IntervistaPolitika

Hoffmann: Gjermania i kthen të gjithë ata që kanë kërkuar azil ekonomik

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann, në një intervistë për Deutsche Welle ka folur për ligjin e ri gjerman për emigracionin, duke theksuar se cilido nga Shqipëria që dëshiron të punojë dhe të integrohet është i mirëpritur në Gjermani. Por, Hoffmann ka theksuar se Gjermania i kthen të gjithë ata që kanë kërkuar azil ekonomik.

Intervista e Ambasadorit të RFGJ, Hellmut Hoffmann, për Deutsche Welle

DW: Z. Ambasador, autoritetet gjermane po riatdhesojnë azilkërkuesit me motive ekonomike nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Çdo javë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit mbrijnë qindra qytetarë shqiptarë që riatdhesohen. Ndërkohë, në fillim te këtij viti ka hyrë në fuqi ligji i ri gjerman i emigrimit. Si do të kontribojë ky ligj që të shmangë përpjekje të reja të mundshme të qytetarëve nga Shqipëria për të tentuar të rikërkojnë azil në Gjermani?

Hellmut Hoffmann: Ndihem relativisht i lehtësuar, që numri i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani është në zbritje të vazhdueshme. Sipas statistikave, në janar të këtij viti ka rreth 1200 syresh, shifër kjo që mund të them se është një iluzion optik, pasi nuk bëhet fjalë për qytetarë dhe qytetare shqiptare që kanë udhëtuar drejt Gjermanisë brenda muajit janar, por për qytetarë që kanë qenë atje dhe vetëm në janar kanë arritur të bëjnë kërkesën e tyre për azil. Jam optimist, pasi shifrat e atyre që vazhdojnë të shkojnë në Gjermani për të kërkuar azil po ulen në mënyrë të ndjeshme. Shpresoj shumë që tani ta kenë kuptuar që nuk ka azil ekonomik në Gjermani. Ashtu, si përmendët në krye të kësaj interviste, çdo javë kthehen nga autoritetet gjermane me qindra azilkërkues shqiptarë, pasi kanë marrë një përgjigje negative për aplikimin e tyre për azil. Pjesa më e madhe kthehen me vullnetiin e tyre të lirë pasi kështu mund të shmangin ndalim-hyrjen në Gjermani, që në rast të kundërt do të vendosej për një periudhë disavjeçare. Por ka edhe një numër azilkërkuesish që nuk pranojnë të kthehen me dëshirën e tyre dhe për këtë qëllim ata kthehen në Shqipëri me avion përmes autoriteteve të azilkërkimit . Lidhur me ligjin e ri gjerman për emigrimin, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2016, për mua është kënaqësi të them që ai ka të bëjë me lehtësimin e kushteve për të hyrë në tregun e punës në Gjermani jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë por edhe për ata nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Për sa u përket shqiptarëve, tanimë dihet se ata shkuan në Gjermani jo se kërkuan realisht azil por kërkuan mundësi për të punuar. Gjermania, në këtë rast u pozicionua duke thënë: Ne nuk japim azil për emigrant ekonomikë, por nga ana tjetër dëshirojmë t’u japim atyre një mundësi duke lehtësuar aksesin në tregun e punës dhe të kushteve për të filluar një marrdhënie pune në Gjermani, gjë që është bërë realitet që në 1 janar 2016. Risia në këtë kontekst është që tani për të filluar një marrdhënie pune në Gjermani nuk është i domosdoshëm një kualifikim i posaçëm profesional, por vetëm një kontratë e rregullt pune që nënkupton ndër të tjera të mos shkohet poshtë pagës minimale. Po kështu kërkohet miratimi i Zyrës Lokale të Punësimit në Gjermani. Mjaft i rëndësishëm është aplikimi për vizën përkatëse të punës duke ardhur personalisht në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Në mënyrë të përmbledhur do të thoja: kush dëshiron të punojë dhe të integrohet nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor është i mirëpritur në Gjermani . Ajo që nuk pranohet është shprehimisht një emigrim në sistemet e sigurisë sociale të Gjermanisë, pra që njerëzit të vijnë në Gjermani për të kërkuar punë për një periudhë kohore dhe t’u sigurohet strehimi, ushqimi apo një sasi e vogël parashë. Shpresoj shumë që këta dy elementë – rikthimi i të gjithë azilkërkuesve që kanë ardhur në Gjermani për arësye ekonomike dhe ofrimi i mundësive ligjore për të nisur një marrdhënie pune në Gjermani, të japin efektin e tyre sa më parë që të jetë mundur.

DW: Z. Ambasador, çfarë masash mund të marrë Qeveria e Shqipërisë për të shmangur që qytetarët e saj të mbërrijnë në vendin e parë, anëtar të BE, dhe që andej të tentojnë të kërkojnë azil në Gjermani apo vende të tjera të BE?

Hellmut Hoffmann: Së pari dëshiroj të shpreh vlerësimin tim pozitiv për bashkëpunimin që kemi pasur me qeverinë shqiptare, sidomos për qëndrimin dhe bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare, që kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti me rastet e rikthimeve. Por çfarë duhet bërë për të parandaluar valët emigratore që mund të vijnë në të ardhmen? E rëndësishme është që problemi të bëhet temë e diskutimeve publike sa më shpesh që të jetë e mundur, pasi nuk është diçka e vogël që aq shumë njerëz të largohen nga vendi apo thjesht të mendojnë ta lënë atë një ditë. Sikurse e theksova në krye të kësaj interviste shiftat e azilkërkuesve janë në rënie. Shpresoj shumë që ky trend të vijojë edhe në të ardhmen. Por për sa kohë do të jetë një problem, mendoj që të gjithë personat përgjegjës në të gjitha nivelet të sqarojnë opninionin publik për mungesën e shpresës për të marrë azil ekonomik në Gjermani. Të sqarojnë që ajo që arrihet duke shkuar për të kërkuar azil ekonomik është thjesht vetëdëmtimi, sepse starti pas kthimit është edhe më i vështirë sesa para largimit nga vendi. Shpresoj që gjithë strukturat dhe personat relevantë, të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë për të krijuar kushte që njerëzit të mos arrijnë deri tek mendimi i emigracionit, i largimit nga vendi, duke shfrytëzuar në mënyrë të mirë orientuar të gjitha burimet për krijimin e vendeve të punës, ku e rëndësishme është shpërndarja e ndershme dhe luajale e vendeve të punës në funksion të luftës kundër varfërisë. Shqipëria merr mbështetje të konsiderueshme nga BE, donatorë multilateralë dhe të veçantë, dhe gjithë kjo mbështetje, përfshirë edhe atë të Gjermanisë, për më shumë se 25 vjet synon që njerëzit të mos kërkojnë rrugët e mirëqënies së tyre jashtë vendit, por të shikojnë mundëitë e realizimit të tyre në Shqipëri. Nëse do të kaloja në retrospektivë, gjithë zhvillimet që ka pasur Shqipëria në 25 vitet e fundit mendoj që kanë qenë pozitive, megjithë vështirësitë në momente të caktuara. Ndjesia ime është që perceptimi i gjendjes së vendit është më i keq sesa realiteti. Natyrisht duhet punuar shumë pasi ka shumë për të përmirësuar.

DW: Z. Ambasador, a është riformulimi i sistemit të Dublinit një çështje emergjente për Gjermnainë nëse kihet në konsideratë numri i madh i njerëzve që vazhdojnë të dynden në Europë përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor për t’i shpëtuar luftës dhe shtypjes plus emigrantët për arsye ekonomike që edhe pse numri i tyre po ulet ndjeshëm ende egziston si fenomen?

Hellmuth Hoffmann: Sistemi i Dublinit, muajt e fundit, është nxjerrë në mënyrë faktike jashtë loje për shkak të luftës në Siri. Nisur nga situata në Siri, menaxhimi i rrymave emigratore ka qënë një sfidë e jashtëzakonshme për të gjitha vendet e BE. Mendoj që ka një konsensus të gjerë në BE për reduktimin e numrit të emigrantëve, pasi nuk mund të menaxhohen më edhe aq sa ata janë aktualisht. Në këndvështrimin gjerman dy janë çështjet që duhen diskutuar: Së pari mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE, bërja e qartë që emigrantët ekonomikë nuk kanë një perspektivë qëndrimi në vendet e BE dhe për këtë arsye duhen gjetur rrugë se si të reduktohen në mënyrë drastike këto valë emigrantësh. Pika e dytë e rëndesishme, nga këndvështrim i Gjermanisë, është që refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës civile duhet t’u ofrohet mbrojtja e nevojshme derisa në një moment të ardhshëm të mund të sigurohet rikthimi i tyre i sigurtë në vendet e origjinës. Në këtë kontekst është i rëndësishëm solidariteti i vendeve europiane, pasi 2 apo 3 vende e kanë të pamundur ta mbajnë mbi supe të vetëm këtë krizë. Ndaj është e rëndësishme që të punohet që kriza në Siri të marrë fund sa mv shpejt. Por sesi do të zhvillohet më tej ky bashkëpunim dhe cilat do të jenë rregullat kjo është ende duke u diskutuar.

