Home / Kryeartikull / Cuci, Elemi dhe Lazgushi në katër ditë

Cuci, Elemi dhe Lazgushi në katër ditë

Nga Ilir Yzeiri

Para disa ditësh u botua një ditar i shkurtër për katër ditët e “Cucit” i poetit më të madh shqiptar, Lazgush Poradeci. Ky ditar është mbajtur në katër ditë, përkatësisht të martë, të mërkurën, të enjten dhe të premten e muajit prill të vitit të largët 1975. Lazgushi ka shënuar në një ditar një ngjarje që për atë ishte shumë e rëndë, por për kohën në të cilën jetonte ai dhe ne të tjerët që kemi jetuar me të, ishte një rutinë e makabritetit të higjienës socialiste.

Po çfarë konkretisht?

Komiteti Ekzekutiv i KP të Rrethit Tiranë, siç quhej atëherë, nxjerr një urdhëresë për të vrarë qentë. Lazgushi ka pasur një qen me emrin Cuci, të cilin e mbante në shtëpi dhe ishte shumë i lidhur me të. Cuci dhe Lazgushi shëtisnin bashkë dhe të gjithë ata që e kanë njohur poetin i kujtojnë që të dy, madje edhe skulptura e tij në qytetin e Pogradecit është bashkë me Cucin. Të gjithë e dinë që ai jetoi në socializëm pa u marrë vesh me të, duke qëndruar mënjanë dhe duke vijuar jetën e tij si në ëndërr. Të mbaje një qen në shtëpi dhe të shëtisje me të rrugëve të Tiranës apo të Pogradecit, siç bënte Poeti, ishte një shenjë e pakuptueshme në atë kohë, sepse vendi ishte i mbuluar nga mjegulla e moralit komunist që kishte në qendër thjeshtësinë e heroit absurd dhe jo shpirtin e hollë e të ndjeshëm të poetit që e kishte zgjedhur Cucin, konkën e tij si një mundësi për të qenë i lidhur me kafshët në rastin më të mirë dhe për të pasur një mik në ditët e vetmuara në rastin më të keq. Mirëpo, në anën tjetër, ishte higjiena socialiste që e mbronte ambientin përmes zhdukjes dhe eliminimit. Ndërkohë ishte e ndaluar që të mbaje qen në shtëpi. Dhe në një nga ditët rutinë të shfarosjes së qenve me anë të vrasjes, i bie radha edhe Lazgushit dhe një ditë të bukur, ditën e martë më 2 prill 1975, në derën e tij të shtëpisë në Tiranë troket kryetari i Këshillit të Lagjes dhe i plotfuqishmi ose polici dhe pasi i tregojnë urdhrin se do të vrasin qentë; ia rrëmbejnë Cucin dhe ia çojnë në vendin e grumbullimit ose në vendin e pushkatimit masiv diku në periferi të Tiranës. Këtu hyn në skenë poeti i madh dhe nis drama. Ai ka tri ditë kohë që të ankohet përpara se Cuci të vritet ose të pushkatohet, siç thotë ai dhe tani ngjarja nuk është më një banalitet mes Këshillit të Lagjes, poetit dhe ecejakeve nëpër zyrat e shtetit për të shpëtuar Cucin, tani gjithë kjo ngjarje është art, sepse atë e rrëfen poeti më i madh shqiptar përmes një ditari të mbajtur në katër ditë ose në katër kohë.

Dita e parë

“Sot nga ora 1 mbas mesdite ardhë m’a muar me zor konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, Cucin që të ma vrasin (pushkatojnë)”. Kështu nis ditari dhe vijon më tej si një film, sepse rrëfimi ndërtohet mbi ngjarje që janë sa groteske, aq edhe tragjikomike. Në këto tri ditë në të cilat do të vendoset fati i Cucit, Lazgushi vepron sikur do të shpëtojë një jetë njeriu. Ironia është se marrëdhënia që ka Lazgushi me konkën e tij është një gjë e pakuptueshme për një regjim të egër dhe cinik që e ka ndërtuar jetën duke vrarë kundërshtarët dhe duke eliminuar të kundërtin ose të ndryshmin. Lazgushi nuk di asnjë gjë dhe nuk kupton se çfarë ndodh, ai tmerrohet se do t’i vrasin konkën e shtrenjtë dhe kalon tri ditë nëpër zyrat e shtetit. Mirëpo kjo është ana e jashtme e veprimit sepse, ana tjetër, ajo e brendshmja, është vizatuar me një sinqeritet prekës. Rrëmbimi i Cucit të kujton skenat e rrëmbimit natën të hebrenjve për t’i çuar në kampe ose arrestimet makabre të komunistëve natën apo të fashistëve dhe Lazgushi ashtu e përjeton. Sapo ata largohen, ai shkrihet në vaj dhe qan me ngashërim, duke puthur enën e ushqimit, duke prekur vendin ku ai rrinte dhe pastaj i lënduar deri në kulm del në po atë rrugë ku shëtiste Cucin. Sot që edhe në Shqipëri kafshët janë bërë miq të shqiptarëve, të gjithë e dinë se çfarë është marrëdhënia me një të tillë, por në atë kohë ishte e pakuptueshme, sepse nuk ishte në modë dashuria për kafshët e pambrojtura, ishte në modë urrejtja dhe dashuria për gjëra abstrakte dhe absurde. Në shpirtin tonë të ndryshkur, higjiena socialiste kishte vendosur gëlqeren e bardhë të heroizmit dhe neverisë për modelin e dashurisë borgjeze që hapte vend edhe për kafshët apo edhe për tjetrin e ndryshëm.

Dita e dytë

“Megjith që jam i sëmurë që prej 17 janarit (kur ardha prej Pogradecit), prapë i dhashë kurajë vetes dhe dola për të parën herë nëpër Tiranë t’i bje pas punës së Cucit.” Kështu nis ditari i mbajtur ditën e dytë, e mërkurë 3 prill 1975. Tani na zbulohet me stilin gogolian burokracia. Që të shpëtojë nga pushkatimi Cuci, duhet një vërtetim nga veterineri i Komitetit Ekzekutiv. Që të shkojë deri te veterineri, Lazgushi e di se duhet të trokasë shumë më lart. Dhe megjithëse ai ngrihet që në 5 të mëngjesit që të jetë në orën 7 në zyrat e pushtetit, ata që ai do të takojë për fat të keq vijnë në orën 1 e 30 në zyrë. Takon Dritëroin, Kryetarin e Lidhjes dhe ai i telefonon Ndue Marashit, kryetarit të Komitetit që i thotë eja më tako. Shkon, por nuk gjen njeri atje, nuk gjen as edhe një nga të katër nënkryetarët. Takon Drejtorin e Shëndetësisë, Gjebrean, po nuk mbaron punë, sepse veterineri që ishte poshtë në katin përdhes, nuk gjendej në zyrë dhe i dërrmuar kthehet në shtëpi.

Dita e tretë

“Megjith që jam i sëmurë e mora shpirtin ndër dhëmbë dhe, nga çqetësimi për Cucin, u ngrita në mëngjes më ora 5, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 e mëngjezit (kur vijnë gjithë nëpunësit në zyrë)”. Kështu fillon ditari i ditës së tretë. E njëjta aventurë, por tani Gjebrea që e njihte si poet e pret mirë dhe i thotë se i ka telefonuar Elemit, Lelemit, thotë Lazgushi për kryetarin e lagjes, që të mos e pushkatojnë Cucin. Zbresin poshtë te veterineri që të marrin leje, por veterineri nuk pranon dhe Gjebrea e qetëson duke i thënë se i kam telefonuar Elemit që të japë urdhër që të mos e vrasin Cucin. Ka vajtur ora tre dhe Lazgushi me gjysmë-premtimin shkon në zyrat e Komunales dhe takon përgjegjësin e vrasjes së qenve, por ai nuk është aty. I shkon në shtëpi dhe ai e siguron se nuk e kemi vrarë Cucin. Vete në shtëpi i lodhur dhe i dërrmuar dhe ha pak bukë pas tri ditë të tmerrshme.

Dita e katërt

“U ngrita shpejt që në mëngjes (ora 5 para mëngjesit, të vete në Komitetin Ekzekutiv, më ora 7 (përpara se të hyjnë nëpunësit), t’i them inspektorit të Shëndetsis (Shpëtim Gjebréa) t’i thotë veterinerit të Komitetit Ekzekutiv të mos m’a vrasin “Cucin”. Kështu fillon ditari i ditës së katërt. Vrasja është pezulluar, por duhet vendimi, sepse ajo shoqëri ishte një sistem i formalizuar deri në detaje si të gjitha diktaturat. Shkon atje, takon Gjebrean, ai i thotë veterinerit, por ai nuk pranon. Bëhen dy personazhe, Elemi dhe veterineri që paraqitin pamjen e vrazhdë absurde dhe të ngurtë të burokracisë. Ngjitem lart, thotë Lazgushi, të takoj Kryetarin, por nuk e gjen, pastaj takon një nga nënkryetarët, një me mbiemrin Konomi dhe ai e urdhëron veterinerin. Zbret poshtë në katin përdhes dhe e merr vendimin. Me atë copë letër në dorë fluturon te fusha e grumbullimit të qenve ku e pret jevgu i mirë dhe i dashur Riza që të marrë qenin, pra ta heqë nga vendi makabër i pushkatimit. Këtë shkresë Lazgushi e ka dhënë të plotë. Sot ajo ngjan si një frazë e shkruar nga Gogoli ose Kafka. Në fakt, ishte një shkresë rutine që thoshte: “Shokut Riza Gjini ose jevgu jepi Profesorit qenin e tij, mbasi ka marrë leje nga Kom. Ekz, i KP Rrethit 5/4/1975”. Dhe pasi bëri një orë rrugë në këmbë diku në periferi të Tiranës, ai më në fund e mori Cucin dhe u kthye në shtëpi. Takimi me Cucin dhe dashuria mes tyre, shpëtimi nga pushkatimi i jep fund një ditari që të mban frymën pezull jo vetëm për bukurinë, magjepsjen.

Epilog

Ky ditar i Lazgushit është i shkurtër, përshkruan katër ditë dhe kë në qendër? Fatin e konkës së tij, por kaq mjafton që të bëhet fotografia e një kohe absurde dhe të zbulohet mjeshtëria me të cilën e përtyp poeti i madh këtë kohë. Pushkatimi i qenit, Elemi, fytyra e egër dhe pa kompromis e pushtetit popullor, polici pak i butë dhe burokracia makabre që për të marrë një copë letër në mënyrë që Cuci të mos pushkatohet, poeti ngrihet tri ditë rresht në 5 të mëngjesit. Ka ndër mend të takojë Manush Myftiun, sekretarin e parë të Tiranës, ministrin e Shëndetësisë, Llambi Ziçishtin, Ndue Marashin, kryetarin e Komitetit, por takon Dritëroin që i hap rrugën për të çarë burokracinë, pastaj futet në shkallët e saj si në shkallët e ferrit dhe në rrethin e tretë në fund është veterineri i pashpirt, simboli i higjienës socialiste. Dhe dokumenti që urdhëron nëpunësit e komunales që t’ia japin Profesorit Cucin dhe në fund takimi me Cucin dhe kthimi në shtëpi. Lazgushi nuk është nisur që të bëjë art me këtë ditar, ai thjesht ka hedhur në letër një ngjarje që atë e ka dërrmuar shpirtërisht. Mirëpo shpesh rrëfimi pa trillim për një realitet që ishte i ndërtuar i gjithi mbi trillimin e bën atë një kryevepër të prozës së shkurtër. Është nga ato raste kur realiteti i rrëfyer pa trillim nga një mjeshtër e kapërcen letërsinë e ndërtuar mbi trillimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.