Amerika

Obama: Trump nuk bëhet President. Amerikanët janë të zgjuar

Donald Trump nuk ka për të qenë president i vendit, sepse Presidenca është punë serioze. Manjati i pasurive të paluajtshme vazhdon të kryesojë garën për nominim në kampin republikan, por perspektiva e Trumpit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, nuk e bind aspak shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama.

“Vazhdoj të ndaj bindjen se, zoti Trump nuk do të bëhet president. Arsyeja përse e mendoj një gjë të tillë është se, kam besim të thellë te populli amerikan”, tha Barack Obama, President i SHBA-ve.

Miliarderi njujorkez ka fituar tashmë një zgjedhje paraprake, e sondazhet i japin epërsi dhe në Karolinën e Jugut, ku republikanët votojnë të shtunën.

Komentet për Trumpin, Obama i bëri gjatë takimit të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore në Kaliforni, ku një reporter kërkoi mendimin e tij mbi kandidatin republikan.

“Elektorati nuk ka për ta zgjedhur, sepse amerikanët e dinë shumë mirë, që drejtimi i kombit është çështje serioze”, tha Obama. “Presidenca nuk do të thotë të moderosh një ‘Talk show’, as një ‘Reality show’. Nuk është reklamë, nuk është marketing, është shumë e vështirë madje. Sepse udhëheqja e një kombi nuk është çështje kënaqesie, e nuk do të thotë se mund të bësh çfarë të duash, mjaft që atë ditë të mbushësh titujt e gazetave dhe edicionet informative”.

Deklaratës së kreut të administratës, Trumpi iu përgjigj duke thënë se, e konsideron kompliment faktin që kritikohet nga një kryetar shteti, i cili ka bërë shumë për ta dëmtuar vendin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button