Amerika

Obama, vizitë historike në Kubë; republikanët kundër presidentit

Presidenti amerikan Barack Obama do të vizitojë Kubën në javët e ardhshme, në kuadër të një turi në Amerikën Latine.

Obama i bie të jetë kështu presidenti i dytë amerikan në histori që do të udhëtojë në ishull, pas Calvin Coolidge në vitin 1928.

Uashingtoni dhe Havana rivendosën marrëdhëniet diplomatike korrikun e kaluar dhe administrata amerikane hoqi kufizimet ndaj tregtisë dhe udhëtimeve pas një bllokimi prej 54 vjetësh.

Republikanët në Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar vizitën, duke deklaruar se ajo nuk mund të ndodhë përsa kohë familja Castro është në pushtet.

Kandidatët republikanë për president, Marco Rubio dhe Ted Cruz, të dy fëmijë të emigrantëve kubanezë në Shtetet e Bashkuara, deklaruan se vizita është e gabuar.

I pyetur nëse ai vetë do të shkonte në Kubë, zoti Rubio u përgjigj: “Jo, nëse nuk është një Kubë e lirë”. Ndërsa Cruz tha: “Obama po sillet sikur po bën një apologji”.

Në dhjetor, Obama deklaroi për “Yahoo News” se dëshironte të takonte disidentët politikë në Kubë, për t’i ndihmuar në futjen e qeverisë kubaneze në një drejtim të ri”.

Nga ana e saj, Havana zyrtare ka reaguar duke deklaruar se, vizita e zotit Obama është e mirëpritur, por ai nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit.

Vizita e presidentit amerikan mund të përkojë me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Havana mes qeverisë kolumbiane dhe rebelëve të FARC, që pritet të bëhet më 23 mars.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button