DW: Z. Ambasador, më lejoni të rikthehemi në Shqipëri. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit?

Hellmuth Hoffmann: Kjo strukturë e re do të ketë në fokus luftën kundër korrupsiomit. Korrupsion ka kudo në botë, edhe në Gjermai. Por dallimi me Shqipërinë është, pikë së pari, që dimensionet e këtij fenomeni janë shumë më të vogla se në Shqipëri dhe e dyta, që është edhe më thelbësore, në Gjermani nuk ka kulturë të pandëshkueshmërisë. Kjo ështe ajo që duhet bërë me vendosmëri në Shqipëri: duhet punuar për të eliminuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Kjo do të thotë që të nisin hetimet, të ngrihen paditë përkatëse dhe të jepen vendimet gjyqësore. Ngritja e Byrosë Kombëtarë të Hetimt, si institucion i veçantë, është shumë e kuptimplote dhe e dobishme. Në këtë kontekst duhet punuar për t’u garantuar në maksimum pavarësia. Në propozimet e parashtruara të Komisionit të Venecias përfshihet edhe se cila duhet të jetë struktura e këtij autoriteti. Mendoj, se duhej të ndiqen rekomandimet e Komisionit të Venecias, që pritet të shprehet për këtë Byro.

DW: Si do ta mbështesë Gjermania procesin që hap Byroja Kombëtare e Hetimit në luftën kundër kprrupsionit?

Hellmut Hoffmann: Lufta kundër korrupsionit është një nga çështjet themelore që trajton reforma në drejtësi. Gjermania është mjaft e angazhuar në mbështetje të kësaj reforme. Kjo ka qenë edhe një nga linjat kryesore të bisedave të zhvilluara mes kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama. Gjermania përshëndet faktin që kjo reformë ka nisur rrugën e vet në mënyrë intensive, shpresoj shumë që të miratohet sa më parë që të jetë e mundur dhe të zbatohet me të njëjtën konseguencë. Mendoj që rekomandimet e Komisionit të Venecias duhen zbatuar me shumë saktësi. Në momentin kur do të ketë ende çështje të hapura do të jetë e këshillueshme që të gjitha palët të përpiqen të gjejnë kompromise të arësyeshme, praktike dhe funksionale. Mendoj, që reforma në drejtësi është në një rrugë të mbarë. Gjermania do të japë kontributin e vet në zbatimin e kësaj reforme. Sikurse është bërë e ditur tani është paraparë që gjykatësit dhe prokurorët t’i nënshtrohen një procesi i vlerësimi, ku BE do të ketë nje rol të rëndësishëm dhe ku Gjermania do të japë kontributin e saj.

DW: Z. Ambasador cilat mund të jenë rreziqet e mundshme për miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi?

Hellmut Hofmann: Kam përshtypjen që forcat politike të Shqipërisë e kanë disi të vështirë të shkojnë drejt njëra-tjetrës, të afrohen, të gjejnë dhe synojnë bashkërisht ato zgjidhje të problemeve që do të ishin më të mirat e mundshme në këndvështrimin e politikave shtetërore. Pikëpamja ime është që qeveria është për të qeverisur vendin duke shfrytëzuar dhe maxhorancën që ka në dispozicion për të realizuar ato zgjidhje që i konsideron të drejta. Por ka edhe çështje për të cilat do të ishte e dobishme dhe e këshillueshme të përfshihen edhe pakicat, opozita, që të gjenden zgjidhje dhe kompromise të përbashkëta, Në këtë kontekst pyetja sesi do të zihen pozicionet kryesore në drejtësi dhe cilët do të jenë mekanizmat kryesore është shumë e rëndësishme. Mendoj që është e rëndësishme të gjendet një mekanzëm i tillë që të garantojë që në këto pozicione kyçe të sistemit të drejtësisë të vendosen personalitete kompetente dhe me integritet, që janë elementë të rëndesishme dhe njëherazi edhe një rekomandim i Komisionit të Venecias. Krahas kësaj këto pozicione duhet të zihen në mënyrën më pluraliste të mundshme. Por duhet pasur kujdes që të mos gjenden mekanizma të tillë që në momentin e zënies së këtyre pozicioneve të çojnë në blokime të mundshme. Do të duhe të ecet me shumë kujdes, pasi nga njëra anë kërkohet që këto vende të zihen në mënyrë sa më pluraliste, me personalitete kompetente dhe me integritet dhe nga ana tjetër duhet që të shmanget çdo lloj bllokimi. Ka formula të mundshme për këtë dhe shpresoj shumë që politika shqiptare do të jetë e aftë ta gjejë një të tillë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button