Home / Politika / Presidenca dekreton shkarkimet e ministrave

Presidenca dekreton shkarkimet e ministrave

Vetëm një ditë përpara seancës plenare të radhës, të enjten ën Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti Bujar Nishani, përmes njoftimit në faqen zyrtare të Presidencës ka informuar publikun mbi dekretimin e shkarkimit të dy ministrave të kabinetit qeveritar, Shkëlqim Cani e Arben Ahmetaj.

Propozimi për shkarkimin e tyre ka ardhur nga kryeministri Rama, ndërsa Cani nuk do të jetë më ministër i Financave, kurse Ahmetaj do të lërë postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Megjithatë dihet që ish-deputeti i Qarkut të Gjirokastrës, i cili ka hequr dorë nga mandati i deputetit në fillim të qeverisjes socialiste, do të marrë drejtimin e Financave të vendit.

Ndryshe nga të gjithë deputetët e tjerë që zunë poste ministrash në qeverisjen PS-LSI, Shkëlqim Cani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë refuzoi të hiqte dorë nga mandati i fituar prej zgjedhësve, gjë që i lejon atij të vijojë praninë në Kuvend, tashmë si deputet i Partisë Socialiste.

Ende nuk dihet nëse dekretimet e shkarkimeve të Presidentit Nishani do të hyjnë në seancën e nesërme në Kuvend, ndërsa ende nuk janë dekretuar emërimet e ministrave të rinj të kabinetit, Ahmetaj te Financat dhe Milva Ekonomi te Zhvillimi Ekonomik.

Leave a Reply

%d bloggers like this: