Amerika

Trumpi e kthen, lavdëron Papën

“Kush mendon të ndërtojë mure, nuk është i krishterë”. Deklarata e Atit të Shenjtë, referim i hapur ndaj propozimit të Donald Trumpit për të ngritur një barrierë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, e zemëroi keq miliarderin amerikan.

“Nëse Vatikani do të sulmohej nga ISIS-i dhe të gjithë e dimë që ky do të ishte trofeu më e madhe për terroristët, ju garantoj me bindje të plotë se Papa do të fillonte të lutej që Presidenti i Amerikës të ishte Donald Trumpi. Qeveria meksikane më ka denigruar me Papën pasi kërkon të vazhdojë të tallet me Shtetet e Bashkuara, si me kufijtë ashtu dhe me tregtinë. Ata e dinë ama që unë e kam kuptuar lojën.Françesku ka dëgjuar vetëm njërën anë të historisë”, u shpreh Trump.

Kjo ishte përgjigja flakë për flakë e manjatit të pasurive të paluajtshme ndaj komenteve të Papës argjentinas. Por, disa orë më vonë, Trumpi ndërroi qëndrim e u shfaq shumë më i zbutur, duke folur me tone të ulëta për një Papë të cilin e respekton shumë.

“Françesku ka personalitet dhe po bën një punë mjaft të mirë atje jashtë, është një njeri i mbushur me energji”, tha Trump mbrëmjen e së enjtes në Columbia, ku iu përgjigj pyetjeve në televizionin kombëtar.

Reagimi i menjëhershëm i tij ndaj qëndrimit të Atit të Shenjtë në fakt nuk është krejt i papërligjur, pasi zgjedhjet paraprake të radhës zhvillohen në Karolinën e Jugut, ku njerëzit e njohin frikën nga Zoti dhe të kesh kundër vetë Papën që deklaron se nuk je i krishterë, mund ta bëjë situatën vërtet dëmtuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button