt një pleqërie si e Tiziano-s. Pikturonte nudot e tij, balerinat. Tablotë e tij të fundit janë me ngjyra që nuk i ka përdorur më parë: tone të habitshme kanarine, jeshile të çelëta; ngjyra rozë fosforeshente, ngjyra ekspresive, ndërkohë që portreti sfumohet gjithnjë e më shumë sa gati bëhet anonim. Për të s’ka rëndësi portreti, por kapja e lëvizjes dhe dhënia e saj në një dritë të re. Tabloja Krehja e vitit 1896 është e gjitha në tone të kuqe. Në këtë kohë, Degas shihej si një nga perkursorët e modernitetit. Ai shitej shumë në Londër, në Amerikë. Të gjithë nxitonin tashmë të pasuronin galeritë e muzetë me veprat e tij, tablo ku ai shpesh luan me pastel, guash, karbon, apo duke i kombinuar ato. Një nga tablotë e tij ishte dhe “Kalorësi i garave i plagosur” (Jockey blessé), ku spikat moderniteti në një jeshile të mrekullueshme. Kalorësi i rënë mbi një lëndinë të gjelbër, në një flu të mrekullueshme. Më 1886, një ekspozitë hapet në Nju Jork me 23 tablo të tij, mes të cilave dhe “Mësimi i dansit”. Degas tashmë ishte një nga piktorët më në zë të botës. Por një trisht i madh e kaploi kur i vdiq modelja e tij, Valerie Romi, ajo që kishte pozuar dhe për Gauguin dhe disa piktorë të tjerë. Ai ishte interesuar ta çonin atë në një spital dhe ta shëronin, duke u shkruar miqve të tij: “Duhet të shpëtojmë Hirushen tonë!… Dhe gjithnjë interesohej, pyeste, shkruante: “Ç’bëhet në shtratin 11”? … A po vuan zonjusha Romi?”… E rrallë kjo marrëdhënie me një modele që nuk i ka më hiret e saj, por që i ka lënë te piktori zjarret e shpirtit…

Shuarja e artistit

A shuhen artistët? Çfarë mbetet nga ata? Çfarë mbeti nga Mikelanxheloja, nga Goja, Velaskez, El Greco? … Sigurisht ata shuhen fizikisht, por vepra e tyre u mbetet shekujve, dritës njerëzore. Monet ndërkohë kishte vdekur kur Degas kishte shkuar të jetonte në 6, Boulevard Clichy. Më parë kishin vdekur Mallarmé, pastaj Gauguin dhe Pisarro në vitin 1903, më 1906-n u shua Cezane. Vetëm vdekje artistësh të mëdhenj. Atëherë ai kishte një koleksion të madh veprash, tablo nga piktorët më në zë që i kishte blerë vitet e fundit, madje donte të krijonte një muze me emrin e tij. Por shpejt një trishtim i madh e mbuloi, sytë nuk i shikonin mirë, ngjyrat i dallonte me vështirësi dhe ai më së fundi u dorëzua, nuk donte të pikturonte më. Dilte i vetmuar, meqë doktori i kishte thënë të ecte. Ikte bulevardeve duke bredhur gjithë ditën dhe kthehej në mbrëmje ose të nesërmen. Ngjante si një personazh homerik, i shkëputur nga bota që e rrethonte, ndërkohë që familjarët e tij ziheshin se kush do t’i trashëgonte veprat e tij, duke e detyruar të ndryshonte testamentin. Një herë deshi të shkonte në një manastir të largët dhe të vdiste aty, larg kësaj bote të zhurmshme. Një ditë tjetër mendoi dhe të martohej, meqë kjo jetë beqarie e kishte mërzitur shumë. Dhe ndërkohë, kur ishte shitur koleksioni i pikturave të dikujt dhe tabloja e tij “Danseuses à la barre” u shit 435 000 franga, dikush e kishte parë në fund të sallës tek vështronte i habitur.

– Ç’përshtypje ke që kjo tablo u shit kaq shumë? – e pyeti një nga ata që e njohu.

– Çudi, – u përgjigj Degas, – unë e shita veçse 500 franga, – dhe ai ishte larguar qetësisht nga salla.

Kur vinte ndonjë admirues ta takonte në shtëpi dhe ai e pyeste për krijimtarinë e tij, Degas i përgjigjej:

– Çfarë? Pikturë? Ah, kjo nuk më intereson më! … Dhe ai shtonte: – Pleqëria është e çuditshme … e habitshme si bëhesh indiferent për gjithçka!”

Një ditë, dramaturgu i famshëm Sacha Gutry po realizonte një film dokumentar për njerëzit e mëdhenj të Francës. Dhe ai shkoi të trokasë në shtëpinë e tij, por guvernantja i mbylli portën:

– Zoti Degas nuk do të shohë më njeri!

Degas kishte dëgjuar që ata po bënin fjalë dhe doli te dera. Kur e pa atë që po i merrej fryma nga shkallët që kishte ngjitur, i tha të ulej një çast. Dhe ai i tregoi pse kishte ardhur, por Degas i ishte përgjigjur:

– Jo, zotëri, dua të më lini rehat në qoshen time.

– Po ju do të jeni krahas Monet, Renoir, Rodin …

– As që dua t’i a di! – ishte përgjigjur Degas.

Atëherë Sacha u largua, por u tha operatorëve poshtë të bënin kamerat gati që kur Degas të dilte si zakonisht, ata ta filmonin fshehurazi. Dhe ashtu do të ndodhte … Degas doli me syzet e errëta të tij dhe një kapele të vjetër rrasur në kokë, si një njeri i zakonshëm që askush nuk e njihte në rrugë. Kështu, operatorët e filmuan dhe ne kemi sot imazhin e gjallë të plakut Degas në vitin e fundit të jetës së tij. Gjatë jetës së tij si artist, Degas ekspozoi vetëm një skulpturë, “Balerina e vogël”. Por kur ai vdiq, në atelierin e tij u gjetën shumë skulptura të mrekullueshme, balerina, vajza të vogla, kuaj … Kishte filluar të bënte skulpturë atëherë kur nuk mund të bënte më pikturën. Më ndryshe ishte me formën, baltën … “Kjo është një punë të verbërisht! – thoshte ai. Skulpturat e tij, një tjetër imazh i artit të këtij artisti. Degas vdiq dëshpërimisht. E vetmja dritë që duhet të ketë parë para se të ketë mbyllur sytë duhet të ketë qenë ajo e balerinave. A thua ende kërcenin në skenën e teatrit, siç i kishte pikturuar ai? Kushedi … Enigmën, Degas e ka marrë me vete, por sidoqoftë tablotë që shohim sot na sjellin ngazëllimin e piktorit të madh. Do të doja që këtë ngazëllim ta gjeja dhe në tablotë e sprovat e piktorëve, e miqve të mi shqiptarë. Sallat e dancit janë aty. Kush vallë u është afruar? … Edhe trupi ka alfabetin, gjuhën e vet, hiret e lëvizjes dhe kjo mund t’i frymëzojë, si dikur piktorin Degas …

Leave a Reply

Your email address will not be published.